Zjarret në vendin tonë vijojnë të mbeten problematike edhe në këtë fund shtatori. Një vatër është regjistruar pasditen e sotme në Parkun Natyror të Viroit në Gjirokastër. Në zonë ndodhet shërbimi zjarrfikës dhe po punon për mospërhapjen e flakëve. Dyshohet se zjarri është i qëllimshëm ndaj edhe policia ka nisur hetimet.

Ndërkohë zjarri i rënë pasditen e sotme mbi zonën e Spitalit Rajonal të Vlorës është vënë nën kontroll. Edhe pse flakët u izoluan shërbimet zjarrfikëse ndodhen në terren për shmangien e riaktivizimit të vatrës.

Si pasojë e erës flakët iu afruan banesave, por tani nuk ka rrezik. Zjarri dogji gjithashtu edhe një sipërfaqe me bimësi.  Nën kontroll janë vënë edhe flakët mbi zonën e Llamanit në Himarë dhe ato në Drojë të Kurbinit.

Lajm ne perditesim..,

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:33
Zjarr në Parkun Natyror të Viroit në Gjirokastër, dyshohet i qëllimshëm

 

Një zjarr ka rënë në Parkun Natyror të Viroit në Gjirokastër.

Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.

Dyshohet se zjarri është i qëllimshëm ndaj policia po punon për kapjen e zjarrvënësit.

Ora 16:16
Zjarr në fshatin Drojë të Kurbinit, flakët djegin pyje dhe disa koshere bletësh! Rrezikohen banesat

 

Një zjarr ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi në fshatin Drojë të Kurbinit.

Flakët janë shfaqur fillimisht në shkurre dhe ferra, ndërsa më pas janë përhapur në një masiv pyjor privat. Si pasojë e zjarrit janë djegur edhe disa koshere bletësh.

Situata është bërë shqetësuese pasi flakët iu afruan banesave, duke rrezikuar përhapjen e zjarrit drejt tyre.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të Kurbinit, të cilat bënë të mundur vënien nën kontroll të vatrës së zjarrit.

Ora 15:48
Vlora s'gjen 'qetësi', zjarr në zonën mbi Spitalin Rajonal! Flakët u afrohen banesave

Një zjarr ka rënë sot në zonën mbi Spitalin Rajonal të Vlorës, ndërsa, të ndihmuara nga era e fortë, kënë përparuar me shpejtësi duke u afruar edhe banesave aty pranë.

Zjarrfikësit po punojnë për izolimin e flakëve.

Ora 10:56
Tjetër zjarr në Vlorë, përfshihet nga flakët një stan në Akërni (VIDEO)

 

Një stan është përfshirë nga flakët në zonën e Akërnisë. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet zjarrfikëse të Vlorës janë nisur me shpejtësi drejt vendngjarjes për të ndërhyrë dhe për të vendosur situatën nën kontroll.

Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa po punohet për shuarjen e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së tyre në zonat përreth.