Hetimet ndaj deputetit Kristian-Demokrat Mark Frroku nën akuzë për vrasje, fshehje pasurie e ndërtim të paligjshëm janë drejt fundit dhe brënda nëntorit Prokuroria do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë me kërkesë për gjykim.

Ky fakt konfirmohet nga burime pranë Prokurorisë të cilat sqaruan se kur kanë kaluar 8 muaj nga arrestimi i deputetit, hetimet janë përmbyllur me fazën e pyetjes së personave që kanë dijeni për ngjarjen dhe administrimin e provave shkresore të mbërritura nga Belgjika.

Në këto prova sqaruan burimet futen dhe dëshmitë origjinale të dhëna nga personat në Belgjikë, gjatë hetimeve të kryera nga pala belge fill pas vrasjes së shtetasit Aleksandër Kurti ku i dyshuar është Mark Frroku i njohur dhe si Besnik Morina.

Këtë të hënë Frroku u njoh dhe me vendimin e Gjykatës së Lartë e cila rrëzoi kërkesën e tij për leje të posaçme për pjesëmarrje në seancat parlamentare. Këtë kërkesë Mark Frroku e bëri pasi ai aktualisht qëndron me masë sigurie “arrest me burg” pas hetimeve të nisura prej muajit mars. 

Vetë Frroku e ka mohuar akuzën e vrasjes së Aleksandër Kurtit 18 vite më parë në Belgjikë për shkak të konfikteve për shfrytëzimin e prostitucionit, por sipas Prokurorisë tashmë me hetimet e kryera dhe në Shqipëri ka prova të mjaftueshme për zbardhjen e kësaj ngjarje.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)