TIRANË - Një tjetër incident ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në spitalin Shefqet Ndroqi.

Një 60-vjeçar me iniciale L.S. është hedhur nga lartësia e spitalit e për pasojë ka ndërruar jetë. Ngjarja ka ndodhur në orën 00:30.

Mësohet se ai kishte 2 ditë që ishte shtruar në spital i infektuar nga koronavirusi.

60-vjeçari është nga Laçi ndërsa spitali bën me dije se gjatë ditëve të fundit nuk janë vërejtur shenja të çrregullimeve psikologjike tek ai.

Ky është rasti i 5-të i vetëvrasjes në spitalet COVID në kryeqytet brenda disa muajsh.

Më herët janë vetëflijuar duke u hedhur nga dritarja e spitaleve COVID Reshat Grembi 69-vjeç në spitalin Infektiv, 29-vjeçari Xhino Koça, Hasan Mira rreth 65 vjeç si dhe 53-vjeçari me iniciale P.Gj. nga Tropoja, të tre këta të fundit tek spitali "Shefqet Ndroqi".

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:51
Vetëvrasja te 'Sanatoriumi'/ Reagon partia e Rudina Hajdarit, apelon autoritetet: Kyçni ballkonët

Në lidhje me ngjarjen e rëndë, ndodhur pak pas mesnate të ditës së sotme në spitalin "Shefqet Ndroqi" në Tiranë, ku u hodh nga kati i dytë një 60-vjeçar, ka reaguar edhe partia më e re në skenën politike shqiptare' Thurje'.

Partia në të cilën bën pjesë dhe deputetja Rudina Hajdari, i kërkon autoriteteve që të sigurojë ballkonet e spitaleve kur kurohen pacientët e prekur nga Covid-19.

"5 pacientë të sëmurë me Covid 19 i kanë dhënë fund jetës deri më sot duke u hedhur nga ballkoni i spitaleve ku ishin shtruar me shpresën për tu shëruar. Ngushëllime familjeve!

E kuptojmë që qeveria nuk ka para për të paguar psikologë, ato lekë i ka marrë Vilma për Check up-in që nuk i shërben kujt. E kuptojmë që nuk ka lekë as për më shumë dhoma ku pacienti të ndihet më i qetë e të mos ndajë dhimbjen e tjetrit, ato lekë i ka marrë bojaxhiu nga italia me konçesionin e sterilizimit më të shtrenjtë në botë.

E kuptojmë edhe që qeveria nuk ka lekë për pajisje më cilësore, të cilat të mundësojnë kurim si në Turqi apo Itali, ato lekë i merr Klodian Zoto për incineratorët fantazma që nuk ekzistojnë.

Por ama mundësinë për të kyçur dyert e siguruar ballkonet kjo qeveri e ka. Të paktën kaq ua ka borxh njerëzve që paguajnë taksa me shpresën se ato do tu prodhojnë siguri. A e bëni dot kaq?!", thuhet në reagimin e "Thurje".

Ora 11:38
U hodh nga kati i dytë i 'Shefqet Ndroqit', reagon spitali: Po kryhet hetimi! Kemi siguruar shërbimin e psikologut dhe kemi shtuar masat

1606051236_SpitaliUniversitarShefqetNdroqisenatorium1024x768.jpg

Pas lajmit tronditës ku një pacient u hodh nga kati i dytë i spitalit "Shefqet Ndroqi" orët e para të mëngjesit të sotëm, ka reaguar institucioni shëndetësor.

Përmes një njoftimi në zyrtar ata shprehin ngushëllime familjes teksa thonë se ky rast po hetohet nga organet kompetente.

Ndër të tjera ajo njofton se spitali ka siguruar shërbimin e psikologut në spital si dhe ka rritur masat e sigurisë.

Gjithashtu institucioni shëndetësor, bën me dije se 60-vjeçari me iniciale L.S. është shtruar më 28 nëntor ku iu kryen ekzaminimet imazherike dhe u trajtua me terapinë e plotë të mjekimit në pavionin e urgjencës.