TIRANË- Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur në Spitalin Covid-2 "Shefqet Ndroqi".

Sipas informacioneve, një pacient me koronavirus është hedhur nga kati i katërt i spitalit.

Mësohet se Hasan Mira rreth 65 vjeç, ishte i shtruar në spital rreth dy ditë më parë, pasi ishte diagnostikuar me koronavirus. Ngjarja është regjistruar rreth 40 min më parë dhe dyshimet paraprake janë gjendja e rënduar psikologjike e 65 vjeçarit nga Klosi, i cili merrte trajtim në këtë spital. Sipas informacioneve, Mira ishte në gjendje të rënduar shëndetësore për shkak të Covid19.

Kujtojmë se me 13 gusht një i ri në gjendje të rënduar psikologjike u hodh nga ky spital, ku fatkeqësisht ndërroi jetë. Burime bëjnë me dije se viktima ishte vjehrri i ish deputetit të LSI-së, Gjetan Gjetani.

Njoftimi i policisë: 

Më datë 02.09.2020, rreth orës 20:00, dyshohet se është vetëhedhur nga lartësia e një spitali shtetasi H.M., 65 vjeç dhe për pasojë ka humbur jetën.

Grupi hetimor dhe sherbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:05
Pacienti me COVID hidhet nga kati i katërt/ Reagon spitali 'Shefqet Ndroqi'

Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë e ndodhur, ku një pacient u hodh nga kati i katërt. Në reagimin e tyre, spitali bën me dije se 65-vjeçari ishte shtruar një ditë më parë dhe po trajtohej me terapinë e plotë të mjekimit.

"Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” shpreh dhimbjen për humbjen e jetës së 65-vjeçarit me inicialet H.M, i cili i dha fund jetës mbrëmjen e sotme dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij në këto momente të vështira.

65-vjeçari ishte shtruar një ditë më patë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, me pneumoni të shkaktuar si pasojë e virusit SARS COV2 dhe po trajtohej me terapinë e plotë të mjekimit.

Duke shprehur edhe një herë dhimbjen për këtë ngjarje të rëndë, stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” siguron qytetarët se po vijojë të jetë në shërbim 24/7 për të garantuar shërbimin shëndetësor për pacientët që trajtohen në spitalin tonë", thuhet në reagim.

Ora 21:40
65 vjeçari u vetëhodh nga spitali “Shefqet Ndroqi”, viktima ishte vjehrri i ish-deputetit të LSI-së

Pacienti 65 vjeçar i infektuar me koronavirus u hodh nga kati i katërt të spitalit "Shefqet Ndroqi" në Tiranë.

Burime për "Report Tv", bëjnë me dije se 65 vjeçari, Hasan Mira ishte vjehrri i ish deputetit të LSI, Gjetan Gjetani. Ky i fundit ka qenë deputet i Partisë Socialiste, por pas përjashtimit i është bashkuar LSI-së.

Hasan Mira ndodhej në një gjendje të rënduar psikologjike dhe shëndetësore në momentin që ka kryer aktin e hedhjes nga kati i katërt i spitalit, duke humbur jetën.