Po kush e propozoi këtë ligj? Kush ishin kundërshtarët e tij dhe përse u kundërshtua, dhe përse nuk u arrit konsensusi i gjerë politik dhe me grupet e interesit. Anadolu Agency (AA) për tu njohur me këtë situatë dhe me qëndrimet e maxhorancës dhe opozitës politike si dhe shtresës së ish-të përndjekurve politikë ka marrë prononcimet e deputetes së Partisë Socialiste të Shqipërisë, njëkohësisht edhe kryetare e Nënkomisionit parlamentar për të drejtat e njeriut, Vasilika Hysi, nënkryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe njëkohësisht kryetar i grupit Parlamentar të kësaj partie, Edi Paloka si dhe Besim Ndregjonit, kryetar i Unionit Mbarëkombëtar i të Internuarve dhe të Përndjekurve Politikë gjatë regjimit komunist.
“Kush janë risitë që sjell ligji i ri”
Ky nuk është rasti i parë që është tentuar për të kërkuar hapjen e dosjeve të sigurimit të shtetit, por nuk është bërë asnjëherë si proces. Që pas shembjes së regjimit komunist ka patur disa tentativa dhe nisma ligjore. Gjithashtu gjatë tranzicionit janë miratuar disa ligje për “Lustracionin”, por që nuk kanë rezultuar efektiv, pasi edhe janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, siç ishte rasti i vitit 2010.
Vasilika Hysi, deputete e Partisë Socialiste të Shqipërisë, njëkohësisht edhe kryetare e Nënkomisioni parlamentar për të drejtat e njeriut, shprehet për Anadolu Agency (AA) se për 25 vite me radhë shoqëria ka qenë peng e dosjeve të ish- sigurimit të shtetit dhe kjo sipas saj i ka kushtuar vendit. Ajo vlerëson se ligji që u miratua më 30 prill 2015 ka tre risi që janë me interes për publikun.
“Në radhë të parë ligji mundëson hapjen, deklasifikimmin e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit, ku çdo person që është i prekur, persona të tretë apo persona që janë dëmtuar nga sigurimi i shtetit kanë të drejtë të marrin informacion nëse kanë dosje dhe çfarë informacionesh ka për to. E dyta, deri më sot nuk kemi një arkivë ku të jenë të mbledhura të gjitha dokumentet lidhur me ish-sigurimin e shtetit ose dokumentet e ish-Komitetit Qendror të Partisë së Punës dhe do të krijohet arkiva. Ligji mundëson mbledhjen e dokumenteve, mbrojtjen dhe restaurimin tyre dhe dixhitalizminin, sepse është 50 vite diktaturë që ky vend nuk duhet t'i harrojë, është historia, pavarësisht se është e hidhur dhe nuk duhet të harrohet”- shprehet Hysi. Ajo pohon se risia e tretë është mundësua për të bërë kërkime dhe studime historike për periudhën e komunizmit.
Ekspertiza e huaj për ligjin e dosjeve
Ky ligj është bazuar në modelin gjerman dhe ka patur një ekspertizë të zgjeruar nga ekspertë gjerman. Por nuk ka munguar edhe ekspertiza çeke, edhe pse më e limitur.
Deputetja Hysi tregon se ekspertët dhe drejtues të Institutit të Studimeve Totalitare të Çekisë dhe drejtues të arkivave te sigurimit të shtetit në Çeki, kanë vlerësuar ligjin në fjalë dhe sipas saj është vlerësuar si nga ekspertiza gjermane dhe nga ajo çeke, duke argumentuar se është bërë një kombinim i tre elementeve.
Hysi vlerëson se në radhë të parë, elementi i parë është informimi mbi dosjet e ish-sigurimit të shtetit, e dyta sipas saj që ka interes për publik, është pjesa që për funksione të larat në administratën publike, personat që do të emërohen, do të kërkohet informacion, dhe vetë institucioni do të kërkojë informacion për personat që do të emërojë nëse ka bashkëpunuar me ish-sigurimin e shtetit. Ajo kujton edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që sipas saj nuk lejon të bëhet “Lustracioni”.
