Edhe pse Tirana nuk futet në mesin e 15 bashkive që synohet të shkrihen, kufijtë e saj territorialë me hartën e re të propozuar nga socialistët do të ndryshojnë.
Kryeqytetit, propozohet t’i bashkohet Rinasi që i përket bashkisë Krujë duke krijuar një njësi të re administrative bashkë me Bërxullën dhe Domjen që aktualisht i përkasin Vorës, në bashkinë më të madhe të vendit.
Për këto ndryshime, PD, që nga ana tjetër ka kërkuar bashki më të vogla, i kërkon Këshillit Bashkiak të Tiranës të nisë menjëherë dëgjesat me qytetarët.
“Sapo kam depozituar në emër të gjithë këshilltarëve të opozitës një kërkesë për zhvillimin e 30 dëgjesave publike në bashkinë e Tiranës, në kudër të diskutimeve që po kryhen në bazë të Reformës Territoriale. A është kjo ndarja e duhur sa i përket mirëfunksionimit. Të gjithë duhet të zhvishemi nga emocionet politike dhe të pyesim qytetarët çfarë hallesh kanë dhe çfarë presin nga pushteti vendor. Bashkia e Tiranës ka 24 njësi dhe asnjëra prej tyre nuk është e njëjtë me njëra-tjetrën. Tirana e 2026 është ndryshe nga ajo e 2014-ës, por problemet janë shtuar. Nëse kjo gjë nuk kryhet, atëherë mazhoranca socialiste në Këshillin Bashkiak nuk ka vullnetin për të diskutuar për problemet e qytetarëve, por kanë vetëm kartonin për të votuar. Le të shkojmë të qytetarët me 30 dëgjesa, të bëjmë transparencë për çfarë ka nevojë qytetari. Mjaft me urdhra politikë”, tha Teliti.
Ndërkohë në 15 bashkitë që propozohet të shkrihen dëgjesat me qytetarët kanë nisur. Këtë të martë, u zhvilluan në Xibër të Klosit, banorët e të cilës të irrituar u shprehën kundër bashkimit me Matin.
Sali Muça: Sot jemi mbledh për një problem shumë të rëndësishëm. I them Edi Ramës, ku po e çon Shqipërinë. Ku po shkon Shqipëria, këtu ka qenë një spital dhe tani nuk ka më. Jemi 40 km larg veç për një letër. Unë nuk jam dakord që të bashkohemi me Burrelin.
Abdulla Diku: Kjo reforma territoriale duket sikur po ndan shtete, jo bashki.
Ndërsa në Divjakë, protesta kundër bashkimit me Lushnjën u mbajt për të 25 ditë me radhë.
Banorët e Divjakës dolën sërish mbrëmjen e djeshme në protestë, për të kundërshtuar propozimin e PS për hartën e re territoriale, ku parashikohet shkrirja e bashkisë së Divjakës me atë të Lushnjës.
Në protestën e 25-të pavarësisht numrit të ulët, protestuesit ripërsëritën kërkesat e tyre, ku kërkuan nga sheshi që institucioni të mos shkrihet, siç e parashikon projekti i Reformës Administrative.
“Duke mbrojtur Divjakën, mbroni familjet dhe shtëpitë tuaja”, tha një banor.
“Secili prej nesh duhet ta ngrejë zërin këtu. duhet të vini të gjithë këtu, sepse sot Divjaka ka nevojë për ne”, tha një tjetër.
Në fund si çdo natë protesta u mbyll me marshimin në rrugët e qytetit, me thirrje ndaj pushtetarëve për të mos e shkrirë bashkinë Divjakë.










Komente
Komento