Haxhi, nisen për në Mekë
grupi i parë prej 220 besimatrësh

Haxhi, nisen për në Mekë<br />grupi i parë prej 220 besimatrësh
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës "Ademi Jashari", sot herët në mëngjes ishte pikënisja e grupit të parë prej 220 besimtarëve muslimanë që udhëtojnë nga Kosova për në Mekë të Arabisë Saudite, për të kryer Haxhin, obligimin fetarë dhe njërin nga pesë kushtet e Islamit. Numri total i besimtarëve që sivjet shkojnë për Haxh është 864 persona dhe përveç grupit që është nisur sot në mëngjes, janë edhe 3 grupe tjera, ku sonte dhe nesër do të nisen dhe dy grupe të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).
 
Në mesin e atyre që do të udhëtojnë për në Qabe, është edhe Fadil Sogojeva, imam dhe udhëheqës i hanxhinjve të Prishtinës. Ai shprehet se nga Prishtina, sivjet nisen 145 kandidatë për Haxh dhe se për të, edhe pse ka studiuar në Arabi Saudite dhe ka vizituar këto vende, është hera e parë që niset nga vendlindja për të kryer këtë obligim fetar. Për këtë ai është shumë i lumtur.
 
“Kjo do të thotë një kënaqësi shpirtërore të cilët i janë përgjigjur thirrjes së Zotit që Allahu i ka thirrur për t’ju përgjigj thirrjes së tij dhe këta janë duke shkuar për t’i vizituar vendet e shenjta, Qabe-në dhe ato vende të cilat Zoti ka thënë, Ibrahimit a.s., thirri njerëzit nga vendet e ndryshme të botës që të vizitojnë këtë vend dhe t’i shohin kënaqësitë e Allahut” thotë për Anadolu Agency, imami Sogojeva.
 
Në mesin e atyre që udhëtojnë për në Tokat e Shenjta, është edhe Mehdi Havolli nga Prishtina që thotë se kjo është hera e tij e 15-të që shkon në haxhillëk.
 
“E 15-ta herë është që shkojë, sivjet...14 herë Haxh dhe një herë kam qenë jashtë Haxhit. Kënaqësia më e madhe në jetën time është kur udhëtoj andej, për Haxh. Është kënaqësi e madhe t’i vizitosh ato vende, Mekën, Medinën, Arafatin, Muzdelifën, e tjera dhe të njoftohesh me njerëzit të botës, me 6 milion njerëz. Është punë e madhe të bisedosh me ta. Shkojë bedel për dajën tim, Bajramin, babanë e këtij zotërie, ishalla Allahu ja pranon atij Haxhin dhe mua ma pranon mundin që e bëjë” thotë Havolli
 
Në aeroport, për t’i përcjellë besimtarët nga Kosova, sot kishte ardhur edhe Myftiu i Kosovës, Naim efendi Tërnava. Për Aanadolu Agency ai tregoi se Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), prej 40 vitesh realizon organizimin e shkuarjes në haxhillëk dhe sikurse viteve të tjera, ashtu edhe sivjet, BIK ka marrë të gjitha masat që udhëtimin ta organizojë sa më mirë.
 
“Sot niset kontingjenti i parë prej 220 haxhinjve, në mbrëmje nisen 220 të tjerë. Dhe nesër kemi edhe dy aeroplanë. Sigurisht që Haxhi është një prej shtyllave të Islamit dhe më vjen mirë që një numër i konsiderueshëm nga Kosova do të marrin pjesë bashkërisht me haxhitë nga anekënd bota, të cilët do të vizitojnë Qabe-në. Kemi 864 haxhinj nga Kosova dhe ata do t’i bashkëngjitën hanxhinjve nga tërë bota, ku do të bëjnë një lutje të përbashkët, për një mirëqenie të përgjithshme për paqe, për harmoni në mes të njerëzve, duke lutur Zotin xheleshanehu, t’i dhuroj njerëzimit çdo të mirë dhe t’i largojë nga gjitha të ligat dhe të këqijat” tha efendi Tërnava.
 
Ai shpjegoi se,  sikurse çdo vit edhe sivjet , kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) është marrë me procedurat e organizimit të udhëtimit në Haxhillëk duke dërguar në muajin qershor, përgjegjësit kosovar për udhëtimin në Mekë dhe Medinë, për të rregulluar dokumentacionin e nevojshëm për akomodimin e haxhinjëve.
 
Më pas, thotë myftiu Tërnava, përmes Këshillave komunale të Bashkësisës Islame, në 28 komuna të Kosovës, ka organizuar regjistrimin e atyre që kanë dëshirë ta kryejnë Haxhillëkun. Pas kompletimit të listave të të regjistruarve për Haxhillëk, BIK-u ka asistuar në rregullimin, kompletimin e dokumentacionit dhe aplikimin për viza të Arabisë Saudite.
 
Sa i përket kostos së sivjetme për udhëtim në Haxhillëk, Fatmir Iljazi, drejtor i arsimit në BIK, shprehet se, duke pasur parasysh rënien e kursit të valutës euro në krahasim me rijalin e Arabisë Saudite, si dhe ngritjen e çmimeve, shkuarja në Haxhillëk sivjet kushton 3400 euro për person. Ai shpjegon se në këtë çmim është përfshirë: udhëtimi me aeroplan vajtje ardhje, akomodimi në hotele me 4 yje, ushqimi tre herë në ditë, tërë transporti përbrenda vendeve të shenjta: Xhide, Mekë, Medinë, vizita e vendeve me rëndësi historike, si dhe sigurimi i veshjeve të veçanta (ihramit) për secilin, prerja e kurbanit, vaksinimi dhe gjitha procedurat tjera të nevojshme për udhëtim në Arabinë Saudite.
 
Haxhi është obligim dhe njëri nga pesë kushtet e Islamit: shqiptimi i shehadetit, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe shkuarja në haxhillëk, për ata që kanë mundësi financiare.

 
Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Nga Pogradeci në Ulqin, piktori Sadik Kasa e feston 70-vjetorin me ekspozitën shëtitëse në trojet shqipfolëse

Nga Pogradeci në Ulqin, piktori Sadik Kasa e feston 70-vjetorin me ekspozitën shëtitëse në trojet shqipfolëse