Hashim Thaçi: Janë gjepura
krahasimet e Kosovës me Krimenë

Hashim Thaçi: Janë gjepura<br />krahasimet e Kosovës me Krimenë
PRISHTINE - Aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe ndarja e Kosovës nga Serbia nuk mund të krahasohen “në asnjë rrethanë” dhe se përpjekjet e fundit për të tërhequr paralele mes tyre janë të “paqëndrueshme”, thotë Kryeministri i Kosovës, një aktor kyç në bisedimet që përfunduan Luftën e Kosovës dhe që nënshkroi deklaratën e Kosovës për pavarësi nga Serbia në cilësinë e tij si kryeministër, në një intervistë për Business New Europe.
 
Hashim Thaçi, ish-udhëheqës i gueriles, po ashtu hedh poshtë pretendimet se dikur ai ishte udhëheqës i një bande kriminale që ishte e përfshirë në trafikimit me organe njerëzore duke i quajtur si gjepura dhe “fantazi shkencore” dhe ‘rishkrim i historisë’ dhe po ashtu premtoi përmirësime të mëtejme në mjedisin afarist, ku shteti ka një rol më të vogël në ekonomi dhe ku angazhohet në luftë të vazhdueshme kundër korrupsionit të përhapur gjithandej.
 
Thaçi, duke folur në një intervistë me tema të ndryshme për BNE, tha se nuk ekzistojnë krahasime “ligjore, politike apo historike” me bashkimin e Krimesë me Rusinë më 18 mars.
 
“Në asnjë rrethanë nuk mund të krahasohen rastet e Kosovës dhe Krimesë”, tha Thaçi në një intervistë që u mbajt në selinë qendrore të Qeverisë në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, pak kohë pasi Vladimir Putini ulej për ta pranuar Krimenë në Federatën Ruse.
 
“As në aspektin ligjor, politik ose historik. Ne nuk i kemi ndryshuar kufijtë, ne i kishim kufijtë tanë më herët. Kosova është krijuar pas gjenocidit të kryer nga Serbia, pasi Serbia largoi me forcë një milion qytetarë nga Kosova. Pas intervenimit humanitar të NATO-s, pas bisedimeve paqësore në Rambuje, por po ashtu edhe nga dialogu që ka kulmuar [me një marrëveshje] edhe mes SHBA-të dhe Rusinë,” tha ai. Kjo do të thotë se pavarësia e Kosovës është krijuar pas negociatave që u mbajtën pas luftës. Andaj, krahasimet mes Kosovës dhe Krimesë nuk janë aspak të qëndrueshme".
 
Përdorimi i fjalës “gjenocid” nga Thaçi dhe shumë argumente të tij do të hidheshin poshtë nga shumica e serbëve dhe padyshim edhe nga qeveria e Rusisë, mes tjerash. Por, Kryeministri i Kosovës është i paluhatshëm në vendosmërinë e tij për të hedhur poshtë sugjerimet se pavarësia e vendit të tij, ende e kontestuar nga Serbia, dhe e panjohur nga afër 90 vende dhe e bllokuar në nivel të OKB-së, kryesisht falë Moskës, ka vënë precedent për Krimenë. Ai qartazi shton se Rusia ka një popullatë substanciale joruse.
 
Thaçi ishte udhëheqës i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që luftoi autoritetet jugosllave (në të vërtetë serbe) në të nëntëdhjetat. Korrespondenti për Ballkanin Tim Judah thotë se organizata e cila më vonë gjatë dekadës fitoi përkrahjen nga perëndimi ishte “një nga lëvizjet më të suksesshme guerile në historinë moderne”. Për të tjerët, ishte një organizatë terroriste e financuar nga përkrahësit e huaj dhe aktivitetet e liga.
 
Thaçi u shfaq si figura më e fuqishme në vitin 1999, përderisa fushata bombarduese e NATO-s çoi me forcë tek një marrëveshje paqeje që i la shqiptarët etnikë, e në veçanti UÇK-në, dominues në krahinë. Ai u bë kryeministër për herë të dytë në janar të vitit 2008 dhe vetëm një muaj më vonë Kosova shpalli pavarësinë me mbështetje të SHBA-ve dhe disa nga shteteve kryesore anëtare të BE-së.
 
UÇK ishte prapë në qendër të vëmendjes në mars, pas daljes së raporteve se bashkësia ndërkombëtare dëshiron të themelojë një tribunal të veçantë jashtë Kosovës për të hetuar krimet e luftës që pretendohet se janë kryer nga UÇK-ja. Këto padyshim se do të përfshinin edhe pretendimet e bëra nga senatori zviceran Dick Marty në një raport për Këshillin e Evropës të thotë se Thaçi ka udhëhequr një rreth të krimit të organizuar që ishte përgjegjës për trafikim me organe njerëzore, mes shumë krimeve të tjera.
 
Por, Kryeministri fuqishëm ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj këtyre pretendimeve dhe gatishmërinë e Kosovës për të bashkëpunuar me hetuesit ndërkombëtarë. “Pretendimet nga Dick Marty janë trillime shkencore,” thotë ai. “Ato kanë shkaktuar dëme anësore për Kosovën dhe qëllimi ka qenë që të rishkruhet historia. Ne s’kemi asgjë për të fshehur. Ne besojmë në drejtësi dhe në të vërtetën. Ne u kemi ofruar mbështetje të plotë hetuesve – Qeveria e Kosovës ka bashkëpunuar ngushtë me ta. Ne besojmë se këto hetime do të përmbyllen sa më shpejt. Kosova është një shembull i mirë i bashkëpunimit me Hagën."
 
Shtathedhur, pa kravatë, Thaçi, që fliste pas një konferencë të Bankës Evropiane për Investime të mbajtur në Prishtinë, pasqyronte qëndrimin e një personi të relaksuar në krahasim me shumë kolegë të tij të zymtë evropianë. Kritikët sugjerojnë se Kosova është ekonomikisht e prapambetur dhe se ka problem serioz me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Paga mesatare është pak më e lartë se €360 në muaj, sipas shifrave zyrtare. Transparency International e radhit vendin si të 111-tin me radhë sipas perceptimeve të korrupsionit dhe pa dyshim se është shumë vite larg nga anëtarësimi në BE.
 
Megjithatë, Thaçi bindshëm thekson një imazh të një ekonomie të lirë të tregut dhe një vend evropian që ka bërë përparim të madh në shërimin e plagëve të luftës, duke tejkaluar ndarjet e thella etnike dhe duke ecur drejt njohjes ndërkombëtare. “Qëllimi im është të forcohet ekonomia,” thotë ai. “Ne kemi një cak për rritë ekonomike prej 4% [për vitin 2014, që është e lartë sipas standardeve evropiane], ne kemi një sistem stabil bankar. Investime të ndryshme të huaja janë duke u bërë në vend nga shtetet anëtare të BE-së, madje edhe nga India e Kina. Dëshirojmë të bëjmë më shumë në këtë drejtim, për të krijuar kushte të favorshme për investime, në të njëjtën kohë duke krijuar kushte të përshtatshme për sektorin e bizneseve të vogla dhe të mesme.” Për këtë të fundit do të ketë së shpejti një fond investues prej 1 miliardë dollarësh për kredi me kamata të ulëta për bizneset e vogla, të financuar nga asetet që Kosova i ka jashtë vendit.
 
Privatizimi dhe fuqizimi i sektorit privat do të jenë në qendër të liberalizimit të ardhshëm dhe ai dëshiron të shoh më pak ndërhyrje politike në ekonomi. “Legjislacioni është i duhuri por ne na duhet të punojmë në ndryshimin e mentalitetit - mentalitetit të ekonomisë së centralizuar”, thotë për BNE.
 
Provat e fundit tregojnë se rruga përpara është shumë e gjatë. Hiq më larg se në janar, privatizimi i nevojshëm mundësisht i leverdishëm por kundërthënës i kompanisë së telekomunikimeve PTK dështoi; kritikët thonë se ishte i strukturuar dobët dhe se i mungonte transparenca. Megjithatë, Thaçi insiston se procesi i privatizimit është i pavarur dhe i themeluar nga bashkësia ndërkombëtare dhe argumenton se vendi përfiton nga trashëgimia dhe ndikimi i udhëheqjes ndërkombëtare që nga viti 1999 në një varg fushash, përfshirë sistemin e tij ligjor dhe luftën kundër korrupsionit.
 
“Sistemi në Kosovë gjatë 15 vjetëve të fundit është udhëhequr nga bashkësia ndërkombëtare, pa ndikime politike, është i pavarur, efektiv, një kohë i udhëhequr nga OKB-ja dhe tash i udhëhequr nga EULEX, ka bërë punë të mirë".
 
