Himni më magjik që kam lexuar në jetë për Punën

Himni më magjik që kam lexuar në jetë për Punën

Që e vogël, por edhe tani, më bën përshtypje një përshëndetje që kemi ne shqiptarët. Sa herë që dikush ma thotë, është si një thikë e padukshme që më përshkon pa kuptim: "A u lodhe? A u mërzite?" Më duket si një pyetje ndjellakeqe të cilës ndonjëherë edhe vetë nuk i shpëtoj.

Për mua, që edhe në shkollë, në punë, në shoqëri, në familje, rri, qëndroj, punoj plot gëzim, stonon. Prandaj, kur lexova tek Profeti i Khalil Gibranit për Punën, mendova ta ndaj me kë, nuk ka pasur mundësinë ta njohë e ta lexojë. Mendoj, se ndoshta, duhet ta shohim e të kemi një përqasje tjetër ndaj aktivitetit që na merr një pjesë ta madhe të jetës. Sepse, shoh të rinj, që pavarësisht moshës e lehtësisë së ekzistencës, shfryjnë e nuk janë të gëzuar, sikur puna, profesioni u rëndon si më i rëndi gur në botë.

Ja ç'thotë për Punën, Profeti i shkrimtarit më të madh libanezo-amerikan

Atëherë fshatari tha:
Na flit për Punën.
Dhe ai u përgjigj: 
Ju punoni për të mbajtur ritmin me Tokën dhe me shpirtin e saj. Pasi të rrish pa bërë gjë je i huaj për stinët, dhe largohesh nga rrugëtimi i jetës që përparon i madhërishëm me përulje krenare drejt pafundësisë.

Kur ju punoni, jeni një flaut që përmes shpirtit të tij transformon në muzikë përshpëritjen e jetës.  Kush do të donte të ishte një kallam memec, kur të gjithë të tjerët këndojnë njëzëri? Ju është thënë gjithnjë se puna është një mallkim dhe lodhja një fatkeqësi.
Por unë ju them se kur punoni, përmbushni një pjesë nga ëndrra më e përparuar e Tokës, që ju besua juve, kur ajo ëndërr lindi.
Dhe, duke mbështetur veten tuaj me punë, dashuroni në të vërtetë jetën,
Dhe, që duke dashuruar jetën në punë, ju jetoni ngushtë me sekretin më të thellë të jetës.
Por, nëse në vuajtjen tuaj thoni se, që lindët është një torturë dhe se të sforcosh mishin është një mallkim i shkruar në ballë,
unë ju them se asgjë veç djersës së ballit do të lajë atë që aty është shkruar.
Ju kanë thënë edhe se jeta është e errët dhe në lodhjen tuaj u bëni jehonë çka thanë të lodhurit.
Ndërsa unë ju them se jeta është vërtetë errësirë nëse në të s'ka gjallëri.
Dhe se çdo lëvizje është e verbër, nëse nuk ka dituri,
Dhe se çdo dituri është e kotë, nëse nuk ka veprim,
Dhe se çdo veprim është bosh, nëse bëhet pa dashuri.
Kur punoni me dashuri lidhni veten me vetveten dhe me njëri-tjetrin,
dhe me Zotin.
.................
E ç'është puna me dashuri?
Eshtë të thurësh pëlhurën me fijet e zemrës, sikur do ta vishte ajo që dashuroni.
Eshtë të ndërtosh një shtëpi me dashuri, sikur kush dashuroni, në të do të jetonte.
Eshtë të mbjellësh me ëmbëlsi dhe të korrësh grurin me gëzim, sikur, kush dashuroni, do ta hante.
Eshtë të mbruni çdo gjë që bëni me frymën e shpirtit tuaj,
Eshtë të dish se të gjithë të vdekurit e bekuar ju rrinë përreth dhe ju vëzhgojnë.

Ju kam dëgjuar shpesh të thoni, sikur flisni në gjumë, "Kush skalit mermerin dhe atje gjen formën e shpirtit të tij, është më fisnik se kush punon tokën; Dhe kush kap ylberin dhe e shtrin në një telajo në ngjashmëri të njeriut, është më i madh se kush bën sandale për këmbët tona"

Ndërsa unë, jo në gjumë, por në zgjimin më të qartë të ditës, ju them se era nuk i flet më hyjshëm lisave gjigandë se fijes së vogël të barit; Dhe se i madh është vetëm kush transformon zërin e erës në një këngë të bërë më të ëmbël nga dashuria e tij.
Puna është dashuria që bëhet e dukshme.
Nëse nuk mund të punoni me dashuri, por vetëm pa qejf, atëherë është më mirë ta lini punën, dhe uluni në derën e tempullit për të pranuar lëmoshën e kujt punon me gëzim. Sepse, nëse bëni bukën me indiferencë, do të bëni një bukë të hidhur që ushqen vetëm përgjysëm. Dhe nëse shtypni rrushin me dembelizëm, dembelizmi juaj do të distilojë helm në verë. Por edhe nëse këndoni si engjëj, por nuk e dashuroni këngën, do të mbyllni veshët e njeriut ndaj zhurmave të ditës dhe të natës.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Bravo: 11/04/2018 21:53

    .. sh e bukur!! Profetike dhe sh e ndjere si i vecanti e i Madhi K. Gibran!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite