Historia e Besjanës, 27 vjeçares shqiptare që ka arritur të ecë falë ndërhyrjeve të specializuara ortopedike në Itali, është bërë kryelajm në mediat e vendit fqinj. Besjana lindi në Shqipëri me deformime të rënda në këmbë dhe ije. Që në fëmijëri, ajo iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale në Shqipëri, por rezultatet nuk ishin të qëndrueshme.
Me kalimin e viteve, dhimbja fizike dhe frika se mund të mos ecte më u shtuan. Në moshën 17-vjeçare la Shqipërinë për të shkuar në Piemonte, ku iu nënshtrua ndërhyrjes së parë ortopedike në ije. Tre vjet më vonë, përkeqësimi i dhimbjeve në këmbë e shtyu të kërkonte ndihmë në Qendrën Traumatologjike Ortopedike të Torinos, ku u morr përsipër nga mjeku ortoped Walter Daghino.
Në vitin 2018, pas një procesi të gjatë kirurgjikal dhe rehabilitues, Besjana arriti të ecte për pak kohë, por gjendja u përkeqësua në ijen e paoperuar, çka bëri që pacientja t’i nënshtrohej një tjetër ndërhyrjeje,
Ndërhyrja e fundit u krye në spitalin e Biellës, ku Daghino është sot drejtor i Ortopedisë dhe Traumatologjisë. Ai arriti të kryejë operacionet duke modeluar deformimet e pacientes me teknologjinë 3D dhe kësisoj bëri një planifikim më të saktë kirurgjikal dhe ofroi zgjidhje të avancuar për rastin e Besjanës.
Historia e saj e suksesit është përshëndetur edhe nga këshilltari rajonal për Shëndetësinë, Federico Riboldi, i cili ka vlerësuar rolin e shërbimit shëndetësor publik Italian dhe ‘aftësinë për të bërë diferencën përballë nevojave më komplekse shëndetësore, si në rastin e kësaj pacienteje të re”. /LaReppublica
Komente








