Hija e Circes së Homerit në një këngë dashurie shqiptare

Hija e Circes së Homerit në një këngë dashurie shqiptare

Odisjea dhe sirenat (Circet) në një amforë të antikitetit grek

Kënga “Moj kunadheja…” më vjen që nga fëmijëria, kur e këndonin burrat “e rëndë” me “ohe” dhe “ofshe” në një rreth të mbyllur, vetmas, si për dert, jo si për gaz e festë. Si këngë morti a sëmundjeje ajo zvargej, buçiste ndër zëra të mbytur, të kapërdirë.

Këndohej dhe në dasma, por në të thyer të festës dhe pasi burrat të ishin gazmuar me këngët për gruan sorkadhe, femrën lule, zogë, karafile a trëndafile. Gruan - kunadhe e thërrisnin përmes këngës atëherë kur rakia u kish rënë në kokë dhe nëpër avuj të tillë femra u fanepsej pak më ndryshe. Gruaja eshte dhe Flocke, Gershetez, Ore, Zane, Fate, Syqenez, Shtrige...

Teksti i kësaj kënge, po t’i heqësh refrenin, ka vetëm gjashtë vargje: 
Moj kunadheja leshverdhë, 
Dimëron përtej në shpellë, 
Në shpellë e në shtëpinë tënde. 
Na lajkose me kuvende, 
Më shpure në besën tënde, 
Besa jote, besë qene. 

Dy vargjet e para lidhen me asonancën verdhë-shpellë. Katër vargjet pasuese lidhen nga rimat tënde-kuvende- tënde- qene, themi rima se në dialekt e-ja lexohet ë. Refreni “moj lesh-o-verdh-o”, ka një mbivënie metrike për të plotësuar tetërrokëshin, përdor epitezën, këtë mjet letrar karakteristik për poezinë popullore; pra siç vërehet rimerr fjalën e fundit të vargut paraardhës, dy herë merr vetëm dy rrokje nga kjo fjalë e fundit. 

Refreni pas çdo vargu është si më poshtë: 
verdhë moj lesh-o-verdh-o, 
shpellë moj lesh-o-verdh-o 
tënde moj lesh-o-verdh-o. 
vende moj lesh-o-verdh-o, 
tënde moj lesh-o-verdh-o, 
qene moj lesh-o-verdh-o.

Në gjithsej 32 fjalë të tekstit, bashkë me refrenin, fjala “verdhë, leshverdhë” përsëriten 8 herë; fjalët “shpellë” dhe “besë” nga tri herë. Pra, ato mund të quhen dhe fjalët kyçe të tekstit. Në këtë grusht fjalësh përsëritja në fund të vargut e në krye të refrenit, përsëritja e fjalës brenda vargut është mjeti artistik që përforcon përqendrimin më të lartë kuptimor dhe emocional te fjalët kyç të këngës. 
Fjalët e fundit të vargjeve marrin më shumë peshë, qëkur, bashkë me “moj lesh-o-verdh-o”, përsëriten në refrenin pas çdo vargu. Madje, shpellë… leshverdhë, verdhë… leshverdhë, vende… leshverdhë, qene… leshverdhë mund të duken si atribute të leshverdhës. 

Odisjea dhe sirenat (Circet) në një amforë të antikitetit grek

Nisur nga melodia, jo nga teksti i shkruar, fjala e fundit e vargjeve del si fjala e parë e vargut pasardhës, domethënë e refrenit. Melodia thyhet në gjashtë rrokje për vargun e parë dhe zgjerohet në tetë rrokje për refrenin. Thyerje, bartje, rrëfim i thatë, lakonik e i mbytur në vargun e parë, shfrim e melodizim në refren. 
Një rrëfim në më pak se një fjali: shpella është shtëpi, kuvendimi- marrëveshje, besë; Leshverdha është kunadhe, shpellë, kuvendim-lajkatim dhe qene, besë-pabesi. Këtë e mbështet dhe përzgjedhja e ngjyrës së verdhë që ka konotacion të diskutueshëm. Veprimi: burri i kredhur në dimërim. 

