/ATSH/.- Çështjet e shërbimeve ligjore të reformës në drejtësi, pjesë e dokumentit 'analiza e sistemit të drejtësisë në Shqipëri" ishin në qendër të konsultimit publik të radhës, i zhvilluar të martën në Universitetin "Nehemia" në Pogradec.
Në këtë veprimtari, e mori fjalën i ngarkuari me punë i Ambasadës Britanike, Stephen Hickling, i cili nënvizoi disa nga arsyet se përse kjo reformë është e rëndësishme. Ai përmendi anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe investimet e huaja, si dy fushat kryesore që pengohen më shumë nga një gjyqësor i pa reformuar.
Hapat përpara drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE, varen nga kjo reformë, tha diplomati britanik, ndërsa theksoi se ajo (reforma) nuk duhet të ndodhë për të mirën e Bashkimit Europian, komunitetit ndërkombëtar, apo Komisionit të Venecias, por për te miren e vendit.
"Nuk duhet ta bëni atë për të mirën tonë, Shqipëria duhet ta ndërmarrë këtë reformë për veten e saj, pavarësisht faktorëve të tjerë", u shpreh Hickling.
Duke vijuar komentet për korrupsionin në gjyqësor i ngarkuari me punë i ambasadës britanike tha se "në zemër të të tij është ngritur një klikë gjyqtarësh shumë të korruptuar", korrupsion ky i ndihmuar edhe nga vetë avokatët dhe personat e tjerë të përfshirë në shërbimet ligjore që shërbejnë si ndërmjetës midis klientëve dhe gjyqtarëve.
"Por ryshfetet nuk ju shkojnë vetë gjyqtarëve në xhep. Avokatët dhe të tjerët, në shërbimet ligjore janë bashkëfajtorë dhe përfitojnë nga ky sistem i korruptuar", theksoi ai.
Në përfundim të fjalës së tij, Hickling shprehu besim që partitë e opozitës, të sjellin ekspertizën e tyre ligjore në këtë proces, pasi Reforma në drejtësi është çështja kryesore me të cilën përballet vendi dhe të gjitha palët kanë përgjegjësinë për të luajtur rolin e tyre.
Më pas, vendi iu la diskutimeve dhe pyetjeve të grupeve të interesit, të pranishëm në këtë konsultim. Faza e konsultimeve publike do të vijojë në Universitetin "Eqerem Çabej", Gjirokastër, dhe në Universitetin "Luigj Gurakuqi", Shkodër.
Komisioni i posaçëm i reformës ka realizuar deri tani një analizë të detajuar të gjithë situatës në sistemin e drejtësisë shqiptare, përfshi legjislacioni dhe funksionimin e institucioneve. Kjo analizë është hartuar nga një grup ekspertësh të nivelit të lartë, vendas e të huaj, dhe prej disa javësh i është nënshtruar konsultimeve publike në disa qytete të vendit. Faza tjetër e reformës do të jetë ajo e propozimeve për ndërhyrjet që do të duhet të kryhen e që pritet të prekin dhe Kushtetutën.
Komisioni, i cili ka nisur nga puna në muajt e parë të vitit, u bojkotua nga opozita e djathtë, e cila vetëm dje bëri të ditur vendimin për t'i dhënë fund bojkotit, dhe për t'u bërë pjesë e kësaj strukture.