Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, të pranojë tragjedinë e ndodhur në Kosovë dhe të shpëtojë popullin e vet nga e kaluara. Duke reaguar për herë të parë lidhur me arrestimin e zyrtarit serb, Marko Gjuriç, Haradinaj paralajmëroi serbët të mos testojnë pa fund durimin e askujt.
“Vuçiç të marrë guximin dhe të shpëtojë popullin e vet nga e kaluara, të pranojë tragjedinë që ka ndodhur në Kosovë. Disa vendime janë të pashmangshme, është në interes të të gjithëve të ecim përpara. Të mos testohet pa fund durimi i askujt”, tha Haradinaj.
Në fund të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, kryeministri i Kosovës deklaroi se nuk do të japë dorëheqjen pas largimit të Listës Serbe.
“Parlamenti është i përbërë prej shumë grupeve parlamentare. Lista Serbe është partner. Kemi pas partneritet të mirëfilltë. Veprimi i djeshëm s’ishte i drejtuar kundër serbëve të Kosovës e as komunitetit politik në Kosovë, pos për ata që kanë shkelur ligjin. Është procedurë standarde. Është e pakuptueshme marrja e këtij vendimi, sepse është zbatuar ligji. Ka pas rast kur në emër të ligjit janë tërhequr zvarrë liderë. Dorëheqje s’e kam plan me dhënë. Do të vazhdoj punën. Nuk kam fjalë për ata që hyjnë e dalin. Mendoj se ky vendim nuk është në interes të serbëve në Kosovë. Vetëm në institucione, në udhëheqje, mund të avancohen interesat e serbëve në Kosovë. Shpresoj që ky vendim të tërhiqet”, deklaroi Haradinaj.
Ai ka thënë se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë është vlerësuar se gjendja e sigurisë në vend është e qetë dhe stabile. Ai ka thënë se arrestimi i Marko Gjuriçit nuk ishte i këndshëm, por ishte zbatim i ligjit. Ai e ka quajtur të ngutshëm deklaratën e Listës Serbe se do të themelohet njëanshëm Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.
“Mendoj se është një paralajmërim i ngutshëm i tyre dhe i dëmshëm. I pamë dje se kur nuk ka diskutim të mirëfilltë deri ku munden të shkojnë zhvillimet. Nuk është mirë të testohet pakufi durimi i askujt. Në tavolinë na ka hije për biseda. I kemi bërë lutje qytetarëve serbë të veriut që të mos vijë atë ditë. Le të vijë një ditë më vonë se kalon ndalesa, por nëse ka menduar ashtu le të dinë të gjithë se janë procedura që respektohen gjithmonë”, shtoi Haradinaj.