Hijet dhe makthet
e Fatos Kongolit

Hijet dhe makthet<br />e Fatos Kongolit
Dy romanet e fundit “Si-do-re-la” dhe “ Njeriu me fat” shënojnë, atë që edhe vetë Fatos Kongoli e konsideron si periudha e tretë e shkrimtarisë së tij. Për një pjesë të atyre që bëjnë kritikë dhe analizë letrare, u duk sikur, pas plotë tetë romanesh, pjesë e tetralogjisë “Burgjet e kujtesës”,  të shkruara gjatë periudhës së dytë, Kongoli ja doli të çlirojë veten dhe lexuesin e tij nga dhimbjet e së kaluarës dhe ankthet e hijeve të vjetra. Në të vërtet, një përfundim të tillë e ka rrëzuar vetë Kongoli me romanin e tij, të fundit, “Njeriu me Fat”.

Janë të shumta shenjat në këtë roman, që të bëjnë të besosh se Kongoli dhe peronazhet e tij nuk janë çliruar nga hijet dhe makthet e tyre. Dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Përfytyroni, për një moment, se si mund të ishte letërsia botërore pa atë pjesë të saj burimi i të cilës janë makthet dhe fatet tragjikë të personazheve. Edhe pse vërtet “vjen një ditë kur njeriut i duket se i ka larë hesapet me botën, i është mbyllur cikli dhe përditëshmja. Edhe makthet e reja kongoliane nuk e kanë më burimin te e shkuara por e kanë te e tashmja.

Përditshmëria në romanin e fundit të Kongolit vjen dhe merr formën e ankthit ekzistencial, përhumbjes absurde dhe fatit të prashkruar tragjikisht. Letërsia e Kongolit vazhdon të krijojë, te lexuesi, idenë se jeta është një makth pa fund ku ëndrra dhe zhgjëndra, realiteti i "vërtetë" dhe "realiteti që krijon" personazhi bashkohen dhe shkrihen në një pikë duke u bërë një. Kjo atmosferë ndihet që në faqet e para të romanit ku inspektor Sabit Kurti, një personazh me histori vijuese prej romaneve të tjera, konsumon çdo mëngjes një bisedë irreale me fotografinë e bashkëshortes së tij të vdekur prej katër vitesh. Natyrisht që është profesori i gjuhës frënge Gentian Engjëllli ai brenda të cilit Kongoli ka mbjellë farën e personazhit klasik kongolian.

I pazoti të marrë vendime, me dëshira të ngulmëta erotike për të zotëruar bashkëshorten e tij, me një jetë monotone rituali i së cilës përsëritet çdo ditë në një mënyrë drejtvizore, i munduar vazhdimisht nga një ndjesi prej paraziti dhe në kërkim të vazhdueshëm të një personazhi që do të kthehet në enigmën më të madhe të jetës së tij.  Ecejaket e tij midis Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Bibliotekës Kombëtare ku shpesh nuk përfundon as te njëra dhe as të tjera, përsiatjet e pallogjikshme në momentin kur ai zbulon pusullën e tradhëtisë bashkëshortore e bëjnë personazhin të ngjashëm me sivëllezërit e tij të letërsisë absurde dhe ekzistenciale. Situata të tjera, tipike absurde, si rasti kur prindërit e një vajze të zhdukur “e panë në morg trupin e pajetë të vajzës, u mbytën në lot, dhe në fund bënë deklaratën më të papritur. E vrara ngjante vërtet me vajzën e tyre, por nuk ishte ajo”, janë të shumta në roman.

Prezenca e një inspektori policie, informacioni paralajmërues për planifikimin e një krimi, puna për parandalimin e tij i ka shtyrë kritikët dhe lexuesit ta konsiderojnë këtë roman me ngjyrat e një romani policesk. Bile ndonjë syresh shkon deri aty sa të bëj punën e policit duke dalë në përfundimin se vrasja e Gentian Engjëllit është aksidentale, ngatërrim emrash në regjistrin e hotelit. Të tjerë, nisur nga këmbëngulja e tij anormale për të gjetur Vegën, personazhin me të cilin ndihet i dashuruar, i mëshojnë ngjyrës rozë të romanit duke e shpjeguar vdekjen e tij me argumente lidhjesh intime. Ndërkohë që Gentian Engjëlli nuk është as rasti aksidental i një ngatërrese fatale dhe as viktim e ndezjeve  pasionante.