“Në mendimin e Komisionit të Venecias vlerësohet që është vonë për të vazhduar me lustracionin pas 20 vitesh, pasi si rregull lustracioni bëhet në fillimet e proceseve demokratike të një vendi dhe tashmë kanë kaluar 25 vite të demokracisë, dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e lejon ndërprerjen e mandatit. Por vetë një kandidat për një post mund të kërkoje për dosjen nga autoriteti dhe ai është i detyruar të tërhiqet nga ana morale, por KQZ nuk mund ta pezullojë apo pengojë sepse është votuesi ai që vendos”- vlerëson kryetarja e Nënkomisioni parlamentar për të drejtat e njeriut në Kuvendin e Shqipërisë.
Konsensusi i munguar gjatë tranzicionit
Ligjet e mëparshme për “Lustracionin” kanë qenë objekt shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese dhe vlerësimi edhe nga Komisioni i Venecias dhe organizatave të tjera ndërkombëtare si OSBE, etj. Deputetja Vasilika Hysi e cili për disa vite me radhë ka drejtuar edhe Komitetin Shqiptar të Helsinkut vlerëson se sot nuk mund të ketë dënime kolektive, pasi sipas saj kjo mund të quhej një “luftë e re klasash”.
“Ligjet e mëparshme të ‘Lustracionit’ kanë qenë objekt shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese ku janë gjetur elementët e antikushtetueshmërisë, pasi janë parë si një mënyrë për të bërë ‘gjuetinë e shtrigave’ dhe jo realisht transparencën apo shkëputjen nga e kaluara. OSBE është shprehur kundër projektit të depozituar nga dy kolegët deputetë, por kundër këtij projekti ishte edhe pjesa më e madhe e grupeve të interesit. Sot nuk mund të ketë më dënime kolektive, pasi kjo konsiderohej një ‘luftë e re klasash’. Kolegët e opozitës dhe një pjesë e shoqatave të përndjekurve politike hezitonin për hapjen e dosjeve, pasi ekzistonin dyshime se ka patur persona që janë detyruar të bashkëpunojnë nën presion dhe kërcënime dhe kjo ekziston edhe nga përvoja çeke apo ekspertiza gjermane, që vlerësojnë se mund të ekzistojë, pasi mund të ketë informacion të deformuar në dosjet e sigurimit të shtetit, dhe trashëgimtarëve të bashkëpunëtoreve apo të tjerëve iu njihet e drejta e korrigjimit të dosjes nëse konstatohet që ka patur deformime apo informacione të pa sakta, nëse kanë prova”- u shpreh deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi për AA.
Sipas saj dobia tjetër është aksesi në këto dosje që mund të iu mundësoje familjarëve të personave të zhdukur, atyre që nuk u dihet varri, të marrin informacione për të afërmit e tyre se ku janë varrosur. Hysi shprehet se nuk cenohen të dhënat e persona të tretë që nuk kanë lidhje me kërkesën për informacion
Ligji “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” është kundërshtuar nga opozita e cila nuk e votoi në Parlament.
Edi Paloka, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Shqipërisë pyetjes së AA nëse e plotëson kuadrin e “Lustracinit” ky ligj iu është përgjigjur prerë “Absolutisht jo”. Ai vlerëson se projektligji i paraqitur nga shoqëria civile dhe dorëzuar nga dy deputetët e Kuvendit plotësonte të gjithë kuadrin jo vetëm të kuadrit të atij procesi që quhet hapja e dosjeve, por edhe të procesit të “Lustracionit”.
