Havzi Nela në '75: Komunizmi? 
Kolektivizim me dhunë, jetë e varfë

Havzi Nela në '75: Komunizmi? <br />Kolektivizim me dhunë, jetë e varfë
Pjesë nga libri në proces botimi/ Dosja hetimore…Çfarë tha poeti në hetuesi gjatë marrjes në pyetje nga hetuesi Shaban Dani, në Rrëshen më 3 korrik 1975 për sistemim komunist në Shqipëri?

(Vijon nga dje…)

***
Dosja hetimore 9912/3-A (Viti 1975), prej 39 faqesh për të pandehurin Havzi Shaban Nela.
Procedurat hetimore fillojnë me 30 maj 1975 dhe përfundojnë me 15 korrik të po atij viti. 
Më parë se të niste çeshtja në ngarkim të H. Nelës ishte parapërgatitë terreni. 
N’atë lojë makabre, punëtori operativ Fejzi Liçi, në përgjim dhe përndjekje të H. Nelës, aty brenda zgafellës gjen dhe ve në lëvizje bashkëvuajtës me H. Nelën, raportues me dëshirë apo jo, ndoshta të nxitur me premtimin për ulje dënimi, a diçka tjetër që tash njëfarësoj mund ta marrim me mend. Por edhe njerëz të lëkundër, natyrisht. Para se të niste procedimi hetimor asgjë nuk dimë më tepër për lojën që u përdor, rrethanat, etj, etj. Veçse mësojmë në fillimin e çeshtjes penale “Se i quajturi Havzi Shaban Nela, duke qenë i ridënuar në kampin e riedukimit 303, Spaç, ka agjituar e propaganduar ndër të dënuar për minimin e dobësimin e pushtetit tonë popullor, krim ky që parashikohet në bazë të nenit 73/I-rë i K. P.
Me nisjen dhe gjatë procedurave hetimore mësojmë shumë e shumë gjëra, që nga marrja në pyetje e H. Nelës, rrëfimet e dëshmitarëve. 
Situata që shpalohet është e rëndë, krejt e padashur, që ia shton më tepër zymtinë qelisë ku luhej skena.
Bashkëvuajtës me H. Nelën duhet të vijnë e të rirrëfejnë çka kish thënë H. Nela, anipse kishin rrëfyer më parë te operativi i kamp - burgut. Regjimi rrekej të baltoste çdokënd, të hidhte të vuajturit nëpër kampe kundër njëri - tjetrit. E natyrisht, mes të vuajturish gjendeshin edhe njerëz të lëkundur, të paqendrueshëm, sa të raportonin edhe shokun e tyre të vuajtjes.
Tashmë skena ku do luhej drama e H. Nelës është e gatshme. Regjisori ka përgatitur lojësit (aktorët) dhe pritet vetëm shfaqja e dramës. Të gjithë lojësit e dramës (përveç H. Nelës për të cilin luhej drama), do jenë të kënaqur me realizimin deri n’imti të pjesëve të saj. 
Por gjatë vënies së dramës në skenë, shpesh prishet rrjedha e dramës. H. Nela pranon të merret në pyetje nga hetuesi, shpreh prap mospajtimet dhe kundërshtimet e veta të hapta me regjimin, siç pranon gjithashtu ato ç’u kish thënë raportuesve, që e kishin kallëzuar, por gjithashtu kundërshton shtesat në dëshmitë e tyre, teksa ka pranuar t’i lexohen ato.
Megjithatë, i le raportuesit e tij në shenjtërinë e tyre të rreme dhe nuk pranon ballafaqimin me 4 prej tyre:

“Nuk pranoj në asnjë mënyrë të ballafaqohem me ta dhe në rast se do të më detyrojnë me më ballafaque në hetuesi me këto persona, unë do të bëj skandal dhe nuk u përgjigjem fare thënkave të tyre, se ata janë njerëz pa dinjitet për mua”. 

Ndërsa në vitin 1975 afërmendsh se u gjendën 6 vetë jo sojtarë prej bashkëvuajtësve me H. Nelën, ta raportonin se ç’fliste ai, tek shfaqte haptas mendimet kundër regjimit, qindra e qindra bashkëvuajtës të tjerë u munduan ta ruanin atë, t’i përkrahin mendimet e tij, siç ua përkrahte ai mendimet e tyre n’atë kohë të vrazhdë. Kësisoj, në rrëfimet e shumë ish - bashkëvuajtësve, si P. Arbnori, U. Kalakula, V. Zhiti, I. Dida, F. Kupi, B. Çoku, A. Musta, P. Doçi, etj., shpalohet dhe zbërthehet më së miri kodi i komunikimit të H. Nelës.

