Puna

Puna

Në vendin ku të shurdhonin planet, afatet, zotimet, premtimet, dhe të qorronin pankartat gjigande me puntorë pararojë, heronjtë e punës socialiste, kronikat, kooperativat, fushat, plugjet, traktorat, po të punoje të cilësonin "qen i punës", po të mos punoje të burgosnin "për parazitizëm".

E vetmja rrugëdalje nga kjo dilemë që zbatohej në masë, ishte të punoje pak dhe keq. Aq pak dhe aq keq sa të ishte e mundur. Deri te një prag, pas të cilit çfaqej rreziku me të transferu nga burgu i madh Shqipëri rrethuar me tela me gjëmba, në burgun e vogël në Spaç me tela me gjëmba, plus karakolla.

Kongreset e zhurmshme, plenumet e heshtur, mbledhjet nëpër ndërmarrje që ulurinin për punën, nuk arritën kurrë në asnjë vesh, nuk bën kurrë asnjë efekt.

Sa më tepër punë, aq më i madh rreziku të bije në sy dhe t'i bëje hije dikujt që betohej se do ta bënte, dhe ta bënte, gjëmën.
Punë quhej vetëm "puna e krahut", ajo që kryhej me muskuj, me gjymtyrë, këmbë e duar, ajo që të lodhte, si mekanik, marangoz, bujk, etj.

Puna e mendjes, puna intelektuale, nuk ekzistonte. Për lodhjen e mendjes s'bëhej fjalë. Aq e vërtetë është kjo, sa "Punë e mbarë" përshëndetnin vetëm ata që punonin me krahë. Kurrë ata që punonin në zyrë.

"Punë dreqi", "Punë muti" e kishin në majë të gjuhës për të gjitha punët dhe punëdashësit.

"Punë e madhe" se X punë u bë keq, a s'u bë fare, ironizonin punën e pamjaftueshme për shumçka që s'ndryshonte asgjë edhe nëse bëhej edhe nëse s'bëhej.

Pasi i shembën kishat e xhamiat dhe masakruan priftërinj e hoxhallarë, thoshin: Po të ishte e mirë puna, do punonte edhe prifti dhe hoxha.
Filani e vë punën përpara, ishte e vërtetë. Muhameti nga Laskoviku dhe Kristi nga Puka e vinin punën përpara, dhe vetë mbeteshin mbrapa.
Pëshpërinin me njëritjetrin:
Ata bëjn sikur më paguajnë, unë bëj sikur punoj.
Ose: Punoj aq sa më paguajnë.

"Puna me njerzit" demek edukimi i njerzve, ishte një dërdëllitja propagandistike orwelliane e neveritshme.
Ku kishte vetëm zhele dhe vërdallosje, thoshin: mos i shiko gunën por punën.
"Rroba pune" quheshin ca rrecka doku që kishin qënë nja tre a katër muaj të reja, por pas dhjetë vjetësh ende në trup mbuluar nga pisllëku s'kishte ku i kapte qeni.

Një gajasje më vete ishte "Pushim nga puna". Dukej sikur çoç do ndodhte. Por ishte vetëm kërcënim. Partia e Punës nuk të linte kurrë pa punë. Në mos në ofiçinën e pisët, në minierën e tmerrit ku sëmureshe dhe vdisje për pak vite. 
Përveç "shok shkolle", "shok ushtrie", "shok zborri", mund të kishe edhe "shok pune" që mund ta qerasje me ndonjë teke te klubi i lagjes nga frika mos të spiunonte.

Ishin aq të fiksuar pas punës inekzistente sa për çdolloj gjëje që nuk u përkiste thoshin "s'është puna ime".
Talleshin hokatarët me "orarin e punës":
Vërtet vij vonë në punë, por të paktën iki herët.

Ose me sloganin e kohës së punës "Ta shfrytëzojmë 8 orshin", për të cilin thoshin:
Orpo ne 8 orshin e shfrytëzojmë e kusur s'i lemë. "Puna" është të na shfrytëzojë 8 orshi ne.
Partia e Punës nxirrte gazetën "Puna", një llomotitje grafologjike e pështirë që me punën s'kishte asnjë lidhje.
"Puna vullnetare" zakonisht të dielave ishte një yxhym nëpër ara ku korrrej gruri për të mbledhur kallëzat e mbetura, ose për të vaditur e prashitur ullinjtë andej nga Baldushku. Të mos shkoje në "Punë vullnetare" të hiqnin ditën e punës së nesërme, të hënës, kur në punë do shkoje, por paret nuk do i merrje.

"Puna fizike" ishte 1 muaj në vit për nëpunsat e zyrave që shkonin te ca ara në periferi të qytetit ku, në vend të pastronin kanalet ujitëse si qe' llafi, shulloheshin në diell dhe ja kërrcisnin muhabetit.

"Dita e punës" së kooperativës ishte një vlerë monetare rrënqethëse e krahasueshme me vendet e urisë në Afrikë. Shkonte edhe 18 lekë të vjetra për 1 ditë pune, sa një paketë cigare Partizani pa filtër.

Filani e "Zvarrit punën" e paraqiste punën si një qen të ngordhur që duhet hedhur tutje.
"Lavdi punës", ishte slogan i rrallë.
Pas sloganeve për partinë, bukën, rrethimin, vigjilencën, puna dhe lavdia e saj, si të parëndësishëm, ishin të fundit.
"Punë me spec". Kur taksiratet shtoheshin, burgu dukej afër. Spiuni kishte bërë punën e vet.
"Punim shkencor", punë bythpambukësh që mbahen për të squtë por duhen vrarë të gjithë si të padobishëm.
"Populli puntor dhe liridashës" ishte po ky popull që është sot, i cili, përveçse puntor dhe liridashës, është bërë edhe llapaqen, zjarrvënës, hajdut, drogaxhi, trafikant që shet motrën, kriminel që vret gruan.
"Puna ime, "puna jote", "puna këtij", "puna e atij", ishin dëngla për "me u gjet Kola në punë".
"Puna heroike e klasës tonë punëtore për ndërtimin e veprave të pesë vjeçarëve..." ishin halucinacione donkishoteske për me mbajt veten me gajret nga tmerri dhe turpi për malet e hekurishtave që sillnin këtu Rusia dhe Kina.

Me rendiment zero sepse punë minus infinit, në Shqipërinë e Diktaturës punohej aq sa punon një i dënuar me vdekje në burg

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë