TIRANË- Mikel Harizaj, 42 vjeç, sapo doli nga lokali i tij në zonën e “Xhamllikut” për të dërguar në shtëpi kamerierin, Serini Dumi, 26 vjeç, kur “Mazda” me të cilën rreth orës 02.50 po lëvizte në Unazën e Madhe shpërtheu pranë rrethit të Selitës. Lënda plasëse ishte vendosur në pjesën e përparme të makinës, në anën e shoferit, ndërsa objektiv ishte vetë Harizaj. Si pasojë e shpërthimi, të dy, drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri, u dëmtuan rëndë. Harizaj dhe Dumi ndodhen në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa pësuan dëmtime të shumta në pjesën e poshtme të trupit, në këmbë. Burime nga Trauma i thanë Report Tv se të dy nuk e kanë kaluar rrezikun për jetën.

42-vjeçari Harizaj rezulton të jetë pronar i një lokali dhe marketi në zonën e “Xhamllikut” në kryeqytet. Ai është me origjinë nga Selenica e Vlorës dhe rezulton emër i njohur për policinë dhe organet e drejtësisë. I arrestuar më herët pasi në vitin 2009, pas një sherri në një lokal në qytetin e Vlorës shkoi tek automjeti i tij mori një granatë dore dhe tentoi të vriste tre persona të tjerë. Policia po heton në këtë drejtim në lidhje me ngjarjen, ndërsa nuk përjashtohen edhe pista të tjera të konflikteve të tij të mëvonshme. Për shkak të gjendjes së tij serioze, Harizaj nuk është pyetur akoma nga hetuesit. Këta të fundit po ndërtojnë dinamikën e lëvizjes së automjetit përgjatë ditës së enjte për të shkuar tek identifikimi i autorëve. Në fokus janë kamerat e sigurisë ku mjeti ka lëvizur gjatë ditës.

2022 ka nisur me një sërë ngjarjesh kriminale në vend. Kryeqyteti u trondit pak ditë më parë nga një atentat me armë zjarri, ku mbeti i vdekur Erion Çela si dhe 4 të tjerë u plagosën. Po ashtu në qytetin e Vlorës janë shënuar dy ngjarje të rënda kriminale, por për fat të mirë pa viktima. Më 3 janar, makinës në pronësi të Bernard Sinomatit, iu vendos tritol, ku si pasojë janë regjistruar dëme të shumta materiale, por fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar. Vetëm dy ditë më vonë, një atentat me kallashnikov, ndodhi sërish në qytetin bregdetar, ku mbeti i plagosur 36-vjeçari Diego Hanaj. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje. Sakaq edhe në Shkodër, u plagos me armë zjarri pas një atentati mafioz Vincens Piroli, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për varsjë nga Mali i Zi. Deri tani nuk ka asnjë ngjarje të zbardhur nga policia, dhe asnjë autor të arrestuar!

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:48
Atentati në Tiranë/ Del fotoja, kjo është makina ku iu vu tritoli biznesmenit

1641566946_63ce7439034641e3803774dc3d017a7b.jpg

Kjo është makina tip Mazda që iu vu sot tritolit. Mjeti është në pronësi të Mikel Harizaj, pronar i një lokali dhe një marketi. Lënda plasëse ishte vendosur nga krahu i shoferit, ku dhe shihet që ka marrë dëmtime më të mëdha në pjesën e përparme.  

Ora 10:07
Atentati në Tiranë, objektiv dyshohet 42-vjeçari Mikel Harizaj, pronar i një lokali dhe një marketi! 26-vjeçari punonjës i tij, po e çonte në shtëpi kur shpërtheu tritoli

1641546509_tr.jpg

42-vjeçari Mikel Harizaj dyshohet se ka qenë objektivi i atentatit me tritol ditën e sotme në Tiranë, ku mbeti i plagosur ai si dhe 26-vjeçari Serini Dumi. Mësohet se lënda plasëse ishte vendosur nga krahu i shoferit, ndërsa nuk dihet ende nëse ka qenë shpërthim i komanduar me telekomandë.

Harizaj rezulton pronar i një lokali në zonën e Xhamllikut si dhe i një marketi po në këtë zonë. Dumi, që ishte pasagjer në makinë, punon kamarier në lokalin e 42-vjeçarit, ndërsa mësohet se në momentin ku ka shpërthyer lënda plasëse, Harizaj po e dërgonte atë në shtëpi.

 

Ora 09:50
Atentati në Tiranë, dy personat e plagosur në gjendje të rëndë te 'Trauma'! Kanë marrë plagë të shumta në pjesën e poshtme të trupit

Mikel Harizaj dhe Serino Dume, dy personat të cilëve iu bë atentat ditën e sotme në Tiranë, ndodhen në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës, ata janë në intubim në reanimacion, ndërsa kanë marrë dëmtime të shumta në pjesën e poshtme të trupit, në gjymtyrë. Harizajt dhe Dumes iu bë atentat me tritol në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku automjeti tip 'Mazda' me të cilin ata udhëtonin u hodh në erë nga shpërthimi.

Ora 08:02
Iu bë atentat me tritol në Tiranë, i plagosuri me precedent penal! Tentoi të vriste 3 persona me granatë

Mikel Harizaj, 42 vjeç, të cilit iu bë atentat gjatë orëve të para të mëngjesit në Tiranë, është një emër i njohur për policinë. Ai është arrestuar në 2009 pasi akuzohet se pas një sherri në lokal, ka tentuar të vrasë 3 persona duke u hedhur një granatë. Ai u arrestua në Selenicë të Vlorës.

Si ndodhi ngjarja? Harizaj, për motive të dobëta është konfliktuar me tre shtetas në ambientet e një lokali. Menjëherë pas konfliktit, Mikel Harizaj ka dalë nga lokali dhe ka shkuar në makinën e tij, të cilën e kishte të parkuar afër lokalit nga ku ka marrë një granatë dore, me të cilën ka sulmuar shtetasit e mësipërm. Nga shpërthimi i granatës është plagosur rëndë shtetasi G. A., dhe më lehtë dy të tjerët. 

Ora 07:53
Iu hodhën makinën në erë në Unazën e Re, kush është shoferi dhe pasagjeri që mbetën të plagosur

Mikel Harizaj 42-vjeç dhe Serino Dume 26-vjeç, përkatësisht shoferi dhe pasagjeri, janë dy personat që mbetën të plagosur nga tritoli që i vendosën makinës së tyre mëngjesin e sotëm në zonën e Unazës së re.