Haxhinasto: OKB s’njeh çamët
PDIU: S’njeh historinë,mos fol

Haxhinasto: OKB s’njeh çamët<br />PDIU: S’njeh historinë,mos fol
TIRANË - Zv.Kryeministri dhe njëkohësisht Ministër i Jashtëm Edmond Haxhinasto deklaron se në listën e toponimeve të OKB-së për Greqinë nuk figuron termi “Çamëri”. Gjatë intervistës për gazetarin Alfred Peza në Vizion Plus, kryediplomati shqiptar tha se, pala greke ka shprehur qëndrimin e saj, se ajo njeh atë toponimi e cila është paraqitur në formë zyrtare nga ana e saj në OKB, pra është paraqitur një listë e caktuar emrash për territorin e rajonit të Greqisë, që janë brenda territorit grek, dhe pala greke do t’i ketë në një formë të caktuar ky është versioni latin i toponimeve.
“Në këtë listë të themi që tashmë ka marrë edhe fuqi ligjore, pasi ka mbi 10 vite që është paraqitur në Kombet e Bashkuara, fjala Çamëri nuk ekziston, ekzistojnë fjalë të tjera për atë territor, por fjala Çamëri nuk ekziston dhe ky është një detyrim që ne ta trajtojmë këtë çështje dhe do trajtojmë në rrugë dypalëshe me palën greke, sigurisht duke treguar fleksibilitetin përkatës”, u shpreh Haxhinasto .

REAGON PDIU
PDIU reagoi pas deklaratës së ministrit të jashtëm Haxhinasto. Sipas saj, çamëria është një trevë shqiptare, emërtimi i së cilës nuk mund të
ndryshojë me vullnetin e askujt, përfshi këtu edhe të shtetit grek.
“Kush nuk njeh historinë, gjeografinë dhe parimet bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare, do të ishte mirë që të mos fliste. Beteja jonë për Çamërinë nuk ndalet këtu. Shteti shqiptar e ka detyrim kushtetues mbrojtjen e të drejtave të bashkëkombasve tanë dhe sidomos të qytetarëve të vetë. Nuk është një
dëshirë, por një detyrim kushtetues, i paprekshëm”, shprehet PDIU, ndërsa rendit disa fakte.

ARGUMENTAT
1. Termi Çamëri nuk është një sajesë e ndokujt, por është emërtimi zyrtar i zones së Çamërisë që prej shekullit të 14-të, pas riemërtimit të saj nga termi Vageneti, që ishte pasardhës i termit Thesproti.
2. Termi Çamëri ka origjinë të lashtë, pasi vjen nga emri i lumit që sot quhet Kallamas dhe në antikitet quhej Thiamis. Kjo konfirmohet nga të gjithë gjuhëtarët, shqiptarë, grekë dhe të huaj, përfshi edhe ministrin aktual të Arsimit të Greqisë, gjuhëtarin Jorgos Babinjotis.
3. Termi Çamëri ka qenë një term zyrtar i shtetit grek, pra argumentimi se të lindurit nuk paskan lindur në Çamëri, por në Thesproti, nuk qëndron, pasi vetë shteti grek e njihte këtë trevë me emrin Çamëri. Deri në vitin 1937 ka qenë termi i vetëm zyrtar, ndërkaq
më vonë ka qenë term i përdorur nga vetë institucionet greke. Mjafton të lexosh dokumentet e xhandarmërisë greke të zonës për të parë se si i thërrasin “Qarkut të Çamërisë“ edhe në vitin 1939, edhe në vitin 1942, edhe në vitin 1947, etj..
4. Termi Çamëri është zëvendësuar pjesërisht me termin e ringjallur nga lashtësia, Thesproti VETËM si term i një nëndarje administrative të shtetit grek dhe jo si toponim gjeografik.
5. Toponimi Çamëri nuk është i barabartë me nëndarjen administrative të Thesprotisë, pasi treva e Çamërisë përmbledh Qarkun e Thesprotisë, Qarkun e Prevezës në shtetin grek dhe Bashkitë e Komunat Konispol, Markat dhe Xarrë, në shtetin shqiptar.
6. Toponimet kanë një veçori që mund të jenë me terma të ndryshëm edhe
brenda vetë një shteti, e jo më ndërmjet kombeve të ndryshme. Nuk kemi dëgjuar deri më sot, që autoritetet tona kufitare kanë refuzuar kalimin në kufi të askujt që ka pashaportë greke e ku vendlindja shkruan Argjirokastro dhe jo Gjirokastër. Nuk ka pasur asnjë rast ku një Italian i lindur në Këln të Gjermanisë është diskriminuar pse e ka në dokumente Kolonia. Argumentet e këtij niveli janë të ulët, të papranueshëm dhe mbi të gjitha qesharakë.
7. Shumica e shqiptarëve të ndaluar në Greqi nuk kanë në pasaportat e tyre toponimin }amëri, por kanë thjesht qytetin e fshatin e lindjes, Paramithinë, Gumenicën, Pargën, Margëlliçin, Filatin, e kështu me radhë, e prapë janë ndaluar. E për këtë, përgjigja e asnjë pale nuk mund të jetë veçse absurde.
8. Shteti shqiptar, në vend që të qëndrojë apatik, duhet të kërkojë dhe të shoh si e kanë zgjidhur Maqedonia dhe Turqia këtë çështje me Greqinë dhe se si lejohetka që shtetasit grek të kenë në dokumentat e tyre vendlindje Smirni dhe Konstandinupoli dhe jo Izmir dhe Instambul që janë toponimet zyrtare.


(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë