George H. W. Bush ishte presidenti i fundit i SHBA-ve që përjetoi dhe mbijetoi Luftën e Dytë Botërore. Për të aleanca transatlantike kishte vlerë të madhe. Kur ishte ambasador amerikan në Pekin vraponte pas ambasadorit shqiptar për ta përshëndetur. Nuk arriti ta bënte këtë kurrë, sepse ambasadori Behar Shtylla s’donte t’ia jepte dorën. Kur më 1996 Bush vizitoi Shqipërinë, Shtylla tashmë kishte vdekur. Atëbotë Bush ishte në pension politik, por shumë i respektuar ndër shqiptarë për shkak të Vërejtjes së Krishtlindjeve që ia kishte bërë diktatorit serb në lidhje me Kosovën. Një portret për pilotin luftarak amerikan që notoi tri orë në Oqeanin Paqësor dhe shpëtoi.
Në vitin 1973 korçari Behar Shtylla u emërua ambasador i Republikës Popullore të Shqipërisë në Kinë. Në diplomacinë shqiptare ky ishte posti më i rëndësishëm jashtë vendit. Kina e Shqipëria ishin aleatë. Shqiptarët mësonin kinezisht dhe mbronin trimërisht komunizmin, ndërsa kinezët kënaqeshin duke shikuar filma të Kinostudios ‘Shqipëria e Re’. Dy popuj vëllezër. Kështu së paku propagandonte regjimi komunist i Tiranës. Një vit më vonë, më 1974, presidenti Richard Nixon e emëroi politikanin republikan George H. W. Bush ambasador në Kinë. Për Pekinin dy shtete ishin të rëndësishme në atë kohë sa i përket marrëdhënieve diplomatike: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria, një lloj kolonie kineze në Europë.
Ambasadori George H. W. Bush ishte kureshtar të dinte më shumë për Shqipërinë si vend i mbyllur dhe aleate e Kinës. Andaj në çdo pritje Bush i qepej ambasadorit shqiptar Behar Shtylla, donte të fliste me të, i prezantohej, por pa sukses. Shtylla nuk ia jepte dorën dhe sapo e shihte amerikanin elegant me trup atleti ia kthente shpinën. Meqë ambasadat e Shqipërisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Pekin ishin jo larg njëra-tjetrës, ambasadori Bush dhe gruaja e tij Barbara bënë një plan: do dilnin të shëtisnin me biçikleta afër përfaqësisë diplomatike shqiptare me shpresën se do ta takonin Behar Shtyllën në rrugë. Dhe një ditë e panë. Bush hoqi kapelën, u prezantua, ia shtriu dorën, por Behari Shtylla iku sërish, e la në rrugë, nuk i foli.
Kur erdhi në vitin 1996 për vizitë në Shqipëri, George H. W. Bush e tregoi këtë përvojë të tij nga vitet ’70 në Kinë dhe tha se qe 30 vjet dëshironte ta takonte Behar Shtyllën. Por, i shkreti Behar Shtylla kishte vdekur më 1994. Kur erdhi për vizitë në Shqipëri më 1996 George H. W. Bush ishte pensionist politik, por ai shumë i respektuar ndër shqiptarë për shkak të Vërejtjes së Krishtlindjeve që ia kishte bërë diktatorit serb në lidhje me Kosovën. Mesazhi ishte i qartë: nëse Serbia sulmon Kosovën dhe shkakton konflikt të gjerë, Amerika do të sulmojë Serbinë. Më 1999 kjo ndodhi. Pjesa tjetër dihet-është histori. E paharrueshme.
Me vdekjen e George H. W. Bush nga kjo botë është larguar njëri prej presidentëve më të popullarizuar amerikanë të gjysmës së dytë të shekullit ’20. Ai e quante veten shërbëtor të shtetit, njeri që fati jetësor ia kishte caktuar këtë detyrë. Në historinë amerikane George H. W. Bush ishte nënpresidenti i dytë që arriti të zgjidhej president. Gjatë mandatit të tij, mes viteve 1989 dhe 1993, bota u ballafaqua me ndryshime epokale. Lufta e Ftohtë përfundoi, Bashkimi Sovjetik u shemb, Muri i Berlinit ra, Gjermania u bashkua, SHBA-të dhe aleatët më 1991 sulmuan Irakun dhe e dëbuan nga Kuvajti, të cilin Sadam Huseini e kishte pushtuar, në Jugosllavi shpërthyen luftërat, në Shqipëri ra komunizmi. George H. W. Bush e dinte çka është lufta. Më 2 shtator 1944 piloti i ri George H. W. Bush kishte hedhur një bombë mbi një stacion japonez të radiolidhjeve dhe, ndërsa po kthehej në bazë, avioni i tij luftarak u qëllua dhe u rrëzua në Oqeanin Paqësor. Bush shpëtoi me parashutë, tre ushtarë të tjerë që ishin me të në avion nuk ia dolën. Tingëllon si tragjedi antike: Bush notoi tri orë në oqean deri sa gjeti shpëtimin te një nëndetëse amerikane.
Më shumë se politikan Bush ishte diplomat. Në nëntor 1989, kur u rrëzua Muri i Berlinit, ai tha se nuk e ka ndërmend të vallëzojë mbi të. Amerika kishte dhënë kontribut vendimtar për bashkimin e Gjermanisë, gjë që jo pak gjermanë nuk e çmojnë fare dhe kultivojnë një antiamerikanizëm të pështirë, por Bush nuk dëshironte të bënte poza triumfale, të cilat do të interpretoheshin si poshtërim i Moskës. ‘Atë ditë të gjithë qemë tues, Lindja dhe Perëndimi’, do të shkruajë ai në kujtimet e tij.
George H. W. Bush u lind më 12 qershor 1924 në Massachusetts. Babai i tij Prescott Bush më vonë do të zgjidhej senator. Si babai i tij edhe Bush studioi ekonominë në Universitetin e njohur Yale. Para se të hynte në politikë Bush ishte bërë i pasur nga biznesi me naftë. Përveç ambasador në Kinë George H. W. Bush ishte edhe anëtar të Dhomës së Përfaqësuesve, shef i Partisë Republikane, ambasador në OKB dhe drejtor i shërbimit të jashtëm sekret CIA. Nën presidentin Ronald Reagan ai shërbeu si nënpresident.
George H. W. Bush ishte një njeri zemërgjerë. Ndonëse më 1993 i humbi zgjedhjet kundër Bill Clintonit, një politikani deri atëherë jo aq të njohur demokrat, ata shpejt u bënë miq. George H. W. Bush i gëzohej suksesit të djemve të tij në politikë. George W. Bush ishte guvernator i Texasit, Jeb Bush guvernator i Floridës. Madje George W. Bush në janar 2001 u zgjodh president i SHBA-ve dhe më 2004 u rizgjodh.
Ndërsa George H. W. Bush e kishte paralajmëruar Sllobodan Millosheviqin se do të ballafaqohej me forcën amerikane nëse sulmon Kosovën, profecia historike e deshi që i biri i tij George W. Bush të vijë në qershor 2007 si president i Amerikës në Shqipëri dhe të paralajmërojë pavarësinë e Kosovës. Më shumë se për këtë paralajmërim të rëndësishëm politik disa mediat raciste të Europës ishin të interesuara të shpërndanin gënjeshtrën se Bushit të ri iu vodh ora gjatë vizitës në Fushë Krujë. Shtëpia e Bardhë e demantoi menjëherë këtë fëlliqësi gazetareske. Më 17 shkurt 2008 Kosova shpalli pavarësinë.
Vitet e fundit të jetës së tij George H. W. Bush i kaloi me gruan e tij Barbara në Houston të Texasit. Barbara vdiq më 16 prill 2018 – pas 73 vjet bashkëshortësie me George H. W. Bushin. Tani asaj iu bashkua edhe burri i saj 94-vjeçar. Dialogplus.ch
Proud to be AMERICAN !! USATOP WITH TRUMP !!
Përgjigjucfare dipllomati idiot
Përgjigju