Policia e Kosovës ka arrestuar dhe pas marrjes në pyetje ka dëbuar shefin e së ashtuquajturës Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriç, i cili kishte hyrë ilegalisht sot në në Veri të vendit.

Mediat në Kosovë raportojnë se pas arrestimit të Gjuriçit janë dëgjuar krisma armësh, sirena të policisë dhe të ambulancave.

Ndërkohë Policia e Kosovës pas arrestimit, e transportoi Gjuriçin të prangosur drejt Prishtinës.

Autoblindat e Policisë së Kosovës, të cilat ishin parkuar tek Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në jug të Mitrovicës, u nisën në drejtim të veriut të Mitrovicës.

Gjuriç teksa shoqërohet në mes të Prishtinës nga Policia

ROSU-ja ka thyer bllokadën e parë dhe nga jugu kaloi në veri të Mitrovicës, ku mësohet se u arrestua Marko Gjuriçi.

Pas arrestimit sot pasdite në Mitrovicë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç u mor në pyetje në Prishtinë dhe më pas u deportua në Serbi.

Lidhur me këtë ngjarje, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, njoftoi aleatin e tij rus, Vladimir Putin.

Për arrestimin e Marko Gjuriç reaguoi edhe Bashkimi Evropian.

Përmes zëdhënëses Maja Koçijançiç, BE bën thirrje për autoritetet e të dyja vendeve, që të tregojnë përmbajtjen dhe maturinë e nevojshme në mënyrë që situata në terren në Kosovë të mos përshkallëzohet edhe më tej.

“Të gjitha çështjet e shqetësimit të dyanshëm duhet të adresohen brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE, i cili synimin përfundimtar ka normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Koçijançiç.

Ajo shtoi se BE “shpreh keqardhje për ngjarjet e sotme, të cilat shkojnë në të kundërtën e normalizimit të marrëdhënieve”.

Ne presim që edhe Serbia, e cila është në bisedime për anëtarësim në BE, edhe Kosova, e cila është në proces të zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asocimin, t’i respektojnë në tërësi, në letër dhe frymë, marrëveshjet e arritura ndërmjet tyre në dialog”, tha Maja Koçijançiç.