Që në momentin kur fitoi pavarësinë financiare, Akistula Pula e kishte të qartë se ku do t’i përqendronte shpenzimet e saj. 25 vjeçarja nga Tirana, studente e inxhinierisë mekatronike, numëron rreth 3000 libra në bibliotekën e saj dhe ka harxhuar mbi 15 mijë euro për ta pasuruar koleksionin dita-ditës.

Në emisionin “Një nga ne”, Akistula, ose siç e thërrasin të afërmit Aki, na dha mundësinë të depërtonim në botën e saj. Nuk është nga ato vajza që zgjohen në mëngjes me mendimin: “çfarë do të vesh, nuk kam mjaftueshëm rroba në garderobë”.

Çdo ditë e ka të mirëorganizuar, zgjedh në shumicën e kohës rroba të vetkombinuara dhe përpiqet që sado pak kohë t’ia dedikojë mikut të saj më të mirë, librit. Përveç punës si inxhiniere, ka punuar dhe në 2 librari si menaxhere, por për t’u njohur më shumë me këtë personazh, ju ftojmë të ndiqni emisionin “Një nga ne”. Një histori që do t’iu rikthejë dëshirën për leximin, që do t’iu mësojë si të jeni më të organizuar dhe që do t’iu bëjë të reflektoni për prioritetet e jetës.