HISTORITË rrëqethëse të personave të vdekur nën rrënoja që na bënë të gjithëve të përlotemi (VIDEO)

TIRANE - Histori njerëzore të shuara mes fatit tragjik të tërmetit që shkundi SHqipërinë në 03:54 të 26 nëntorit, me intensitet të ndjeshmërisë 8 ballë dhe që zgjati rreth 30 sekonda. Një vdekje që askush nuk do e dëshironte të tillë: Në përpjekje për të shpëtuar njerëzit e zemrës, disa prej të cilëve i kanë mbrojtur edhe me trupin e tyre. E tillë ishte historia e trishtë e një gjysheje në Thumanë, e pajetë nën rrënoja, teksa nga prehri i saj ekipet e shpëtimit nxorën të gjallë nipin e saj të vogël. Një balerinë humbi jetën në punë në një hotel në Durrës, një polic në detyrë, familje të shuara, e histori edhe më të trishta si e një të riu që nuk mundi të shijojë lirinë e fituar vetëm dy ditë para tërmetit kur kishte dalë nga burgu. Goditjen më të fortë, e ka marrë familja Cara në Thumanë. Ka mundur të mbijetojë vetëm kryefamiljari dhe vajza e xhaxhait të tij, e cila u nxorr gjallë pas rreth 18 orësh nga lëkundja, pa nënën e saj dhe vajzën të cilat i la nën rrënojat e pallatit 5-katësh.

Shqiptarja.com ju sjell më poshtë, disa nga historitë njerëzore të kësaj tragjedie që në mesin e jetëve të humbura solli edhe mrekulli dhe lajme të gëzueshme teksa dhjetëra persona u nxorën të gjallë pas orëve të tëra nën rrënojat e godinave të shembura.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 04:30
Një komisar i rënë në detyrë! Fjalët therëse të djalit: Erdha nga kurbeti të digjja mallin e fëmijërisë, të gjeta gati për varr (FOTOT)

Tërmeti i mori jetën në detyrë një efektivi të policisë. Bajram Hajdarmataj humbi jetën në godinën e Kavalishencës në Durrës. Ai ishte pedagog në Akademinë e Sigurisë me gradën komisar. Miq e kolegë e kanë nderuar përmes një ceremonie lamtumire ku ishin të pranishëm drejtues të lartë të Policisë së Shtetit përfaqësues të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe të Komisariatit të Policisë Tropojë, prej nga ai ishte me origjinë. Fjalë përlotëse për babanë ka shkruar djali i tij, i cili kishte kohë pa e takuar të atin, e teksa ndan mallin për ta takuar, shprehet me fjalë rrëqethëse për humbjen e tij.

Erdhëm bab o nga gurbeti
Për të pa o me sy
Ah të mjerët çfarë na gjeti
Kishe mbyllur ata sy
M'dogji malli fëmirisë
Kisha kohë që s'të kisha pa
Thash të gjej te pragu i shpisë
Por të gjeta gati për varr
Babi im o babi im
S'e besoj që s'je më ti
Ti po flen o bab o në hije
Dhe do zgjohesh përsëri
U prehsh në paqe o bab, o Luani im, Trimi im

Hajdarmetaj ndodhej në Kavalishencën e Policisë me punë, për arsye trajnimi të punonjësve të Policisë.

Ora 02:23
Publikohet fotoja e xhaxhait të këngëtares së njohur që u nxor i pajetë nga rrënojat me gjithë familjen

1574904415_eduarddhedolorareci.jpg

Eduard dhe Dolora Reçi

Report Tv siguron foton e çiftit Eduard dhe Dolora Reçit, që humbën jetën nga tërmeti në Durrës së bashku me dy fëmijët, Kristi dhe Klaus. Vajza Krisiti, ishte mikesha e djalit të kryeministrit Rama, Gregorit dhe djali Klaus që studionte për inxhinieri u nxorën të pajetë nga rrënojat. Eduardi, ishte xhaxhai i këngëtares së njohur Evi Reçi.
1574904405_eduardoreci.jpg

Eduard Reçi
Ora 01:23
U shua me familjen, mikja e djalit të Ramës që u nxor nga rrënojat ishte kushërira e këngëtares së njohur


Shuhet një tjetër familje nga tërmeti! Familja Reçi u nxor e pajetë nga rrënojat e tërmetit në pallatin 6 katësh në lagjen numër 18 në qytetin e Durrësit.

Pasditen e sotme, më parë u nxorën trupat e pajetë të Dolora dhe Klaus Reçit, nënë e bir. Më herët u nxorën trupat e pajetë të vajzës dhe babait, Kristi e Eduard Reçit.

Kristi Reçi, mike e ngushtë e djalit të kryeministrit Edi Rama kishte mbaruar shkollën dhe ishte në shtazh për mjekësi, ndërsa vëllai i saj Klausi ishte për inxhinieri.

Kristi është kushërira e parë e këngëtares Evi Reçi. Kristi ishte një vajzë plot ëndrra, që fatkeqësisht i la në gjysmë...

Ora 00:30
Thumanë/ U shkëput nga dora e nënës! Historia e 7-vjeçarit që u nxorr i pajetë nën rrënoja, vëllai doli gjallë në prehrin e gjyshes së pajetë

Skena që përloti të gjithë teksa ndiqnin hap pas hapi zhvillimet e tërmetit të fuqishëm që la dhjetëra viktima në Shqipëri, ishte ajo e një të vogli që i përlotur dilte nga rrënojat, teksa nën to, gjyshja e tij që e kishte mbajtur në prehrin e saj, kishte ndërruar jetë. Lot, frikë, tmerre që vështirë të përshkruhen me fjalë se ç'mund të ketë kaluar një fëmijë krah gjyshes që nuk i është përgjigjur dot thirrjeve të tij. Djali është anëtari më i vogël i familjes Vata. Nëna e tij, Ela Vata shpëtoi duke dalë gjallë nga ky tërmet i tmerrshëm. Por kjo familje, e cila humbi gjyshen, Hajrie Vata, 62-vjeçare, po përjeton dhimbje të madhe, pasi nga duar i iku djali 7-vjeçar. Rolejt Vata, mbeturi nën rrënoja në Thumanë, ndërsa u gjet i pajetë nga rrënojat në orën 00:30 të 28 nëntorit, dy ditë pas tërmetit.

E gjitha familja, Ela Vata, dy djemtë e saj dhe gjyshja kanë qenë në katin e katërt, dhe sapo kanë ndjerë lëkundjet e para kanë mundur të zbresin deri në katin e parë. Por në këtë përpjekje për t'i shpëtuar tërmetit, kanë humbur nga sytë djalin 7-vjeçar i cili ka shpëtuar dorën nga nëna e tij, Ela. Vëllai i Rolejtit u nxorr i gjallë në prehrin e gjyshes së pajetë. Ela Vata dhe djali i saj i shpëtuar po marrin ndihmë mjekësore. I ati i tij, Servet Vata punon në Greqi dhe është kthyer në atdhe pas tragjedisë që preku familjen e tij. Ka pasur fatin e mirë të mos jetë në banesë, bashkëshorti i Hajrie Vatës, Femi Vata, i cili ishte në punë roje në një ambient privat në autostradë. Ndërkohë djali tjetër i tyre, për fat, atë ditë kishte shkuar në Lushnje, tek e motra.

Momenti kur nipi nxirret gjallë, gjyshja nën rrënoja e pajetë
Ora 21:34
'O shpirt i motrës...' Duartrokitjet e gëzimit dhe heshtja e kobshme pas shuarjes së familjes Greku në Thumanë

Të gjithëve na prekën lotët, ankthi dhe dëshpërimi i një zonje teksa kërkonte vëllain, nusen dhe djalin e tyre dhe priste me shpresë që një mrekulli t'i kishte lënë ata gjallë nën rrënojat e pallati të shembur në Thumanë. Por fati që i ndoqi ishte tragjik, të tre u nxorën të pajetë. Pëllumb Greku 57 vjeç, bashkëshortja e tij Çelike 57 vjeç dhe djali i tyre Saimir 31-vjeçar, u nxorën të pajetë nga rrënojat. Shpëtimi i tij u prit me duartrokitje nga forcat e ushtrisë dhe të policisë që prej orësh të tëra kryenin një nga operacionet më të vështirë. Por ky gëzim u kthye në heshtje të kobshme pasi u riu ndërroi jetë në duart e mjekëve në spital.

Motra e Pëllumbit e kërkonte e përlotur teksa nga dhimbja iu drejtua për ndihmë edhe kryeministrit Edi Rama gjatë një prej vizitave të tij pranë të prekurve nga tërmeti në Thumanë. Saimiri u nxorr me shenja jete nga gërmadhat e pallatit pas orëve të tëra nën to, por nuk mundi të mbijetojë dhe ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë. Për orë të tëra gruaja priti të merrte lajme të mira nga grupet e kërkim-shpëtimit me fijen e shpresës së në mesin e rrënojave, të afërmit e saj të zemrës do të dilnin gjallë. Por familja Greku nuk e pati këtë fat, u larguan përfundimisht nga kjo botë, të tre së bashku.

O shpirt i motrës, o Pëllumb! Nëse do të kisha mundësi - thoshte ajo një ditë më parë - do të ndërhyja vet për të parë nëse janë mirë ose jo. Teksa ekipet e shpëtimit mundoheshin ta qetësonin...

Ora 19:42
Dy fustane të bardhë për t'u bërë engjëj...Burri i jep lamtumirën vajzës dhe mbesës duke i veshur nuse

Diena dhe Esila Meçaj

Diena dhe vajza e saj Esila, vetme 9 vjeç do të përcillen për në banesën e fundit me fustan të bardhë nusërie. Jetët e nënë e bijë që u këputën në mes nga tërmeti i fuqishëm që preku Shqipërinë të martën, prekën këdo duke bërë që heshtja të ishte më domethënëse se fjalët. Të dyja, në krahët e njëra-tjetrës u nxorën nga rrënojat të pajeta në një pallat të shembur 6 katësh pranë Kryqit të Kuq në lagjen 18 në Durrës. Familjarët e tyre kanë zgjedhur t'i përcjellin për në banesën e fundit veshur me bardhësi, ndryshe nga çishte fati i tyre në tragjedinë e 29 nëntorit. Është Amarda Doska e cila thotë se familjarët kanë shkuar me një kërkesë rrëqethëse në dyqanin e saj me fustane nusërie: Dy fustane nusesh për dy vajza që do i thonë lamtumirë të gjithëve në ditën e varrimit të tyre.

"Shumë herë kam derdhur lot gëzimi dhe mallëngjimi kur kemi përcjellë vajza me fustane nusërie. Kurrë nuk ma merrte mendja që mund të derdhja lot dhimbjeje si sot për të bukurat Diena dhe Esiela. Nuk mund ta imagjinoj dot si mund të ndihet babai i Dienës, i cili humbi vajzën, mbesën dhe akoma pret që të nxirret trupi i të shoqes nga rrënojat. Fustanet e bardha sot ato nuk i veshin për t'u bërë nuse por për t'u bërë engjëj që do na shohin nga atje lart dhe kjo ma thyen zemrën. Zot jepu forcë të përballojnë dhimbjen e madhe që fati ua dhuroi!", shkruan Amarda Toska në rrjetet sociale.

Nën rrënoja mbeti edhe nëna e Dienës, Roza Memçaj.

Ora 18:43
Dy vite më parë humbi babain, korçarja vdes krah të fejuarit në Thumanë...u shua një familje!

Almiri dhe Stela

Diastela është vajza nga Korça e cila ndërroi jetë në familjen e të fejuarit të saj në Thumanë të Fushë-Krujës. Dy të rinjtë, Almir Cara dhe Diastela, ose Stela siç e thërrisnin të gjithë, humbën jetën bashkë me tre familjarë të tjerë të familjes Cara, nënën e Almirit dhe motrën e vëllain e tij.

Vetëm dy vite më parë Diastela kishte pësuar një humbje të madhe: Babai i saj ishte ndarë nga jeta. E reja jetonte me të ëmën dhe vëllanë, të cilët i lë pas dhimbjen e madhe të humbjes së saj.

Ora 18:40
Babë e bijë bashkohen lart në qiell...historia e 15-vjeçares që daja po e kërkonte dëshpërimisht, por e gjeti në morg!