Ngyrimin policor të romanit, i ngritur si një kurth për të fshehur të vërtetën e vdekjes së vdekjes së Gentianit, (nuk ka kuptim fshehja nëse nuk është dikush që kërkon) e rrëzon vetë autori. ”Informacioni vinte nga një burim në diasporë prej një informatori vullnetar” tingëllon si artificiale dhe jo bindëse për të angazhuar seriozisht strukturat përkatëse. Puna e inspektor Sabit Kurtit më shumë se sa në funksion të zbulimit apo parandalimit të një krimi është në funksion të zbulimit dhe vizatimit të personazheve të rrezikuara prej vetë historive të tyre. Edhe inspektori, as në detyrë dhe as në pension i shtohet galerisë së personazheve as në tokë e as në qiell, as këtej e as andej, as pro dhe as kundra këtij realiteti. I vetëm dhe i huaj edhe ai por jo aq sa Gentian Engjëlli i cili zhytet në vetminë e tij edhe si pasojë e një neutraliteti dhe distance që ka mbajtur Kongoli ndaj tij.

Mund të jetë ndër të rrallët personazhe që autori kujdeset të mos shprehë asnjë emocion, konsideratë apo mendim ndaj tij. Kjo e bën akoma edhe më të huaj personazhin duke e lënë të vetëm deri edhe në përballjen finale me vdekjen e tij ku edhe aty autori nuk ka pranuar t’i vendosë dëshmitarë. As edhe shpjegimi përmes këndvështrimit erotik nuk mund të jetë i plotë pasi erosi në këtë roman është si një shtrat lumi i formuar nga tre burime tërësisht të ndryshme. I pari, një marrdhënie irreale midis Gentianit dhe Vegës. I dyti, një marrdhënie e dështuar ku pas një kohe të gjatë që çifti nuk ndante më të njëjtin krevat bashkëshortor si rezultat i bezdisjes së Kleopatrës (gruas së Gentianit) nga gërrhitjet e Gentianit, ky i fundit mjaftohet vetëm duke fantazuar skena ku ja del të zotëroj trupin e bashkëshortes së tij. Linja e tretë është linja e marrdhënieve jashtëmartesore që e bën akoma edhe më të pa mundur shpjegimin e fundit të Gentian Engjëllit.

Mbetet që shpjegimet të gjenden vetëm brenda Gentian Engjëllit. Ndryshe nga Thesar Lumi, një tjetër personazh ky i Fatos Kongolit, të cilin tashmë e kemi pranuar si ‘I humburi”, Gentian Engjëlli na ofrohet si “I munduri”. Në ndryshim nga Thesar Lumi i cili shtronte pyetje, revoltohej dhe reagonte, Gentian Engjëlli është në paqe me humbjet e tij të vazhdueshme dhe e ka pranuar idenë e vdekjes së tij të përditshme. Vdekja e vërtetë e Gentian Engjëllit është pikërisht momenti kur ai vendos që të mësohet me idenë e vdekjes së tij të përditëshme. Nëse vdekjet  tij të përditëshme janë edhe koleksioni i çmuar i humbjeve të tij, vdekja fizike është e vetmja fitore e tij. Vdekja e tij fizike nuk vjen si një surprizë.

Ajo, më shumë se sa e paralajmëruar, është e paracaktuar. Për autorin mbetej të vetëm të zgjedhë llojin e vdekjes. Ky është i vetmi moment ku Kongoli shpreh simpatinë e tij ndaj personazhit duke i ofruar mundësinë për t’i sfiduar me vdekjen e tij të gjithë mëkatarët e tjerë. Gentiani i Kongolit shkon drejt vdekjes i qetë, takohet me të i vetëm duke mos e ndarë këtë çast me askënd. Duket se Gentiani është i zgjedhuri i Kongolit që përmes vdekjes së tij t’i tregoj shoqërisë disa të vërteta mbi moralin e saj. Ky dimension e bën romanin “Njeriu me fat” një roman që do të duhej të provokonte një debat në shoqërinë shqiptare. Një roman që të shtyn në fund të tij të kërkosh diçka akoma të pastër brenda vetes e t’i thuash “ Schau mir in die Augen, Kleines!”

Shkrimi u publikua sot (12.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan