TIRANE- Një muaj pas vrasjes së bankierit 58-vjeçar Artan Santo, Prokuroria e Tiranës i kthen dosjen policisë së kryeqytetit për të gjetur provat dhe faktet për autorët dhe pistat e krimit.
 
Lajmi konfirmohet nga burime pranë organit të akuzës sipas të cilit lirimi i dy vëllezërve Gjozi të arrestuar nga policia, ktheu në udhëkryq hetimet.
 
Në mungesë të provave konkrete dhe të dhënave për autorët e dyshuar të vrasjes, organi i akuzës i ka kthyer dosjen policisë, duke i kërkuar të plotësojë fashikullin me prova.
 
Biznesmeni Santo, u ekzekutua mëngjesin e 26 qershorit teksa zbriste për në vendin e punës në Bankën e tij në zonën e "ish-Bllokut", nga dy persona të cilët e kishin ndjekur me motor nga banesa.
 
Askush nuk ka mundur të reagojë në momentin e krimit, ndërsa vrasësit me motorin e tyre kanë sfiduar çdo lloj reagimi apo ndjekje të policisë për t’i kapur ata.
 
Policia shoqëroi disa persona në zonën e Ishmit, Fushë-Krujës dhe Fushë-Kuqes, por pa mundur të sigurojnë prova që implikojnë ndonjë prej tyre.
 
Dy kushërinjtë Klodian e Saimir Gjozi, të cilët qëndruan mbi 2 javë në izolim, u shpallën të pafajshëm pasi faktorët plotësues të qitjes së siguruara nga ekspertiza në duart e tyre nuk kishin të bënin me të shtëna arme por me natyrën e punës së tyre, pasi kishin salduar disa tubo.
 
Ndërsa policia nuk mundi të arrinte tek autorët edhe me ndjekjen e pistës së mjetit të përdorur, pasi motori i krimit nuk është gjetur se kur ka hyrë në Shqipëri dhe nga kush.
 
Vrasja dyshohet se lidhet me bizneset e Santos në sistemin bankar, ndërsa 58-vjeçari kishte në pronësi dhe ishte aksionar edhe në 2 televizione e gazeta.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)