TIRANE-Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur Presidentit Ilir Meta dhe opozitës së drejtuar nga PD-ja pas akuzave për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve.

Kreu i qeverisë shprehet se hapja e listave është dëshirë e popullit, ndërsa thotë se opozita, nuk duhet të merakoset për koalicionet sepse nuk i ndalon askush që të jenë bashkë në ombrellën e opozitës së bashkuar, pra si në rastin e 2017. Në fund Edi Rama paralajmëron opozitën se sharjet dhe provokimet rrezikojnë paktin e 5 Qershorit.

"As Jashtëparlamentarja, as Presidencialja s'duhet tê merakosen për fatin e koalicioneve parazgjedhore, sepse askush nuk do t'i ndalojë të vazhdojnë ta ndajnë ombrellën e opozitës së bashkuar edhe në zgjedhje! Taksirat ta ndjekin parlamentin që e duan s'e duan është vendimmarrësi!

Presidenciales i kujtoj se Kuvendi është sovran, i dëgjon të gjithë po vendos vetë! Dhe hapja e listave për t'i dhënë mundësi edhe qytetarëve e jo vetëm kryetarëve të zgjedhin deputetë, si dhe garantimi i përfaqësimit të grave në kushtet kur listat hapen, i bëjnë mirë vendit...

Shoh agjitim në radhët e opozitēs jashtëparlametare dhe asaj presidenciale për hapin e hedhur sot në Kuvend drejt hapjes së listave! Jashtëparlamentares i kujtoj se kemi një marrëveshje e do ta zbatojmë në çdo pikë, po kjo s'do të thotë që sharjet e provokimet nuk e rrezikojnë.." shkruan Edi Rama.

Presidenti Ilir Meta e cilësoi si marrëzi, fundi i së cilës dihet qartë, miratimin e ndryshimeve Kushtetuese për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Për ndryshimet Kushtetuese duhen 94 vota, por Ilir Meta u shpreh se Kuvendi ka vetëm 82 deputetë legjitime, teksa të tjerët nuk i njeh.

Por qëndrimi i Presidentit në këtë rast është me dy standarde, pasi në momentin që kërkon miratimin e draftit të 5 qershorit, që do 84 vota e njeh si legjitim Kuvendin, ndërsa për ndryshimet Kushtetuese nuk mendon njëlloj.

Ndërkohë që opozita përmes një deklarate të përbashkët u shpreh se i bindet vetëm vendimeve që marrin qytetarët dhe jo interesave kriminale të pushtetit personal të Edi Ramës duke mos i njohur ndryshimet.