Më datën 2 prill të vitit 1946 në Ministrinë e Arsimit të asaj kohe, ka arritur një shkresë e drejtorit të Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, Zef Mala: Ajo do të paraqitet e plotë në vijim të shkrimit.
Ishte viti 1946, vetëm një vit e gjysëm pas përfundimit të luftës. Ishte koha kur fëmijtë qanin ndërsa shikonin një karamele, të cilën nuk e provonin që kur. Ishte koha kur edhe djathi mungonte, ishte koha e triskave dhe e rradhëve për të blerë këpucë, qoftë edhe grash, e vetëm të mos të të lageshin këmbët....Edhe unë e kam jetuar atë kohë.... E në atë kohë aq të vështirë njerëzit e kulturuar të shtetit mendonin për dijen dhe kulturën. Si një pjesë e kulturës dhe dijes ishte edhe Biblioteka dhe Muzeu Kombëtar. Edhe ky institucion i dijes vinte nga lufta me të gjitha peripecitë që kishte krijuar ajo, e që duheshin larguar. Por jo vetëm kaq, ideali i ri frymëzonte për një tjetër nivel, më të lartë, që të barazohej me Europën e përparuar, si edhe masivizimin, të penguar deri më atëherë nga inercia e trashëgimisë e të qenurit në perandori.
Biblioteka u shtua menjëherë: në të u “strehuan” librat e sekuestrua të Mit’hat Frashërit, të Lef Nosit, të Eqerem bej Vlorës, të T. Toçit, e sidomos të Bibliotekës së jezuitëve, që kishte 70000 volume, prej të cilave rreth 10000 albanologji dhe ballkanologji, me vlerë të madhe në studimet e kësaj fushe. E pasuruar befas mendohej që biblioteka në Tiranë të ishte nga më të mirat e Ballkanit dhe e krahasueshme në fushën e albanologjisë, me bibliotekat më të mira të Europës.
E për ta vënë në dispozicion të lexuesve të shumtë, që “rrinin në këmbë dhe pritnin rradhën që të lirohej ndonjë vend”, si edhe të studiuesve, nuk kërkohej shumë: duhej investuar për raftet e sistemimit të librave, paisja e sallave të leximit me karrike e tavolina, perdet për dritaret nga ku depërtonte një diell i padurueshëm, pastrimi nga pluhurat.
Shumë rregullime do të përballoheshin me punën e vetë personelit të bibliotekës, punë vullnetare jashtë orarit, ose me një shpërblim të arsyeshëm. Kështu p.sh. ishte prishur një mur ndarës e zmadhuar salla e leximit, ishin dyfishuar në lartësi raftet ekzistuese, etj.
Një vëmëndje e posaçme duhej të tregohej për inventarizimin dhe kartelizimin, e për këtë kërkohej shtesë personeli.
Muzeumi kishte probleme të tjera. Ngrihej me të madhe çështja e inventarizimit të objekteve arkeologjike dhe etnografike, jo vetëm për të parë se çfarë kishte humbur, apo vjedhur gjatë luftës, por që edhe të mundësohej ruajtja e sigurtë e tyre.
Vetë punonjësit krijuan mundësinë e më shumë sallave ekspozimi, tre gjithsej, si dhe menduan për të përshtatur si vitrina, ku do të vendoseshin veshjet karakteristike të shqiptarve, raftet që kishin në dispozicion. Vite më parë kam patur rastin t’i shoh ato rafte-vitrina, mobilje të vërteta me llustër, të punuara me kujdes, e që askush nuk u a dinte prejardhjen. Sot nuk janë më.
Vihej re një frymë kursimi, e domosdoshme për kohën e varfër dhe gatishmëria për të zgjidhur në një mënyrë sa më të shpejtë dhe praktike problemet që haseshin. Dhe i a dolën mbanë.
Ja, lexojeni letrën e Zef Malës, drejtorit të Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, për Ministrinë e Arsimit. (Në atë kohë Biblioteka dhe Muzeu Kombëtar ishin sistemuar në atë ndërtesë, ku sot është selia e të përndjekurve politikë).
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË MINISTRIA E ARËSIMIT
BIBLIOTEKA KOMBËTARE E MUZEUMI
Nr 175
MINISTRISË S’ARËSIMIT
(Sekretariatit)
K ë t u
Promemorie mbi nevojat, punën e perspektivat e Bibliotekës dhe të Muzeumit Kombëtar
Sikurse kemi përmendë në shkresën e parë No 170, dt. 29-III-46 drejtue asaj Ministri, Biblioteka dhe Muzeumi Kombëtar gjatë kohëve të fundit kanë pësue ndryshime të randësishme, Biblioteka asht shtue e pasunue shumë me grumbullimin e librave të rekcionarëve e të tjerëve, në sa Muzeumi asht damtue randë nga pushtimi italian. Tash nji vjetë e te kndej po procedohet në riorganizimin e tyne, por për shkak mungesash teknike dhe personeli puna ka qenë mjaftë e ngadalëshme.
Rregullimi i Bibliotekës dhe i Muzeumit asht i lidhun ngusht me përmbushjen e disa nevojave të domosdoshme që po rendojmë këtu poshtë:
A) 1. Rafte. Nga afro 100.000 volume që disponon sot Bib. Komb. vetëm 1/3 asht rendue, rregjistrue e katalogue, tuej u vue në këte mënyrë në shërbim të lexuesve. 2/3 janë grumbullue, dhe për t’i regullue e regjistrue këta nevojitet pikë së pari kryemja e rafteve. Të gjithë raftet e vjetër të Bibliotekës ka qenë nevoja me i dyfishue në naltësi, ka qenë nevoja edhe me ndërtue rafta të rij që janë krye me mjete të rastit. Deri tani kemi marrë nji herë 3m3 e nji herë 3,6 m3 nga sharra Shtetnore e raftet janë punue vullnetarisht nga kujdestarët e kësaj Biblioteke me punë jashtë orarit e pa asnji shpërblim. Sot, për të muejt me çue në kambë librat e Lumo Skendos, që përbajnë nji pasuni të paççmueshme për Bibliotekën t’onë Kombëtare, nevojiten rafta për nji sipërfaqe 220 m2 baras me 6 m3 drrasë 3/4 dhe binarë 4 m. të gjatë. Zdrukthimin e tyne kish me qenë mirë t’a kryente Shkolla Tenike që ka zdrukthe me motor; se për bamjen e vendosjen e raftave, këtë mund t’a kryejnë këtu në Bibliotekë me punë vullnetare të personelit së përpara. 6 m3 dhe transporti i tyne vjen të kushtojë rreth 12000 fr. e me këtë shpenzim të vetëm mund të plotësojmë me rafte të gjitha dhomat e sipërme të godinës dhe të vendosim definitivisht shumicën e librave që disponojmë tani.
Pa u krye raftat nuk mund të procedohet në rregjistrimin dhe katalogimin e librave.
2.Rregullimi i Muzeumit asht shtye deri tani nga mungesa e salave dhe e dollapëve të nevojshëm për t’ekspozue e për të ruejtë visarat t’ona arkeologjike.
Me plotësimin e rafteve të Bibliotekës, tuej u-ngjitë shumica e librave nalt, poshtë shumë dhoma vijnë dhe mbeten të lira dhe kështu Muzeumi ka mundësi të zgjenohet e të ekspozohet për tani në tri sala të mëdha.
Për dollapet që i nevojiten Muzeumit, për pjesën ethnike (kostume etj.) mund të përdoren nja 20 dollape që disponojmë sot, të cilëve mjafton t’u heqim kapakët prej compensati dhe t’i zevendësojmë me xhama. Për këtë ndryshim, për 20 dollape do të mjaftonin 3000 fr. Sa për vitrinat e nevojshme me ekspozue sendet e vogla arkeologjike numismatikën, hë për hë do të mjaftojshin 3 vetrina-rafta që mund të punohen fare mirë e lehtë në Shkollën Teknike.
Pa u-plotësue dollapet e vitrinat, asht e pa-mundun me ekspozue Muzeumin dhe me ba inventarin e hollësishëm që mungon krejtësisht. Nga mungesa e nji inventari, jo vetëm sot nuk dijmë se ç’ka gjindet në Muzeum por edhe nuk mund të nxjerrim me saktësi se sa na janë grabitë nga italjanët e çue në Muzeumin e tyne Kombëtarë e nga ana tjetër nuk kemi asnji garanti për prishjet dhe humbjet eventuale.
3.Hapja e një sale leximi. Pjesa ma e madhe e lexuesve që frekuentojnë Bibliotekën janë studenta që kanë nevojë të bajnë mësim kolektiv, e prandej edhe mjaft shumë. Para disa kohësh kemi rrëxue nji perde dhe krijue kështu nji salë leximi të madhe poshtë. Sala tani ka nevojë të pastrohet, dhe t’i bahen rouletat e rij, që vijnë të kushtojnë 3000 fr. Nga ana tjetër numuri i frekuentuesve asht aqë i madh sa n’a mbasdreke 20 – 30 veta mbeten në kambë tuej pritë të lirohet nonji vend. Nga Ministria e Kulturës patëm kërkue e nxjerrë auktorizimin për blemjen e 50 karrikeve, por mbyllja e buxhetit e kalimi i Bibliotekës e i Muzeumit nën mvarësinë e Ministrisë s’Arsimit, na detyroj që të mos i blejmë. 50 karrike vijnë të kushtojnë 5000 fr. mobiljet tjera, trueza, rafte, etj për salën e studimit poshtë i këmi.
4.Perdet. Të gjitha dritaret e fasadës rrahen vazhdimisht nga dielli që prej orës 10.30 të mëngjesit e deri në mramje. Drita e fortë e të nxehtit janë të padurueshme për nëpunësit e për lexuesit, dhe nga ana tjetër po damtojnë randë mobiljet e librat. Në Bibliotekë na nevojiten për 12 dritare të mëdha 4-6 kapakësh të fasadës afro 240 m. pëlhurë (beze) e bardhë ose ngjyrë kreme, që nuk lejon diellin me hye, por që nuk pengon as dritën. Kjo vjen të kushtojë rreth 7000 fr. Ndofta dyqanet Shtetnore mund ta furnizojnë edhe ma lirë.
5.Hekurat etj. Dritaret e poshtëme të fasadës së mbrapme janë krejtë të ulta dhe të pasigurta nga vjedhja eventuale. Kemi ba hekurat për dy dritare, por asht e nevojëshme me forcue me hekura edhe nji dritare të madhe të mesit, për një peshë 140 kg. e që vjen të kushtojë 1400 fr.
Përveç këtyne janë edhe disa meremetime të vogla që mund të kryhen me pakë qindra fr. ( si bravat e disa dyerve e rafteve, rregullimi i ujit etj.).
Me plotësimin e këtyne nevojave Biblioteka e Muzeumi rregullohen e sigurohen nji herë e për gjithënji dhe pajosen si ç’i ka hije nji Bibliotekës Kombëtare.
B. Për sa i përket personelit gjëndja e personelit dhe e Muzeumit asht këjo:
1. Ndër 100000 volume vetëm 30000 janë regjistrue e katalogue, pjesa tjetër do të regjistrohet paralelisht me bamjen e raftave. Por që të procedojë me shpejtësi asht nevoja me shtue edhe nji nëpunës e nji kopiste. Këtu kemi nevojë për nji nëpunës që të njohë sa do pakë gjuhët sllave për me regjistrue librat në sllavishte. Kopistja duhet të njohë sa do pakë nonji gjuhë të prendimit. Përgjithësisht tani këtu mbajmë 3 veta për regjistrimin dhe ç’do njeni në ditë mund të regjistrojë (të kopjojë: autorin, titullin, shënimet e komentet, përkëthimin eventual etj. , vëndin e botimit e datën, shtypëshkronjën dhe edicjonin) e t’i japë nji numër deri 100 volume në ditë. Kopistja që kemi tani, me gjithse punon shumë e mirë, nuk arrin të përballojë kopjimin e të gjitha skedave, të listave në hymje në dalje, të inventarëve të Muzeumit, dhe korespondencën e zyrës. Kur ja kërkuem Ministrisë së Kulturës ajo na porositi të kërkojmë nga Kryeministria emnimin e Zonjës Violeta Nini, ish nëpunëse n’atë Ministri, si ma e përshtatëshme për punën t’onë.
2. Pranë Bibliotekës figuron si rojtar nate Ferit Skënderi. Shërbimi i rojtarit të natës asht i pa-vlefshëm sepse nuk jep asnji garanci kunër vjedhjeve, sidomos në rastin e Bibliotekës ku roja asht i plakun e flen tër natën dhe ndërtesa asht shumë e hapët e zhurmat e dhomave të fundit poshtë nuk digjohen fare. Prandej për roje do të duheshe të merrej nga Mbrojtja e Popullit për jashtë ku kemi të ekspozuem gurët etj. , dhe rojtari i ynë Ferit Skënderi të kthehet në shërbim ditën. Sidomos po të hapim Muzeumin poshtë asht e domosdoshme të mbajmë aty poshtë ditën nji shërbëtor për të pasë kujdes që njerës të pashoqnuem të mos hyjnë ndër sala.
3. Sikurse i asht njoftue verbalisht dhe Z. Sekretar’i Përgjithëshëm, dy kujdestarët ZZ. Gafur Bakllava dhe Kristofor Baka si dhe shërbëtori Z. Avni Hasani tash nji vjet janë ofrue vullnetarisht tuej punue raftet edhe jashtë orarit dhe i kanë kursue Shtetit 60000 fr. dhe po vazhdojnë gjithnji të punojnë pa u kursye dhe pa marrë asnji shpërblim. Për punën e tyne shëmbëllore, si edhe për gjëndjen e mjerë familjare ata meritojnë t’u jepet nji shpërblim i jashtëzakonshëm, me anë të cilit ata do t’a gjejnë të shpërblyem zellin e tyne, e do kuptojnë frymën e re që sundon sot n’administartën Shtetnore.
4. Shërbëtorja e pastrimit Z. Hatixhe Dema, tani që puna e Bibliotekës dhe e Muzeumit asht zgjanue nuk mund të kryejë e vetme pastrimin e lamjen e 24 dhomave e të dy koridorëve prej 30 m. të gjatë çdo njeri. Prandaj shërbimi saj asht i përciptë dhe shtyhet deri në orët vonë të paradrekës kur publiku ka mbushë salat e leximit. Këjo punon vetëm paradreke me nji shpërblim 500 fr. në muej. Edhe për pastrimin kemi nevojë të ngutëshme të shtojmë dhe nji shërbëtore tjetër, që të mundemi të shpëtojmë nga pluhuri, armiku kryesor i librave.
C. Përsa i përket anës financjare duhet theksue nevoja e nji paradhanjeje. Për nji seri shpenzimesh të vogla si transport librash, blemje të rastësishme librash e gjanash për muzeum, shpenzime për libër-lidhësin etj., që shitësit nuk nuk pranpojnë t’i japin me mandatë se shumat janë tepër të vogla, na nevojitet herë pas here nji paradhanje prej 2000 fr. Para nji mueji Ministria e Financave n’akordoji nji paradhanje të tillë, por me qenë se titullari i ma-parëshëm i kësaj Zyre Z. Aleks Buda nuk kish paraqitë ende faturat e paradhanjeve që kish marrë në emën te tij, mbetëm pa-përfitue dhe për këtë arësye nuk kemi mundë të barim në Bibliotekë p.sh. librat e Toçit, e tj.
Në lidhje me këtë duhet të shënojmë edhe se Biblioteka disponon shumë arka vaj-guri etj., sasina të mëdha librash si Shqipnija e Illustrueme , Shqipnija më 1937 etj., të cilat do t’ishte mirë të shiteshin, për të na u lirue edhe vendi që zanë.
D. Përsa i përket punës dhe perspektivave të Bibliotekës duhen shënuar këto:
1. Puna kryesore që do lypë nji vjetë ose nji vjet e gjysmë kohë asht ajo: me regjistrue dhe katalogue librat që kemi dhe objektet me vlerë të Muzeumit, sepse pa u krye këjo punë as nuk mund të dimë se ç’kemi, as nuk mund t’ekspozojmë Muzeumin dhe librat t’i vemë në përdorim të publikut.
2. Paralelisht me këtë punë, d.m.th. mbas 2-3 muejsh duhet të plotësojmë mbledhjen e librave që janë të shpërndamë dhe që i takojnë Bibliotekës si p.sh. librat e Toçit, ato të Eqerem Vlorës, të Lef Nosit etj. dhe sidomos , sa të lirojmë disa sala poshtë që të marrim në dorëzim e të vendosim Bibliotekën e Muzeumin të jezuitëve të Shkodrës. Na asht raportue se Biblioteka e jezuitëve përmban afro 70.000 volume, prej të cilëve 10.000 albanologji dhe balkanologjije me vlerë të madhe për vendin t’onë.
3. Krahas me këta do të shkojë edhe bamja e katalogut metodik (damja e veprave si mbas landës) që kemi fillue tani dhe që lype dhe 5-6 muej punë për t’u vue në shërbim të lexuesve. Si dhe bamja e katalogut topografik (për çdo seri rafti) në mënyrë që me mundë me kontrollue mungesat dhe humbjet eventuale.
4. Në Bibliotekë asht fillue dhe krijimi i nji arqivës për ruejtjen e dorëshkrimeve dhe dokumentave të randësishëm për gjuhën dhe historinë t’onë, por natyrisht puna e seleksjonimit, e vlerësimit dhe decifrimit të këtyne dokumentave e dorëshkrimeve do të jetë nji gjë e ngadalëshme. Përsa i përket blemjes së librave mendojmë se asht mirë me ble jashtë në nji kohë të ardhëshme veprat komplete të klasikëve të filozofisë e të letërsisë, si dhe veprat kryesore shkencore në 4 gjuhë të hueja: italisht, frëngjisht, gjermanisht e rusisht, sepse lexuesit nuk mund të përfitojnë nga libra në një gjuhë të vetme si ç’i kemi sot, dhe me koleksjone të pa-plotësueme.
6. Si përfundim duhet shtue, se Biblioteka ka nevojë për nji pastrim gjithë-mbarëshëm për të heqë nji herë e mirë pluhurin që asht depozitue mbrënda në fletët e librave, dhe posa të regullojmë dhomat sipër, d.th. mbas nja 2 muejsh, duhet t’a mbyllim Bibliotekën për nja 2 javë për lexuesit, dhe mundësisht 2 herë në vjet të bajmë nji pastrim e disinfektim të mirë.
Përfundim
Me plotësimin e nevojave që u përmendën sipër d,m.th. për nji vjetë ose nji vjet e gjysëm, Biblioteka e jonë Kombëtare do t’arrijë të bahet jo vetëm nji nga Bibliotekat ma të mira të Ballkanit, por për disa specjalitete si p.sh. Albanologji e Balkanologji do të krahasohet me Bibliotekat ma të mira t’Eurpoës edhe do të jetë nji nder për Shqipninë e Re.
Vdekje Fashizmit - Liri Popullit
DREJTOR’ I BIBLIOTEKËS
(Vula) (Zef Mala) Firma
Këtu poshtë po ju përcjellim dhe nji listë të punimeve e të shpenzimeve ma të ngutëshme që nevojiten me doemos për Bibliotekën dhe Muzeumin.
Aneks
6 m3 drrasa për 220 m2 rafta fr. shq. 12000
50 copë karrige për sala leximi “ 5000
220 m. beze ose pëlhurë të randë për perde
Për 12 dritare 4 – 6 kapakësh fr. shq. 7000
3 rouleta për sallën e madhe poshtë “ 3000
20 rafta për t’u vue kapak xhami për Muzeumin. fr. 3000
nji dritare me hekura për 140 kg. “ 1400 fr. shq. 31400
meremetime të vogla të pullazit t’ujit të dyerve etj. fr. shq. 3600
shuma e përgj. fr. shq. 35000
AQSH F 511 v 1946 D 45”
Kjo shkresë është marrë në dorëzim nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, i cili shënon me inicialet A A më datë 2/4/ 946.