Circja në bronz, skulpturë antike

Një brengë buron prej gjithë kësaj. Edhe teksti i kësaj kënge është tjetër. 
Kunadheja leshverdhë, verdhë moj leshverdhë, shënon atë që ka shkaktuar dramën. Pa të nuk do të flitej, nuk do të këndohej. 
Si këngë mbahet shtruar dhe rëndë, zgjatur. Në të çdo fjalë merr vlerë në tekst me ngjeshjen më lakonike të mundur si fjalë dhe me kuptimin më të gjerë e më shprehës si nëntekst. Madje “moj, ë, o” u shtohen fjalëve thelbësore, për t’i kursyer fjalët, jo për ta shtrirë, por për ta shtrënguar e përqendruar theksin e asaj që kumtohet. 


Amforë e zbuluar në ishullin e Korintit me figurën e Circes

Foljet në këtë tekst janë vetëm tri: dimëron, lajkose, shpure. Të tria në vetën e dytë. Njëra e kohës së tashme, dimëron, por kjo për të shprehur pozicionin e çastit kur këndohet, por kurdoherë ruhet raporti dy palësh. Dy të tjerat në të kryerën e thjeshtë, në të shkuarën, koha e ndodhisë që rrëfehet. Lajkose, folje e ligjërimit të thjeshtë, e zgjedhur me kujdes për të shprehur mllefin dhe përbuzjen e thellë ndaj vetes, ironizomi për ç’ka ka pësuar duke i ngrënë në të thatë lajkat kurthore. Më shpure në besën tënde, më bëre si veten, nuk ka rëndësi primare se si është ajo, po si arrita e u katandisa edhe unë deri në atë pikë. Mos përcaktimi verbal i keqësisë së saj, por trajtuar si nënshtresë kuptimore e bën më të rëndë dënimin dhe mllefin ndaj saj, sepse ai nuk kursehet t’i vërë vetes epitetet më poshtëruese, ndaj ajo kuptohet se është përtej asaj, së cilës nuk i gjendet dot fjala e përshtatshme për ta përshkruar. 

Janë pesë emra, ku emri shpellë, përsëritet dy herë dhe emri besë, tri herë; janë vetëm dy mbiemra: leshverdhë dhe qene; përemra: tënde dhe jote. 
Në këtë këngë zbatohet ai parimi i madh i poezisë që fjalët vihen në pranga, ndërkohë që mendimet marrin flatra. Flatra fryme përtej lëndës. Fryma jo lënda e përbën poezinë. 
Përveç përsëritjeve që i kemi thënë, ia vlen të vërehet se fjala kuvende në këngë përdoret në dy funksione: kuvende në tekst dhe, e ndarë në rrokje, vende (në refren). Se burrit i dhembin edhe vendet ku janë bërë ca kuvende. Po kështu dhe mbiemri është leshverdhë në tekst dhe, i thyer, vetëm verdhë në refrenin pasuses. Ngjyra, detaji, vret më shumë se tërësia e flokëve. Nuk ka kuvende pa vende, nuk ka flokë e sy pa ngjyrë, cilësi që të pik e të vret më shumë sesa vetë objekti. Nuk ka grua në tërësi, ka vetëm një grua, grua në njëjës, në cilësitë vetjake e të papërsëritshme të saj. 

E vlen të ndalemi veçan në emrin besë. Emër që në dy vargje përsëritet tri herë, emër i përforcuar dhe nga përemri, tënde e mbiemri, qene. Madje tënde (jotja, jo e tjetërkujt) dhe qene dalin si fjala e parë e refrenit. Besë qene, (jo besë qensh), pabesi e papandehur, e ultë, poshtruese, pa pasur arsye; ç’të bëra(!), vetë më grishe, më shpellose e më fundose. 
Burri këtu parashtron kodin e besës së tij që është keqkuptuar, apo pendimin se e kanë manipuluar me lajka dhe e kanë shtënë në thes? Sidoqoftë, flitet për dy lloje besash, më shumë se për thyerje të së njëjtës besë për të dy. 

Po ta marrim të mirëqenë se burri e di që më parë se kunadhja është e një bese (feje, bashkësie) tjetër, pse e ka pranuar kunadhen? Pra, burri për lajkat, për flokët e verdha ka tradhtuar besën e tij dhe, kur ka ndier se ka rënë në kurth, është zgjuar? Bëhet fjalë për një ngatërresë kodesh, kulturash apo për diçka tjetër? Nuk sqarohet gjë, por as nuk mund të mos shqyrtohet e merret në konsideratë. Mos midis burrit e gruas ka dhe disa kode të tjera që janë mbi kodet etiko-morale a lokale, disa të vërteta universale që janë përtej hapësirës dhe kohës reale? 
Disa nga këto pyetje do marrin përgjigje në vijim. Tani për tani mjafton të themi se më tepër se për një burrë të prerë në besë, flitet për një burrë të zhburrëruar nga një grua. 

2. 
Po pse këndohet? Lirika e Jugut është e ngjeshur, e kursyer si një ndërtim, veç me ca gurë të stërmëdhenj ngjitur me njëri-tjetrin, të vënë njërin mbi tjetrin, mbyllur si një guvë ku nuk ka hapësira, veç ca dritareza përmes të cilave mund e s’mund të vështrosh dot… Fryma e zënë nga këta gurë të zymtë e në pirg mbi njëri-tjetrin, shpërthen e gufon rënkushëm veç në melodinë e zërave burrërorë të këngës polifonike të burrave, dhe ata të përkulur mbi veten, të qarkuar kokë më kokë, pirg… 

Nostalgji, peng e zymti nga dalin fjalët zeher, verdhë, moj leshverdhë… shndritja verbuese e magjisë së të bukurës. Një grua ia ka punuar paq një burri. E ka tërhequr në strofullën e saj, e ka mjeshtëruar si ka dashur e siç ka ditur vetëm ajo dhe e ka mbyllur aty: në një shpellë pa kyçe e pa dritare. Ai derton nga ajo shpellë. Fizikisht ka dalë, por i ngjan se ai ecën e jeton ngado me atë shpellë mbi vete, e ai nuk e duron dot, do ta hapë, ta shkërmoqë shpellën e vetes. Këndon humbjen, hedh në erë sedrën. Ia vlen të humbësh? A ka shanse kthimi… Vetëm dhembja, rrënimi i kanë mbetur. Aty në atë shpellë, i ndryrë si “dreqi në shishe”, në “besë të qëne-s” poetizon të bukurën, e poetizon tani si rob i saj. Ajo që e robëroi, tej të gjithave, ishte dhe mbetet e bukur. Edhe se kunadhe, edhe se e pabesë… 
Por ky është fundi, në fillim ajo ishte vetëm marramendësja, magjikja verdhë leshverdhë. 
Këto burojnë nga emocioni që përcjell melodia, këngëtimi i burrave. Prapë teksti fillon ndryshe: Moj kunadheja leshverdhë, / dimëron përtej në shpellë. Edhe pse diçka ka evoluar, se atje tej në atë shpellë është kunadheja, jo burri që këndon, prap se prap paqëtimi i shpirtit nuk është arritur. 
Ai ka qenë atje, ka dalë, por shpirti i ka mbetur peng, atje… 

3. 
Një brengë, një zhgënjim i hidhur që nuk gjen tjetër rrugëdalje, veç të mbytet në vetvete, një pendim duhet ta ketë thurur këtë ngrehinë kënge. Sado që e thua, e këndon, ai mbetet prapë aty, nuk lëviz prej vendit. Nuk ka kompromis, nuk ka zgjidhje. Ka ndodhur dhe pikë. Mbetet si i tillë. Madje atij i bëhet një kullë me fjalë, fjalë të mbivëna si mollokë shpellash që shtypin e ti nuk u shmangesh dot. 
Nuk është vajtim, as ankim, as thirrje për shpagë. Duhet vetëm t’u shtrohesh këtyre gurëve, mollokëve që të shtypin e të godasin pa pushim… Asgjë më shumë. Ata tashmë janë sipër teje. 
Veç diku-diku shpërthen sharja, qene, bushtër – më shumë se e pabesë. Dredhia, lajkosja me kuvende… kanë qenë mjeti. Pabesi e llogaritur. Dhe në kurthin e ngritur ke rënë. Ke dashur të biesh a ke qenë i papërgatitur për t’i shpëtuar kurthit? Ku i dihet, mbase të dyja. Dikush, duke të tundur një palë leshëra të verdhë, të joshi në shtëpinë e dimrit, të shpellosi e ta bëri jetën dimër. Dhe tani ti je i kyçur aty. I vetmuar. Shtriga, e bukura, femra fatale, me flokët e me lajkat të ka tërhequr e të ka braktisur atje tej te shpellat, te pylli, te bishat, jo te njerëzit. 

Gjykuar nga fjalët kyç, shpella dhe flokët e verdha, ku shpella është seksi, flokët e verdha – e bukura, dhe shpella në dimër është izolimi, mbyllja në fajësi e braktisje – bëjnë të besosh se të vërtetat që bartin e shprehin, janë të patjetërsueshme. Joshja ndaj flokëve të verdhë (të bukurës) dhe ndaj shpellës (seksit) mbeten e vazhdojnë t’i tundojnë sekset (burra a gra qofshin) edhe sot e përgjithmonë. Dhe, kur kjo joshje na del djallëzore, humbja që pësojmë është shumë e hidhur se; sjell zhgënjim, brengë, mpaktësim që nuk ka shteg tjetër veç vetëndëshkimit. Shpella, nga vendi i kënaqësisë, kthehet në kyçje, në burg, izolim, i cili është krejt impersonal, çdo gjë vjen si reagim i brendshëm. Madje, kaq i thellë e pezmatues është ky pendim sa nuk e shuan dot brenda vetes tënde, por e derton edhe me të tjerët, e shpall. Me një fjalë është drama e vetvetes. 

Dy temat e fjalëve kyç shpallen që në vargjet e parë e godasin paprerë përmes riformimit deri në rrokjen e fundit: shpella dhe flokët e verdhë, shtëpia – shpellë dhe flokët e verdhë. Prarimi i atyre flokëve të verdhë farfuritës, nuk dobësohet as në përsëritjet brenda një vargu – verdhë, moj lesh-o verdh-o – vjen e bëhet verbuese, dallgëzuese, e magjishme, që as e zëmë e as e lëshojmë dot. Kjo magji bukurie në joshjen e saj, shndërruar më pas në zi e terr të shpellës kontrastojnë ashpër, por nuk ia lëshojnë vendin njëra-tjetrës. Shkëlqimi nuk shndërrohet në terrojë. Jo. Ai shkëlqen edhe kur shkakton terrësinë, se këtë veti të allasojtë e ka zhgënjimi.

Pra, nuk fyhen e mallkohen flokët e verdhë, por përdorja e tyre si mjet i kurthimit, është i pa pranueshëm, pavarësisht se tamam kjo ka ndodhur. Kështu, në çdo rast, e bukura mund ta shkaktojë të shemtuarën jo si thelb, por si funksion, e përdorur si kurth në shërbim të së mbrapshtës. Në pesë vargje flokët e verdhë vijnë vërdallë si shtojzavalle gjashtë herë. Ata shëndrijnë e dallgëzojnë mbi zinë e shpellës dhe dimërimin, të cilët vetë i kanë shkaktuar për t’ia mjeruar shpirtin një burri. 
Këtu fshihet bukuria e pashoqe e kësaj kënge që vazhdon të përcjellë brengë. 

4. 
Pa u hequr asgjë këtyre që thamë më lart, burri i kësaj kënge nuk është protagonist, lojën dhe gjithë ç’ndodh i predominon kunadheja leshverdhë. 
Kunadhe-ja apo shqarthi, siç quhet në zona të tjera të Shqipërisë, është një kafshë e vogël dhe egër e pyjeve, dëmi i saj është ndër pula dhe fruta, se ushqehet me arra, lajthi e fruta të tjera, por është e shkathët dhe e çmuar për lëkurën me qime të buta. Me gëzofin e saj stoliseshin e stolisen jakat e mantove të grave të shoqërisë së lartë. Në këtë këngë kunadhe-ja simbolizon femrën. Detaji më imponues, më mbresëlënës në tekst mbetet floku i artë. Madje ai del mbi mbartësen (kunadhen) që shënohet vetëm një herë, në vargun e parë. Një burrë ka dalë të gjuajë këta flokë të verdhë, por ka mbetur vetë i gjuajtur, i plagosur, që nuk gjen shërim. Ecja pas hijes, dukjes e zhdukjes së tyre që ngjajnë të pafajshëm e kanë tërhequr deri në shpellë, ku ka mbetur mbyllur rob i kënaqësisë dhe i dëshpërimit, i izolimit dhe i dimërimit. 

Në fillesë të këngës, ai është përtej kësaj magjie të zezë. Ai tashmë shfren për një pësim, për një zhgënjim që nuk mund të ndreqet më. E ka pësuar keq, aq keq sa ngjan krejt i paralizuar, nuk di ç’të bëjë, si të veprojë, ka mbetur pa fjalë e pa fuqi vepruese me atë barrë mbi shpatulla dhe atë përvojë që kurrë nuk mund ta zgjidhë e të lirohet prej saj. 
Çfarë ka ndodhur? Flokët e artë janë kurth? Po sa kurthe ka jeta… E kanë zënë në flagrancë? E kanë dorëzuar te hasmi, armiqtë e tij? Jo… Simbolika nuk i përjashton si mundësi, por nuk thuhen në këngë. Mos e kanë tërhequr për ta përfshirë në një bashkësi tjetër, të huaj për të, familjen dhe miqtë e dherat e tij? Jo, as kjo s’ka ndodhur… Atë e kanë shpënë vetëm pak më tej, në një hapësirë që nuk fjalëtohet por veç na jepet përmes cilësorëve përafrues si, dimër, shpellë, një çudi mahitëse pranë nesh, ja atje tej pas verdhë-osë – kaq thotë kënga – dhe kjo është më e rëndë se ato që thamë më lart, sa nuk mbahet dot. 

5. 
Dallgëzimi i flokëve të verdhë ndritës kundrejt errësirës së shpellës dhe dimërimit kontrastojnë dukshëm dhe e mbajnë situatën në dramaticitet të vazhdueshëm, siç del nga teksti, nga fjalët kyçe të këngës. 
Por në tre vargjet e fundit ndërhyjnë fjalët shtëpi-shpellë, besë-qene. Shtëpia dhe besa nga pikëpamja antropologjike janë dy elementët më të vlerësuar të etnosit e etosit shqiptar. Pa hyrë në interpretime të këtij lloji, shtëpia është shndërruar në shpellë dhe besa në qenëri. Këto shndërrime të çojnë larg botës së zakonshme, të joshin shtigjeve të pyllit, në botën e ëndrrave, bimëve, zogjve e shtazëve, kodet e të cilëve janë të tjera. Kjo gjë, shtazërimi, ka ndodhur, se e ka pësuar burri, ligjëruesi i këngës. Ai do ta thotë, por nuk di se si ta përcaktojë, ai rreket të na e shpjegojë, por nuk e di sesi ta bëjë. Dhe kjo është më e rëndë se burgimi, prangosja, tradhtia, mërgimi ndër të huaj. Burri pranon se është vënë në pozitën e bishës, e kafshës së shpellave, në dimër, në vendbanimin e bishave. Pësimi i tillë shpirtëror, degdisja në nivelin e bishave, është i konkretizuar në vargje e në situatë. 

Por klithma në melodinë e burrave prapë mbetet: verdhë moj lesh o verdh oo. Jo bukuria fizike, por veprimi shpirtëror bëhet shkak i pësimit të rëndë, i shtazërimit të burrit. 
Në anën tjetër, tragjiciteti tashmë, pësimi tragjik, sikur rreh të justifikohet, përligjet, nënkuptueshëm me atë që burri jo vetëm nuk e fsheh edhe pas pësimit, bukurinë e flokëve të verdhë, por moralisht edhe atë se ai ka dhënë besë, kur tjetri (tjetra) që në krye është nisur për ta prerë në besë. Burri ka dhënë dashuri, kur tjetri (tjetra) e ka manipuluar me bukuri, për ta degraduar në shtazëri. 
Në këtë rast nga sedra dhe nga mendësia e një burri të këtij etnosi dhe etosi nuk pranohet se ai është tradhtuar në dashuri, por në besë. Ai bën një transferim nga sfera ndjesore në atë morale. Për të një grua që nuk i përgjigjet dashurisë së tij, një dashurie-besë, ose që i përgjigjet vetëm përkohësisht, është veprim i dënueshëm, ose përmbysje e besës. Atëherë burri është besa dhe gruaja pabesia. Kjo logjikë përligj vetëm burrin. Por dhe e markon dhembjen e tij: një grua e ka dashur përkohësisht, por e zhgënjyer prej tij, i ka kthyer krahët. Logjika e ndjenjës këtë e pranon, por jo logjika burrërore e tradicionales. 

Tashmë një zhgënjim dashuror, shndërrohet në zhgënjim moral. Janë dy sfera krejtësisht të ndryshme. Por “burri” nuk mund t’i japë shpjegim tjetër zhgënjimit të tij. 
Ajo që mbetet atje lart në ajrin e këngës është prapë kunadheja leshverdhë, bukuria e pakapshme dhe jo lehtësisht e krejtësisht e zotërueshme. Ato mbeten të bukura dhe tej zhgënjimit dhe shtazërimit të atij që e ka pësuar. Në këtë optikë fjala, teksti, melodia janë më të mençura sesa morali, kuptimet mbi besën a pabesinë. Teksi është më i mençuri. 
Britma ooo lesh oo mooj leshverdh ooo flasin për magjepsjen e sëmurë të burrit edhe pasi ai ka rënë në nivelin e shtazërimit nga shkaku i këtyre flokëve të verdhë. Burri ende është i joshur, i çmendur pas tyre, përderisa i vajton edhe në shtazërimin e tij në shpellë, në dimër këta flokë të verdhë. Nuk ka dalë nga magjia e kunadhes leshverdhë. Është një burrë i fortë. Por mirë t’i bëhet! Flokët e verdhë sot e përgjithmonë do të jenë kërcënues për të. Për besën dhe për shtëpinë e tij. 
Po këndon, ja, e dëgjoni… Mbytur. Si në sëmundje e zi. Kapërdirë dhe përmbajtur. Tërhequr thellë në brinjë e eshtra. Si vuajtje që do të të shoqërojë në të gjithë jetësinë tënde. Edhe se nuk do ta pranosh. 

Ndaj këndon, kur pija i ka rënë paksa në kokë. Kur mund të jetë i hapur ndaj dobësive të tij. Edhe… edhe se po thërret si dëshmitar veten, pra, burrin, njeriun në nyjën më tragjike, në çastin kur ai ndëshkon veten e tij. 
Në një këngë kaçakësh, të mbyllur në bodrumet e nëndheshme të kështjellave, ky çast këndohet kështu: 
Koka e qenit, moj qene, 
Që s’dite për veten tënde, 
Nga bodrumet nuk u trembe. 
Bodrum natë e bodrum ditë 
Të mbyti kandilja sytë. 
Vetëndëshkim i një zemre të egër, i një kokëkrisje prej kaçaku. Por e ardhur tëhu në kohë. Koha e kunadhes rrëshqet e fshehur diku thellë në humbëtirën e në muzgjet e shekujve. Dhe vetëndëshkimi, sado që zbutet nga flokët e verdhë, mbetet i pashpresë, i pa ngushëlluar. 

6. 
Tani besoj e përfytyroni se cila mund të jetë kjo grua, kjo magjistare, kjo bukuri që u shkakton burrave një varg ndëshkimi e vetëndëshkimi të pa fund. 
Ajo zbulohet që në vargun madhështor “Dimëron përtej në shpellë”, një nga vargjet më të shkëlqyera të lirikës dashurore shqiptare. Po si vallë? 
Dimëron përtej në shpellë… një nderje në eter, pa adresë por jo në hava, e ka një strofull ku mblidhet, izolohet e përhap sfidë. Një ndjeshmëri sublime, një veprim pavetor, pavetësi që ia jep folja jokalimtare dimëron, folje e tipit veson, vetëtin e shungullon, veron, gjëmon. Kush dimëron përtej në shpellë? Në shpella nuk ka stinë, nuk ka dritë. Dimërojnë arinjtë, kunadhet e maleve? Dimëron vetë dimri? Një situatë e endur në eterin e së përjetshmes, e së pakufizuarës në kohë. Dimëron leshverdha e këngës? Heronjtë e legjendave? Një situatë, një largësi… sikur këtu në tokë, sikur lart në hënë, ku nuk ka bimësi, ku nuk ka stinë të tjera. 

Ky varg që për nga madhështia zymtane, stoike është i denjë për epikën heroiko-legjendare, paraqet klimën e përjetshme ku mbretëron një grua leshverdhë, që herë-herë josh burra në shpellë, në shtëpinë e saj. 
Cila është kjo grua flokëverdhë që jeton në këto thellësi të përjetshme, të mbështjella me fshehtësi të akullt? 
Kjo grua e lirikës shqiptare ka hijen e Circes së Homerit. Ajo jeton larg viseve të banuara nga njerëzit, në vetmi e në një dimër të përjetshëm. Josh e mashtron burra, i tërheq përkohësisht në banesën e saj, i shtazëron, pastaj i çliron. 
Por magjia që u ka bërë, ende e vazhdon veprimin edhe kur ata janë larg prej saj.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dita e Pavarësisë, Presidenti Begaj mirëpret fëmijët shqiptaro- amerikanë: Ruajnë dashurinë për vendin dhe traditat

Dita e Pavarësisë, Presidenti Begaj mirëpret fëmijët shqiptaro- amerikanë: Ruajnë dashurinë për vendin dhe traditat