TIRANE - Qeveria ka vendosur sot përjashtimin ose reduktimin nga tarifa vjetore e shkollimit për të gjithë studentët  pjesë e shtresave sociale në nevojë, që ndjekin programet e studimeve me kohë të plotë të ciklit të parë, programet e studimeve jouniversitare, profesionale, programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë.

Kështu në bazë të vendimit të marrë ditën e sotme në mbledhjen e qeverisë, është vendosur heqja e tarifës vjetore të shkollimit për ata studentë që ndjekin studimet me kohë të plotë në nivelin “Bachelor”, studime jouniversitare profesionale dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë “Master i Shkencave”, për ata studentë që që vijnë nga këto shtresa sociale:

a) personat që nuk shikojnë/dëgjojnë; 
b) invalidët e punës dhe fëmijët e tyre;
c) invalidët; 
ç)  invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe fëmijët e tyre; 
d) jetimët; 
dh) romët;
e) ballkano - egjiptianët; 
ë) personi, njëri nga prindërit e të cilit është ndarë nga jeta, dhe familja, në këtë rast, përfiton ndihmë ekonomike nga njësia përkatëse e qeverisjes vendore; 
f) ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politikë nga sistemi komunist ose fëmijët me prindër të dënuar politikë me heqje lirie;
g) fëmijët e policëve dhe të ushtarakëve të Forcave të Armatosura që kanë humbur jetën ose janë plagosur për shkak të detyrës; 
gj)  të prekurit nga HIV/AIDS.
 
Ndërsa në bazë të vendimit në fjalë, studentët pjesë e këtyre shtresave dhe që ndjekin ciklin e dytë të studimeve “Master Profesional” ose “Master i Shkencave”/ “Master i Arteve të Bukura”, me formë studimi me kohë të plotë, në institucionet publike të arsimit të lartë do të paguajnë 50% të tarifës vjetore të shkollimit. Vendimi i marrë nga qeveria do të hyjë në fuqi menjëherë.
 
Më poshtë vendimi i plotë i qeverisë:
 
VENDIM PËR PËRJASHTIMIN OSE REDUKTIMIN NGA TARIFA VJETORE E SHKOLLIMIT E STUDENTËVE QË NDJEKIN PROGRAMET E STUDIMEVE ME KOHË TË PLOTË TË CIKLIT TË PARË, PROGRAMET E STUDIMEVE JOUNIVERSITARE, PROFESIONALE, PROGRAMET E INTEGRUARA TË STUDIMEVE TË CIKLIT TË DYTË, SI DHE PROGRAMET E STUDIMEVE TË CIKLIT TË DYTË “MASTER PROFESIONAL” DHE “MASTER I SHKENCAVE”/“MASTER I ARTEVE TË BUKURA” NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË, PËR VITIN AKADEMIK 2014 - 2015
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 75, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, të ligjit nr.7748, datë 29.7.1993, “Për statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist”, të ndryshuar, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, dhe të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit studentët, që ndjekin ciklin e parë të studimeve “Bachelor”, programet e studimeve jouniversitare profesionale dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë “Master i Shkencave”, me formë studimi me kohë të plotë, në institucionet publike të arsimit të lartë dhe që vijnë nga këto shtresa sociale, si:
 
a) personat që nuk shikojnë/dëgjojnë; 
b) invalidët e punës dhe fëmijët e tyre;
c) invalidët; 
ç)  invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe fëmijët e tyre; 
d) jetimët; 
dh) romët;
e) ballkano - egjiptianët; 
ë) personi, njëri nga prindërit e të cilit është ndarë nga jeta, dhe familja, në këtë rast, përfiton ndihmë ekonomike nga njësia përkatëse e qeverisjes vendore; 
f) ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politikë nga sistemi komunist ose fëmijët me prindër të dënuar politikë me heqje lirie;
g) fëmijët e policëve dhe të ushtarakëve të Forcave të Armatosura që kanë humbur jetën ose janë plagosur për shkak të detyrës; 
gj)  të prekurit nga HIV/AIDS.
 
2. Paguajnë 50% të tarifës vjetore të shkollimit studentët, që ndjekin ciklin e dytë të studimeve “Master Profesional” ose “Master i Shkencave”/ “Master i Arteve të Bukura”, me formë studimi me kohë të plotë, në institucionet publike të arsimit të lartë dhe që vijnë nga shtresat sociale, si:
 
a) personat që nuk shikojnë/dëgjojnë;
b) invalidët e punës dhe fëmijët e tyre;
c) invalidët; 
ç)  invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe fëmijët e tyre; 
d) jetimët; 
dh)  romët;
e) ballkano - egjiptianët; 
ë) personi, njëri nga prindërit e të cilit është ndarë nga jeta, dhe familja, në këtë rast, përfiton ndihmë ekonomike nga njësia përkatëse e qeverisjes vendore; 
f) ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politikë nga sistemi komunist ose fëmijët me prindër të dënuar politikë me heqje lirie;
g) fëmijët e policëve dhe të ushtarakëve të Forcave të Armatosura që kanë humbur jetën ose janë plagosur për shkak të detyrës; 
gj) të prekurit nga HIV/AIDS.
 
3. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
 
 Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. 


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)