EULEX, Misioni i BE-së në fushën e sundimit të ligjit që e ka përgjegjësinë për korrupsion të nivelit të lartë, në fakt, është kritikuar shumë dhe mandati i tij përfundon më vonë gjatë këtij viti, kur do të marrë një rol më shumë këshillues. Thaçi thotë se autoritetet e Kosovës janë të gatshme të marrin përsipër përgjegjësitë pasi që – “kjo betejë duhet të luftohet nga ne dhe duhet të fitohet nga ne, jam i vendosur të vazhdoj dhe nuk ka forcë që do të më ndalë në këtë drejtim". Më 14 mars, Balkan Insight raportoi se prokurorët e shtetit kishin ngritur afër 200 aktakuza për korrupsion që nga nëntori në një përpjekje për ta trajtuar këtë problem.
 
Kapacitetet administrative dhe vullneti zyrtar për të luftuar ryshfetin në terren njihen si të dobëta në mbarë rajonin. Në raportin e fundit për progresin në Kosovë, Komisioni Evropian tha se “korniza legjislative kundër korrupsionit është kryesisht e themeluar,” porse “çështja kryesore shqetësuese mbetet zbatimi i kornizave ligjore dhe i politikave".
 
Në prill të vitit të kaluar, me lehtësim të BE-së Thaçi nënshkroi një marrëveshje, që është pikë kthese, me Kryeministrin serb Ivica Dacic, që dikur ishte zëdhënës i Slobodan Milosevicit në një marrëveshje që ngjasonte me atë të Niksonit me Kinën ose të paktën atë të McGuinness-dhe-Paisley. Marrëveshja synon të trasojë rrugën që Prishtina në mënyrë efektive të marrë kontrollin mbi tërë territorin – dhe që Kosova të fillojë bisedimet për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) me BE-në, hapi i parë drejt anëtarësimit në këtë bllok. Serbia ka filluar negociatat për anëtarësim të plotë në janar. Marrëveshja është parë si hap i rëndësishëm për një person që ka bërë emër duke luftuar serbët dhe Thaçi është plot gjallëri kur flet për integrimin e serbëve të Kosovës – që dikur ishin armiq të tij. Ekzistojnë rreth 120,000 serbë në Kosovë, rreth një e treta e tyre në katër komunat veriore në të cilat qeverisja e Prishtinës ende kundërshtohet fuqishëm; zgjedhjet lokale atje të mbajtura në nëntor janë bojkotuar me të madhe, megjithëse zyrtarë nga qeveria e Beogradit i kishin inkurajuar (nganjëherë edhe i kishin lajkatuar) serbët që të votojnë.
 
Thaçi argumenton se Prishtina e ka “thyer ajsbergun e bojkotit dhe e ka hequr frikën e integrimit” dhe radhit një varg suksesesh që nga marrëveshja e prillit: që zgjedhjet janë mbajtur në mbarë territorin e Kosovës për herë të parë, që kanë çuar te zgjedhja e katër kryetarëve në veri; 300 serbë i janë bashkuar forcës policore në veri nën një shef serb të policisë; doganierët e Kosovës janë në kufi, është shënuar përparim në sistemin e drejtësisë.
 
"Çfarëdo që i bën ata [serbët] të ndihen më mirë, të kenë jetë më komfore ne do ta realizojmë,” thotë ai. “Kam besim të plotë në integrim. Ai sjell edhe vështirësi dhe sfida por ne do të kemi sukses. Pas pesë deri në shtatë vjet, temat që po i diskutojmë tash do të jenë [konsiderohen] qesharake. Kufijtë do të jenë të hapur dhe do ta humbasin kuptimin që e kanë tash për njerëzit e Ballkanit dhe ne do ta kemi një rajon të bazuar në modelin evropian".
 
Kryeministri karizmatik i Kosovës tingëllon bindës, dhe siç vlerësojnë udhëheqës të tjerë ndërkombëtarë dhe shumë kosovarë – ai duket se ka të ngjarë të rizgjidhet në zgjedhjet e ardhshme, në mungesë të ndonjë rivali që gëzon respekt të ngjashëm, përkundër buçimave nacionaliste për fillimin e bisedimeve me Serbinë.
 
Shëmbëlltyra e Thaçit për vendin e tij duket se nuk e vëren faktin se ai ende është i ndarë, mjaft i varfër dhe joproduktiv dhe i administruar dobët. Dhe sjellja e tij gjeniale bie ndesh me postin e tij si një figurë shumë kundërthënëse në rajon dhe më tej. Por, ish guerili e pranon se ende ka sfida të rëndësishme politike para vetes.
 
“Vizioni im është të jem pjesë e BE-së, NATO-s dhe OKB-së. Kjo është një rrugë plot vështirësi por është e vetmja rrugë për ta ndjekur. Është një proces sfidues, fizik"!
 
Marrë nga Telegrafi
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë