TIRANE- Lëvizja e delegacioneve dhe zyrtarëve në orët e mëngjesit ka penguar policinë që të ndalojë motorrin pa targa, ku udhëtoni dy killerat që ekzekutuan me 6 plumba drejtorin e bankës Credins, Artan Santo. Këtë kanë deklaruar para agjentëve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshën, efektivët e policisë rrugore të cilët kanë qenë në shërbim mëngjesin e datës 26 qershor kur u qëllua për vdekje Artan Santo. Dëshmitë janë marrë gjatë ditës së djeshme në ambientet e SHKB-së, përballë Ministrisë së Brendshme.

Nga të dhënat e para mësohet, se shumica e patrullave të rrugorëve atë ditë kanë qenë në shërbim të zyrtarëve të lartë dhe lëvizje të tyre në mënyrë të lirë nëpër kryeqytet. Siç kanë bërë të ditur burime pranë SHKB, policët kanë deklaruar se, në oraret kur motorri me dy killerat në bord është filmuar duke lëvizur rreth banesës së bankierit prapa RTSH-së, janë qenë të paktën 4 uniforma blu të policisë rrugore që e kanë parë, por në fakt asnjëri prej tyre nuk e ndaloi mjetin.