Në intervistën për Report Tv, Gazment Bardhi thotë se Reforma Territoriale do të jetë në krye të axhendës së PD-së në Parlament. Ai shprehet kundër propozimit socialist, duke thënë se nuk reflekton nevojat e qytetarëve për shërbime më afër tyre.
“Nuk kemi votë për projektligjin që ka propozuar mazhoranca. Është depozituar në kundërshtim me ligjin, ky proces konsultimi është duke u kryer në këto momente si fasadë, duhet të rikthehemi te nevoja për reformë reale territoriale, ne kemi një projekt që gjykojmë që është më i miri, do nisim konsultimet me qytetarët dhe në përfundim do të kemi edhe zyrtarizim të iniciativës sonë. Kërkesat e legjislacionit europian kërkojnë që zëri i komunitetit të dëgjohet. Mendimi i popullatës të jetë përcaktues. Pres reflektim, deputetët që duhet të jenë zëdhënës të qytetarëve”, thekson Bardhi.
Por, pavarësisht fatit të Reformës Territoriale, Bardhi i kërkon PD-së që të jetë e përgatitur për zgjedhjet e ardhshme lokale, duke nxjerrë kandidatët e saj brenda muajit nëntor.
“Gjykoj se duhet të nisim menjëherë përgatitjet për zgjedhjet lokale. Në vlerësimin tim, kandidatët duhet të paraqiten shumë më shpejt nga sa kemi vepruar më parë. Mundësisht, brenda shtatorit e tetorit të kemi të plotë listën e kandidatëve. Nuk ka rëndësi me primare apo pa primare, e rëndësishme është që të kemi kandidatë me reputacion që gëzojnë mbështetje jo vetëm nga demokratët, por edhe më gjerë nga qytetarët”, thotë Bardhi.
Lajmi kryesor:
Ekskluzive/ Nisja e sesionit të ri Parlamentar, Bardhi për Report Tv: Jo bojkot por përballje! Votë kundër propozimit të PS për pagat e gjyqtarëve