“Në Parlament kishte dy projektligje, një i përgatitur nga shoqëria civile dhe i paraqitur në Kuvend nga dy deputetë të Kuvendit Shqiptar dhe një nga qeveria. Projektligji i paraqitur nga shoqëria civile plotësonte të gjithë kuadrin jo vetëm të kuadrit të atij procesi që quhet hapja e dosjeve, por edhe të procesit të ‘Lstracionit’, që do të thotë që individë që gjatë regjimit komunist që kanë kryer krime ndaj qytetarëve të vendit të tyre nuk mund të jenë sot pjesë e administratës shqiptare, parlamentit shqiptar apo institucioneve të tjera. Ky ligj u hodh poshtë nga maxhoranca dhe nuk është hera e parë që Partia Socialiste rrëzon projektligje të tilla. Partia Demokratike ka miratuar një ligj për ‘Lustracionin’ dhe u hodh poshtë sapo Partia Socialiste erdhi në pushtet. Ne kemi bërë përsëri tentativa ku PS e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese dhe u rrëzua. Pra kemi një histori 25 vjeçare, ku Partia Demokratike kërkon të bëjë një ligj të tillë për ‘Lustracionin’ dhe Partia Socialiste i rrëzon”- shprehet nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, vlerëson se “pa një reformim të Partisë Socialiste, pa një ndryshim total të ideologjisë së asaj partie dhe vetë strukturave të saj nuk mund të ketë konsensus lidhur me këtë ligj pasi praktikisht sot ne në Parlament kemi bijtë fizik, jo ideologjik të i ish--persekutorve të djeshëm. Nuk e di si mund të miratojnë ata një ligj që të dënojë baballarët e tyre, kjo është e kuptueshme, por edhe si ideologji. Kemi parë gjatë këtyre dy viteve të fundit që Partia Socialiste është në pushtet të shfaqet portreti i ish-diktatorit në aktivitetet zyrtare më shumë se sa është shfaqur në këto 20 vite. Dhe si mund të arrijmë të bëjmë dekomunistizimin e vendit apo të kemi një ligj të ‘Lustracionit’ kur ata që janë sot pushtet nuk e kanë ndërmend ta bëjnë një gjë të tillë”
Ligji i miratuar tre ditë më parë nga Kuvendi është kundërshtuar edhe nga shoqatat e ish-të përndjekurve politikë gjatë regjimit komunist, dhe sipas tyre ligji nuk i shërben atij grupi që duhet ti shërbejë dhe i largohet procesit të “Lustracionit”.
Besim Ndregjoni, kryetar i Unionit Mbarëkombëtar i të Internuarve dhe të Përndjekurve Politikë në një intervistë për AA shprehet se përveç Shqipërisë krimet e komunizmit janë dënuar në të gjithë Europën Lindore.
“Ajo që qeveria ka bërë për hapjen e dosjeve është një demagogji. Ata thonë se i janë referuar modelit gjerman për hapjen e tyre, por modeli gjerman nuk lejon as mësuesin të japë mësim në një shkollë demokratike nëse ka qen bashkëpunëtor i regjimit. Ligji i dosjeve tek ne nuk penalizon asnjë prokuror, hetues apo gjykatës apo zyrtarë të lartë i cili ka marrë pjesë drejtpërdrejt në kryerjen apo ekzekutimin e një krimi në atë kohë. Hapja e dosjeve nuk është problem për ne, por për brezin e ri që ky krim të mos përsëritet më. Krimet nuk mbarojnë tek spiunimi, por fillojnë tek ai dhe përfundojnë në një sistem të tërë që ishte kthyer në një makineri apo ideologji shfarosëse. Pa u ballafaquar historia e krimeve komuniste me drejtësinë dhe pa u dënuar ato krime, Shqipëria nuk mund të ndërtojë një demokraci” shprehet Ndregjoni.
Kujtojmë se pas një debati mes deputetësh të forcave të ndryshme politike, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin e shumë debatuar për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit të regjimit komunist, më 30 prill 2015, i emërtuar si projektligji “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, ku është miratuar me 84 pro dhe 22 kundër.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)