Quhet Tsunami dhe është kthyer në simbol të shpresës pas tërmetit që goditi Venezuelën më 24 qershor. Ky qen 9-vjeçar i rracës Border collie ndihmoi ekipet e shpëtimit të gjenin më shumë se 40 persona të mbijetuar, të bllokuar nën rrënoja, gjatë gjashtë ditëve të kërkimeve.
Trajneri i saj, Jorge Beens, e cilësoi qenin "mishërim të qëndresës", ndërsa tregoi se vetëm gjatë një dite Tsunami kontribuoi në shpëtimin e 13 personave. Një ditë më herët kishte ndihmuar në gjetjen e të paktën 30 të tjerëve.
Historia e Tsunamit është po aq e veçantë sa edhe puna e saj. Nëntë vite më parë qenushi ishte endacak dhe i keqtrajtuar. Qenushi u shpëtua nga shoqata Aproa, pasi jetonte në kushte të vështira dhe ishte keqtrajtuar. Më pas iu besua Jorge Beens, themelues i Qendrës së Trajnimit të Ekipeve Kinologjike për Ndërhyrje në Fatkeqësi (K-Sar Ecid), ku u stërvit për kërkim-shpëtim.
Që prej asaj kohe, Tsunami ka marrë pjesë në disa misione ndërkombëtare, mes tyre edhe pas tërmetit në Turqi në vitin 2023.
Edhe në Venezuelë ajo punoi pa u ndalur mes rrënojave, por përpjekja pati koston e saj. Pas përfundimit të operacionit të kërkim-shpëtimit, qeni u dërgua te veterineri për të marrë trajtim për dehidrim dhe plagët që kishte pësuar në putra gjatë kërkimeve.
Lajmi kryesor:
Vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në Venezuelë, banorët e zonave të prekura: Mbështetje me mjete të rënda! Mijëra ndërtesa të shembura ose të dëmtuara