***
Hetuesi përballë H. Nelës në ditën e parë të marrjes në pyetje.
Them “Hetuesi përballë H. Nelës”, sepse është H. Nela ai që dikton idetë e veta, sa mund të thuhet se krejt dhoma e hetuesisë mbushet me avullnajën e fjalëve të tij.
S’ka kurrfarë dyluftimi, sepse hetuesi vetëm e pyet H. Nelën dhe s’është në gjendje ta kundërshtojë atë n’asnjë rast. 
Një hetues i zbehtë, anemik dhe afërmendsh që mund të ketë pasë marrje të shpeshtë fryme. Një përballje e frikshme, gati - gati e papërfytyrueshme për të, pasi përballësi i qetë i del prap aty ku s’e pret: po mbronte të njëjtat pikëpamje që ua kish shfaqë edhe dëshmitarëve. Tani, n’atë përballje, të ngjan se H. Nelës po i drejtohen pyetje si në një studio televizive prej gazetarit që shkon me pyetje të gatshme dhe me frikën e skajme se po ngatërron radhën e pyetjeve, ndërsa ai, i qetë dhe tepër komod që po i jepej mundësia të përcillte mendimet e veta dhe bash për atë, sikur merr një grimë butësi, drita e syve sikur i çelet më tepër.
H. Nela ngre të njëjtat çeshtje që i ngriti në katundin Shishtavec (20 prill 1967), në mbledhjen e arsimtarëve të zonës, kur reagoi ndaj futjes në kooperativën bujqësore, prishjen e kishave dhe xhamive, ndërrimin e veshjes: “... Populli asht i sëmurë, tri gjylpana menjiherë nuk e shërojnë, por e shkatërrojnë. Mungon edhe fjala e lirë dhe shtypi i lirë për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut... ”).
Por tani, qerthulli i ideve të veta është më i plotë them se njerëzit në këto vende kanë liri të plotë, se atje edhe sikur të bëjnë demonstrata e kërkesa me karakter politik, ekonomik nuk i dënon njeri, ndërsa këtu është ndryshe.

*** 

Proces - verbal
Në qytetin e Rrëshenit, me datën 3 korrik 1975
Unë, Shaban Dani, hetues në degën e P. mbrendshme, Mirditë, mora në pyetje të pandehurin Havzi Nela.

PYETJE: Na tregoni i pandehur Havzi se çfarë pikëpamjesh keni lidhur me sistemin socialist në vendin tonë?…
Përsa i përket kolektivizimit të bujqësisë unë kam mendimin se është shpejtuar në zonën e malësisë, se atje është përdorur forca për t’i futur njerëzit në kolektivizim kur ata kanë kundërshtuar. Këtë e them se nuk ishte pregatitur ideologjikisht fshatari për ta kuptuar se çfarë është kolektivizimi dhe nuk kishte kushte ekonomike për t’u kolektivizuar, se vendi është i thyer, nuk mund të futet teknika moderne, fshatrat janë shumë të shpërndara e njerëzit humbasin kohë duke udhëtuar.
Përsa i përket rinisë, them ajo duhet të jetë më e lirë në drejtim të veshjes, të gustos së jetesës e mos t’i diktohet si të vishet e të qethet, por jam edhe me atë që të mos rrëshqasë nga tabani kombëtar i saj. Me kujtohet se në një rast pashë në një gazetë se në një uzinë, organizata e rinisë kritikonte një të ri për lënje të flokut të gjatë, më dukesh se nuk duhesh të ndërhyhesh deri atje për këtë çeshtje.
Përsa i përket standardit të jetesës, unë them se standard të mirë jetese kanë popujt e vendeve të Perëndimit si Amerika, Gjermania, Suedia, Franca e të tjera, këtë e them se njerëzit atje janë në gjendje të blejnë sende me vlerë të madhe si televizor, automobila e sende të tjera e bëjnë një jetë me të vërtetë luksoze e shëtisin nëpër vendet e tjera të botës. Po kështu, them se njerëzit në këto vende kanë liri të plotë, se atje edhe sikur të bëjnë demonstrata e kërkesa me karakter politik, ekonomik nuk i dënon njeri, ndërsa këtu është ndryshe. Gjithashtu atje njerëzit janë të lirë të shkojnë nga një vend në tjetrin pa ndonjë kufizim. Këtë e lidh edhe me atë se në Amerikë, një president zgjidhet me afat vetëm për 4 vjet, se atë mundet ta kritikojë cilido e nuk i thonë asnjë fjalë. Bile atë e nxorën edhe para gjyqit. Kësaj i thonë demokraci shumë e lartë për mendimin tim. 
Të gjitha këto konkluzione e mendime unë i nxjerr nga studimet që kam bërë në literaturë që del në vendin tonë dhe në shtypin e përditshëm.

PYETJE:  Na trego, i pandehuri Havzi Nela, se me cilët persona i ke biseduar këto pikëpamje tuajat në kampin e Spaçit?
PËRGJIGJE:
Unë mundet t’i kem shprehur me ndonjë person në kamp këto mendime kur ka rënë rasti sepse nuk jam ruajtur për këtë punë, se për vete nuk i konsideroj agjitacion e propagandë për kundër pushteti, por personat konkretisht se me cilin mundet t’i kem biseduar nuk i mbaj mend. Unë kam qenë një person në kamp që kam gëzuar simpatinë e shumicës dërrmuese e kam pasur muhabet të mirë me ta. Nga këto biseda, siç e kam thënë më para, kam bërë me Petro D. e mbaj mend. Unë, mundet të kem bërë edhe biseda të tjera me të dënuar që tani nuk i mbaj mend, bile më kujtohet se ne diskutojshim shumë për daljen e Kushtetutës së re të Republikës Popullore të Shqipërisë që u tha në Kongresin e 6-të dhe unë isha shumë pesimist për këtë. E kam thënë se nuk ma merr mendja të dali dhe sidomos mbas tradhtisë së Beqir Ballukut, sepse situata e mbrendshme e vendit tonë u ndërlikua e llafe të tjera, por se me cilin i kam bërë këto biseda as nuk e mbaj mend se nuk kam mbajtur ditar për këtë.

PYETJE:  Çfarë ke biseduar për ekzistencën e pushtetit tonë popullor?
PËRGJIGJE: Unë nuk e kam biseduar me ndonjë person për ekzistencën a mosekzistencën e pushtetit popullor. Unë këto llafe që mund të kem biseduar për mendimet e mija siç e thashë nuk i konsideroj agjitacion e propagandë.
Unë, agjitacion e propagandë kundër pushtetit e konsideroj kur njeriu të ngrihet e t’u bëjë thirrje të tjerëve për përmbysjen e pushtetit. Unë kam dishruar e mundet të kem shprehur se ligjet e vendit tonë janë shumë të ashpra se të marrin jetën vetëm pse njeriu kalon kufirin dhe kam pasë shpresë se do të ketë ndryshime të ligjeve në favorin e të dënuarve; me rastin e 30 vjetorit të çlirimit kemi pritur se mos do të kishte edhe ndonjë falje...

PYETJE:  Çfarë keni biseduar për ngjarjet në Qipro dhe me kë i ke bërë bisedat, i pandehur Havzi Nela?
PËRGJIGJE: Kur ndodhën ngjarjet në Qipro, unë kam biseduar me të tjerë rreth kësaj çeshtje, por se me cilin e kam biseduar konkretisht s’e mbaj mend. Unë kam thënë se në këtë grusht shteti patjetër kanë dorë rusët. Kur filluan bisedimet greko - ruse, i kam shikuar me dyshim e kam pasur frikë se këto mos bënin ndonjë kompromis për të vendosur bazat ushtarake ruse e përbënin një rrezik për Shqipërinë, por unë nuk kam dishruar që Shqipëria të okupohet asnjiherë.

PYETJE: Na trego i pandehur lidhur me pjesëmarrjen tuaj në revoltën e të dënuarve të Spaçit që morën për kundër pushtetit në vitin 1973?
PËRGJIGJE: Unë nuk kam marrë pjesë në revoltën e Spaçit, për kundër pushtetit që bënë të dënuarit në vitin 1973, por mbasi ka filluar revolta dhe njerëzit e qeverisë u bëni thirrje të hiqnin dorë nga kjo, unë kam marrë pjesë në mbledhjen ndërkrahinore që u bë në mencën e ushqimit. Këtu u diskutua që neve, si përfaqësues të krahinave, në të cilën më caktuan edhe mua si përfaqësues të Kukësit që të merreshim vesh me përfaqësuesit e pushtetit për të shuar revoltën, dhe pritëm të vinte mbrenda komisari i repartit ose ndonjë nga ministria, por ato nuk hynë në kamp dhe neve u shpërndamë. Pastaj më vonë kanë dalë për t’u marrë vesh me përfaqësuesit e qeverisë, Paulin Vata, Koço Papa, Gëzim Çela, të cilët edhe janë dënuar.
………………………………………………………

Dosja 9912/3-f.19-20 -21 (Viti 1975)

*** 

Të dhënat për raportuesit e H. Nelës janë të zakonshme. 
Vetëm për tre prej tyre shënohet arsyeja e dënimit (Petro D., për agjitacion e propagandë kundër shtetit; Agustin P. dhe Nazmi B., për krime kundër shtetit), ndërsa për tre të tjerët nuk shënohet arsyeja e dënimit. Dëshmitarët rrëfehen në datën 9 korrik, ndërsa me 12 korrik i lexohen H. Nelës deponimet e dëshmitarëve. Me 15 korrik H. Nela merret në pyetje në prani të prokurorit H. Topollaj dhe thotë: “Me dëshmitarët Zenel B., Nazmi B., Naim U. dhe Agustin P., nuk pranoj në asnjë mënyrë të ballafaqohem me ta dhe në rast se do të më detyrojnë me më ballafaque në hetuesi me këto persona, unë do të bëj skandal dhe nuk u përgjigjem fare thënkave të tyre, se ata janë njerëz pa dinjitet për mua”. I vetmi ballafaqim është po me 15 korrik ndërmjet H. Nelës dhe Sotir D.

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Dita e Pavarësisë, përurohet vepra e Mid’hat Frashërit. Vëllimi i dhjetë sjell të gjitha përkthimet e bëra prej tij

Dita e Pavarësisë, përurohet vepra e Mid’hat Frashërit. Vëllimi i dhjetë sjell të gjitha përkthimet e bëra prej tij