TIRANË - Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë.
Haxhinasto e ka konsideruar bashkëpunimin me  Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë shumë pozitiv dhe një kontribut të drejtpërdrejtë në arritjen e atyre objektivave madhore që ka Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, për të zhvilluar infrastrukturën e vendit, për të angazhuar sa më shumë kompanitë shqiptare dhe për të vendosur një standart shumë më të lartë se sa aktuali në të gjithë hallkat e realizimit dhe zhvillimit të infrastrukturës shqiptare.

Haxhinasto u shpreh se "bashkëpunimi me këtë shoqatë do të jetë shumëplanësh e do te zhvillohet në aspektin legjislativ, do të kemi një konsultim të vazhdueshëm për reformat ligjore që do të realizojmë, do të kemi një konsultim specifik për ligje dhe akte të ndryshme ligjore të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në këtë sektor. Një nga çështjet më akute është bashkëpunimi për ligjin e ri të prokurimit publik, i cili në fakt është edhe shkaku që ka sjellë një situatë absurde në zhvillimin e proçeseve të tenderimit në Shqipëri duke ndikuar drejtpërdrejtë te cilësia dhe standardi i realizimit të veprave tona që realizohen me para të taksapaguesve shqiptarë".
"Ka pasur situata absurde ku tenderat janë fituar me vlera edhe 40% nën vlerën e shpallur të tenderit, gjë që nuk duhet të ndodhë më, pasi paratë publike, paratë e qytetarëve, duhet të shpenzohen jo vetëm në mënyrë efiçente, por duhet të garantojnë cilësinë më të lartë të realizimit të veprave publike", tha ai.
"Ne kemi rënë dakort në parim që bashkëpunimi yne të forcohet edhe për arsye të monitorimit, të realizimit të veprave publike, që do të thotë monitorim dhe vlerësim po pse jo edhe penalizim në të gjithë hallkat e realizimit të veprave publike", tha Haxhinasto, duke vijuar se "kjo do të thotë që të gjithë ata që punojnë në Shqipëri në fushën e projektimit, e supervizionit të veprave, në fushën e realizimit konkret të veprave, të gjithë do të jenë në një monitorim ligjor me qëllim që të garantojmë që standardi i produktit të tyre të jetë as më pak e as më shumë se sa ai evropian. Shqipëria në fazën e saj të zhvillimit ka nevojë për cilësi dhe standarde më të larta"./ATSH/