Panairi i kulinarisë, i kthyer në një traditë prej 10 vitesh nga kompania Neranxi, hapi sot dyert për të gjithë të interesuarit e produkteve kulinare.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i kompanisë Neranxi, Nikollaq Neranxi, u ndal tek puna e vazhdueshme për ta kthyer kompaninë një nga bizneset më të mëdha në vend, që mban si moto cilësinë dhe shërbimin.
 
Familja jonë gjithmonë ka ëndërruar për të pasur një aktivitet privat edhe para viteve 90, por nga ana tjetër nuk e imagjinonim që aktiviteti ynë do të rritej dhe do të zgjerohej kaq shumë, si një nga 200 bizneset më të mëdha në vend. Dhe mos harroni, nuk kemi bërë ndonjë bashkim aktivitetesh me dikë tjetër, vijojmë të jemi një kompani familjare ku katër breza kemi punuar dhe punojmë me përkushtim për të përsosur çdo ditë cilësinë dhe shërbimet tuaja. Dhe ju siguroj se kjo rrugë do të vazhdojë, sepse për ne, përsosmëria nuk është një destinacion, por një udhëtim që nuk mbaron kurrë”, u shpreh Neranxi.
 
Ai u ndal edhe tek vështirësitë që duhet të kalojë një sipërmarrës nëse punon me djersë dhe nuk bëhet klient i pushtetit.
 
Nuk kam nevojë të tregoj shumë histori, ju e mbani mend një vit më parë, ishim në këtë panair, kur forca të shumta policore erdhën të më arrestonin, sepse disa klientë kishin parkuar gabim sipas tyre. Ai incident i shëmtuar i cili siç e dini u mediatizua shumë dhe për të cilin unë kam hedhur në gjyq policinë e shtetit, ishte prova e forcës e shtetit, me një biznesmen rebel që nuk pranoi të ishte as pjesë e tyre, por as t’ju nënshtrohet . Neranxi ishte sipërmarrësi i cili në krye të një shoqate tregtarësh, kishte protestuar për taksat e larta, që kishte çuar ligjin e supergjobave në Kushtetuese dhe e kishte fituar, prandaj i duhej dhënë një mësim i mirë”, tha ai.
 
Instituti i Kulinarisë Neranxi, bashkë me 25 kompani të huaja, do të prezantojë gjatë dy ditëve të panairit një gamë të gjerë të produkteve të kulinarisë. Ndërsa pjesë e traditës janë edhe specialistët e rinj në kuzhinë dhe pastiçeri që shkolla Neranxi diplomon çdo vit.

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)