Të bësh ditë pushimi në emër të Europës, ndërkohë që krejt Europa punon, s’është gjë tjetër veç hipokrizi. Ashtu siç është hipokrizi t’ia improvizosh Europën në një rrugë kafenesh një populli të izoluar.

Ata deputetë që kanë miratuar ligjin, sipas të cilit 9 maji është festë zyrtare në Kosovë, i kanë bërë një shërbim të keq qytetarëve që i kanë votuar dhe vendit të tyre. Në emër të Europës, tash sa vjet kosovarët përçojnë mesazhe aspak europiane në Ditën e Europës. Krejt për fajin e disa dhjetëra përfaqësuesve të tyre, të cilët janë treguar më shumë se hipokritë duke e shënuar si festë, si ditë pushimi, e jo ditë pune e përkushtimi këtë datë të rëndësishme.

Kur më 9 maj të vitit 1950 Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman lexoi deklaratën në të cilën iu bënte thirrje disa vendeve europiane për të bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut, që do të ishte “themeli i parë konkret për një federatë të ardhshme europiane”, ai e kishte parasysh se ato shtete kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra-tjetrën.

Tash, 63 vjet më vonë, shtetet anëtare të Bashkimit Europian janë aty ku janë pasi që kanë punuar fort për t’u forcuar jo vetëm ekonomikisht. Por, institucionet e po këtyre shteteve punojnë edhe më 9 maj, e nuk bëjnë qejf siç ndodh në Kosovë.

Nuk jam ithtar i asaj që Dita e Europës të mos shënohet. Por, po, jam kundër që të festohet dhe, për më tepër, edhe të pushohet. Thua se njerëzit që punojnë në institucione janë lodhur aq shumë, sa që iu duhet kohë për pushim. Thua se aq shumë kanë punuar e po punojnë për integrimin e Kosovës në BE, sa që e meritojnë të relaksohen edhe një ditë më shumë.

Praktikisht jashtë rrugës së integrimeve, por “me perspektivë europiane”, Kosova është aq larg BE’së, sa që zhgënjimi sfidon edhe optimistët më të mëdhenj. Por, prapë, përfaqësues institucionesh gjejnë forcë e kanë fytyrë të na flasin për Europën dhe vlerat e saj, ndërsa me veprimet e tyre promovojnë krejt të tjera vlera.

Mund ta kesh plot gojën Europë, e në anën tjetër ta plaçkitësh shtetin.

Mund ta kesh plot gojën Europë, e në anën tjetër të dhunosh lirinë e qytetarëve.

Mund ta kesh plot gojën Europë, e në anën tjetër të shantazhosh e akuzosh ata që nuk mendojnë si ti.

Mund ta kesh plot gojën Europë, e në anën tjetër të përfitosh paligjshëm nga qytetarë të varfër.

Mund ta kesh plot gojën Europë, e në anën tjetër të bësh pak ose aspak për të përmirësuar jetën e po këtyre qytetarëve të varfër.

Mund ta kesh plot gojën Europë, e në anën tjetër të fitosh miliona brenda natës.

Mund ta kesh plot gojën Europë, e në anën tjetër të mos bësh asgjë për ta luftuar krimin e organizuar e korrupsionin.

Mund ta kesh plot gojën Europë, por me veprimet që bën të tregohesh plotësisht antieuropian.

Të mos e ruash, por ta shkatërrosh mjedisin ku jeton - kjo s’ka lidhje me Europën.

Të diskriminosh e të urresh bashkëqytetarët - kjo s’ka lidhje me Europën.

* * *

Ideja e kthimit të rrugës “Rexhep Luci” të kryeqytetit në rrugën “Europa”, qoftë edhe për një ditë të vetme, ishte kreative por edhe surrealiste dhe, në të njëjtën kohë, ilustronte më së miri raportet e kosovarëve dhe Kosovës me Europën.

Kafeteri që identifikoheshin me emrat e shteteve anëtare të BE’së dhe me flamujt përkatës, të mbushura plot të rinj. Të rinj që shkollohen e nuk kanë ku të punojnë. Të rinj që nuk mund të lëvizin lirshëm nëpër Europë, të rinj të izoluar, të getoizuar.

Të rinj që, duke pirë makiato, ëndërrojnë ta braktisin vendin, madje edhe në të zezë, për të jetuar më mirë diku atje - në Europë.

A simbolizonte vërtet kjo rrugë fillimin e rrugës së Kosovës drejt BE’së?

Rruga që mban emrin e një intelektuali, të cilin e vranë pikërisht pse deshi të mbrojë vlera europiane - të krijojë rregull, e jo t’ia lejë kryeqytetin kaosit.

Rruga e improvizuar “Europa” sikur tregonte më së miri për improvizimin e shtetit që i takojmë. Tregon se rruga drejt integrimit vazhdon të mbetet ende diçka e paprekshme, abstrakte.

Dhe, e tillë do të mbetet gjithnjë deri sa të provojmë që Europës t’i hyjmë në qef duke ia festuar ditën, e jo duke punuar për ta mbërritur atë. E tillë do të mbetet deri sa të bëhemi europianë me punë e sjellje, e jo veç me llafe.

* * *

Tash, kur Dita e Europës ka mbaruar bashkë me ëndrrën europiane, e i jemi kthyer realitetit të vrazhdtë, është mirë të reflektojmë dhe të shohim ku jemi. Në vend të festës të zgjedhim të punojmë, e të mos pushojmë as “për hatër” të Europës.

Ose, nëse doni, mund të vazhdojmë të tregohemi hipokritë. Ashtu e kemi edhe më lehtë.

Nga Imer Mushkolaj