Ka një ngjarje shumë të rëndë, për të cilën po heton SPAK-u dhe e cila përmendet edhe në dosjen e dorëzuar në Kuvend, ku kërkohet arrestimi i Belinda Ballukut. Por për këtë ngjarje, çuditërisht, Sali Berisha dhe mediat e paguara prej tij heshtin. Një heshtje që dëshmon në mënyrë flagrante standarde të dyfishta dhe selektivitet të opozitës, por edhe lidhje interesash me disa oligarkë. Bëhet fjalë për koncesionin e dyshimtë Thumanë–Kashar, i fituar për më shumë se 245 milionë euro nga biznesmeni dhe botuesi Bashkim Ulaj, financues historik i familjes Berisha.

“Unë po i bëj nderin e jetës me Thumanë-Kasharin”, i thoshte 15 qershorin e vitit 2021, Belinda Balluku vartësit të saj, drejtorit të atëhershëm të ARRSH, Evis Berberit, pas një takimi që ministrja kishte pasur me ndërtuesin Bashkim Ulaj, pronar i “Gener 2”.

Në atë kohë biznesmeni, i lidhur ngushtë me Partinë Demokratike të Sali Berishës, kishte një hall të madh. Koncesioni i tij për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar ishte i bllokuar. Ai kishte fituar që prej vitit 2018 një partneritet koncesionin 245 milionë eurosh, por qeveria ia kishte pezulluar pas skandalit me kompaninë DH Albania me Unazën e Madhe, ku ishte përfshirë vetë Ulaj, përmes nipit të tij.

Nga dosja që SPAK ka depozituar në Kuvend për arrestimin e zv. Kryeministres, Prokuroria e Posaçme evidenton bisedën mes Ballukut dhe Berberit, një ditë pasi ministrja kishte takuar Bashkim Ulajn. Dosja është edhe në dorë të deputetëve të PD, por ndryshe nga elementë të tjerë që i kanë publikuar, këtë pasazh nuk e përmend.

Balluku flet për një takim të suksesshëm me biznesmenin Ulaj, për të cilin thotë se “mund të bëhet ushtar” sepse “është shumë i izoluar dhe i pashpresë”.

Biseda Balluku Berberi, 15 qershor 2021

Belinda Balluku: “Isha me Bashkimin dje”.
Evis Berberi: “Si shkoi?”
Belinda Balluku: “Dhe i thash kjo është sfida ime dhe e tij”.
Evis Berberi: “Po prandaj ndihej ndryshimi sot”.
Belinda Balluku: “Me tha që vinçi për trarët e urës vjen nesër ose pasnesër”.
Evis Berberi: “Erdhi dje, sot shkonte te ura se që andej po kthehem”.
Belinda Balluku: “Unë po i bej nderin e jetës me  Thumanë-Kasharin ndaj ai do bëhet copë. Do flasim pak. Është shumë i izoluar dhe i pashpresë, ndaj mund të bëhet shumë ushtar.

Vetëm pas kësaj bisede, për “Gener 2” të Bashkim Ulajt lajmet do të jenë të mira. Më 24 dhjetor 2021 zgjidhet problemi që kishte bllokuar “nderin e jetës” për biznesmenin dhe nënshkruhet "Marrëveshjen për Zgjidhjen e Konfliktit mbi Zbatimin e Kontratës për Dhënien me Koncesion për Projektimin, Ndërtimin, Operimin dhe Mirëmbajtjen e Rrugës Thumanë - Vorë - Kashar"

SPAK e evidenton në provat e veta se, vetëm pak muaj më pas, më 9 maj 2022, lidhet kontrata koncesionare 245.7 milionë euro mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të drejtuar nga Belinda Balluku dhe kompaninë GENER 2 të Ulajt që tashmë kishte krijuar shoqërinë koncesionare të ndërtimit të rrugës ‘G2 INFRA”

Sa i përket autostradës Thumanë-Kashar, ajo është një prej 11 tenderëve që SPAK po heton në kuadër të dosjes ndaj zv. Kryeministres Belinda Balluku, për të cilën kërkon leje nga Kuvendi për arrest. Përmes këtij koncesioni 35-vjeçar kompania private pritet të mbulojë si kostot e ndërtimit dhe mirëmbajtjes, e të fitojë mbi 1 miliardë euro, nga tarifa që u mbledh qytetarëve. Mirëmbajtja dhe gjithçka tjetër është nën përgjegjësinë e koncensionarit, i cili këtë rrugë duhet ta dorëzojë të padëmtuar në fund të kontratës koncesionare, edhe pse Report Tv ka raportuar nga terreni që situata e rrugës lë për të dëshiruar.

Thumanë-Kashar është aksi i dytë në vend pas rrugës së Kombit, ku kalimi është me pagesë, tarifë që mblidhet nga “Gener 2” e cila ndryshon për mjetet e tonazhit të rëndë dhe të transportit publik. Për kalimin e të gjithë autostradës 21 km, kamionët paguajnë 8.80 euro ndërsa autobusët 6.30 euro.

Të gjitha tarifat do të përllogariten çdo vit, madje kompania private mund ti rrisë ato në varësi të luhatjeve të kursit të këmbimit lekë euro. Koncesionari planifikon të mbledhë mbi 1.3 miliardë euro si të ardhura bazë nga taksa e automjeteve.

Transkriptimi i plotë nga DOSJA E SPAK
Në vijim të hetimit të këtij procedimi penal, nga këqyrja e të dhënave të aktit të ekspertimit nr. 195, datë 26.09.2024, të aparatit celular “Blackberry”, model “BBF100-6”, të sekuestruar shtetasit Evis Berberi, kanë rezultuar komunikime në aplikacionin “Signal Private Messenger” ndërmjet shtetases Belinda Balluku dhe shtetasit Evis Berberi, si më poshtë:

• Në datën 15.06.2021, në orën 12:43, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin: “Isha me Bashkimin dje”.

• Në orën 12:43, Evis Berberi: “Si shkoi”.

• Në orën 12:43, Belinda Balluku: “Dhe I thash kjo eshte sfida ime dhe e tij”.

• Në orën 12:43, Evis Berberi: “Po prandaj ndihej ndryshimi sot”.

• Në orën 12:43, Belinda Balluku: “Me tha qe vinci per traret e ures vjen neser ose pasneser”.

• Në orën 12:44, Evis Berberi: “Erdhi dje sot shkonte te ura Se qe andej po kthehem”.

• Në orën 12:44, Belinda Balluku: “Une po I bej nderin e jetes me thumane kasharin ndaj ai do behet cope Do flasim pak Eshte shume I izoluar dhe I pashprese, ndaj mund te behet shume ushtar Agollin nuk e shiti kurre dhe e beri mbret”.

• Në orën 12:45, Evis Berberi: “Te vi sot te diskutojme pak dhe per neser ne ora 9 Ska se si ta shese kane punuar gjate”.

• Në orën 12:45, Belinda Balluku: “Se kta te tjeret jane te lidhur e te bere gonxhe me njeri tjetrin Tregon karakter (i referohet mesazhit me tekst “Ska se si ta shese, kane punuar gjate”) Po hajde ne 7.30”.

• Në orën 12:46, Evis Berberi: “Ok Shihemi ne 7.30 po marr dhe cfare kam pregatitur”.

Informacione shtesë nga hetimi: Sipas burimeve, rezulton se në bisedën e mësipërme bëhet fjalë për shtetasin Bashkim Ulaj, ortak i shoqërisë “Gener 2” sh.p.k, e cila është shpallur fituese në procedurën koncesionare për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Thumanë-Fushë-Krujë-Vorë-Kashar.

Vlera e parashikuar e këtij projekti është 245,750,755 Euro. Dokumentet specifikojnë se më datë 09.05.2022, është lidhur kontrata e koncesionit me nr. 2088 rep., 670 kol., ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqërive “Gener 2” sh.p.k (Koncesionari) dhe “G2 Infra” sh.p.k (Shoqëria koncesionare)