Një histori e veçantë vjen nga futbolli kavajas. Tre vëllezërit trinjakë, Jusuf, Hamid dhe Enes Çollaku, janë pjesë e ekipit të moshave Besa U-15, duke tërhequr vëmendjen me historinë e tyre të rrallë.
Të tre futbollistët, të lindur më 29 gusht të vitit 2012, ndajnë jo vetëm të njëjtën familje, por edhe të njëjtin pasion për futbollin. Veshja e së njëjtës fanellë dhe mundësia për të luajtur së bashku në fushë e bëjnë historinë e tyre edhe më të veçantë.
Jusufi, Hamidi dhe Enesi synojnë të zhvillohen si futbollistë dhe të japin kontributin e tyre për Besën U-15, një prej ekipeve që përfaqëson qytetin e Kavajës në futbollin e moshave. Të tre ata luajtën si titullarë në ndeshjen e fundit në Shkodër të zhvilluar kundër Atletik Klub. Trajneri i tyre Denis Gjeci, i vlerëson të tre djemtë jo vetëm për talentin, por mbi të gjitha për disiplinën dhe sjelljen e tyre.
Historia e tre vëllezërve është një shembull i bukur i lidhjes mes familjes, sportit dhe pasionit. Tashmë, ata kanë mundësinë të ndajnë së bashku një rrugëtim sportiv, duke ëndërruar për suksese të reja në fushën e blertë.
Babai i Jusufit, Hamidit dhe Enesit është një tifoz i madh i futbollit, por flet me maturi dhe pa e tepruar me pritshmëritë. Për të, më e rëndësishmja është që djemtë të rriten me vlera dhe të kenë një të ardhme sa më të mirë.
“Uroj të kenë një karrierë sa më të suksesshme. Jetojnë në një qytet si Kavaja, ku futbolli dashurohet shumë. Kjo është ndihma e parë që vlen jashtëzakonisht shumë dhe u jep më tepër mundësi në jetë. Uroj që përmes futbollit të kenë sa më shumë gjëra të mira e të dobishme. Prej shtatë vitesh stërviten në ekipet e moshave në Kavajë dhe pothuajse nuk kanë munguar në asnjë seancë stërvitore”, shprehet babai i tyre.
Në historinë e ekipit të Kavajës, përfshirë edhe skuadrat e moshave, ka patur shumë histori vëllezërish që kanë përfaqësuar këto ngjyra, por ‘trinjakë’ mbetet me të vërtetë e veçantë.












Komente
Komento