Një tjetër histori e dhimbshme vjen sërish nga rrënojat e tërmetit! Është historia e 15-vjeçares, Drita Cakoni e cila u shua nga kjo jetë së bashku me babanë e saj, Kastriot Cakoni si pasojë e lëkundjeve të forta të tërmetit mëngjesin e së martës. Drita, prej disa orësh ishte e zhdukur, daja i saj po e kërkonte i dëshpëruar dhe me ndihmën e mediave ai lutej që kush e kishte parë ta vinte në dijeni. Me pasaportën e saj në dorë donte ta dinte nëse ishte në spital apo në morg. Fatkeqësisht, mori lajmin që nuk donte ta dëgjonte. Trupi i 15-vjeçares ishte në morgun e spitalit të Lezhës. Sot u bashkua me të edhe babai i saj,  cili nuk e la vetëm edhe aty lart në qiell.

Ora 16:33
Djali i kryeministrit Rama humb njeriun e shtrenjtë nga tërmeti, e gjitha familja i shuhet nën rrënoja

Mes personave që humbën jetën nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë të martën, është edhe një mike afërt e Gregor Ramës, djalit të kryeministrit. Ai ka ndarë këtë lajm të hidhur në rrjetet sociale, teksa thotë se ajo është shuar nën rrënoja së bashku me familjen e saj, prindërit dhe vëllain më të vogël.

"Mes viktimave të shumta nga kjo fatkeqësi natyrore edhe një njeriu im i afërt së bashku me vëllanë e saj, mamin dhe babin janë gjetur nën rrënoja. Vetëm dy trupa janë nxjerrë deri tani nga gërmadhat e asaj që u shpall ditë zie kombëtare. Ngushëllimet e mia shkojnë për të gjithë viktimat e kësaj fatkeqësie", shkruan Greg Rama.

Bëhet fjalë për Kristi Reçin, studenten e Mjekësisë e cila u gjet e pajetë në Durrës në pallatin e shembur 6 katësh në lagjen 18, nën rrënoja me prindërit dhe vëllain.

Ora 16:14
HISTORITË/ Ndalet ëndrra e studentes së mjekësisë...Humb jetën nën rrënoja me prindërit dhe vëllain e vogël

Do të ishte dermatologe e ardhshme. Por ëndrrat e Kristi Reçit, studente e Mjekësisë në Tiranë, u prenë në mes. Ajo humbi jetën nën rrënoja në lagjen numër 18 në Durrës në një pallat 6 katësh i cili u shemb.

Fati për familjen e saj ishte tragjik. Kristi Reçi humbi edhe babain, Eduardin, nënën Dolora dhe vëllain 22-vjeçar, Klausin, të cilët janë nën rrënojat e pallatit 6 katësh.

Kristi Reçi kishte një ëndërr: të bëhej doktoreshë dermatologe dhe të vazhdonte jetën në shërbim të komunitetit si mjeke.

Aktivistja Elona Caslli shkruan: “Mes shumë dhimbjesh, lotëve dhe trupave nën rrënoja që u nxorën pa frymë, ishte edhe trupi i një mjekeje të ardhshme si Kristi Reçi. Thonë se toka merr më të mirët. Thonë se më të mirët ikin gjithmonë më shpejt. Gjithçka thuhet apo thonë, një gjë mund të thuhet me siguri- Ishte e parakohshme ikja jote!”

Ora 15:30
HISTORITE / Jeta qenka një sprovë e vërtetë! Shuhen nën rrënoja në Durrës, gjyshja, vajza dhe mbesa...Piktores i kishte vdekur edhe burri!

Diena Meçaj Karanxha 30-vjeçare doli e gjallë nga rrënojat e një pallati 6-katësh në Durrës në lagjen numër 18, teksa vajza e saj 8-vjeçare Eisela kishte ndërruar jetë nën rrënojat e godinës. Por nuk mundi të mbijetojë gjatë. Diena Meçaj ndërroi jetë në spital. Nën rrënoja mbeti dhe nëna e saj, Roza Meçaj, duke shuar kështu një familje.

Më herët policia kishte njoftuar se “pas shkollës së “Mjeshtërisë” në rrënojat e një pallati 6-katësh, pas 14 orë përpjekjesh, forcat speciale Renea, bënë të mundur nxjerrjen e 30-vjeçares e cila është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore. Rreth 2 orë më parë, Renea nxori edhe vajzën e saj të mitur 8-vjeçare e cila kishte humbur jetën”.

Historia e kësaj familje është e trishtë. Vite më parë Diena kishte humbur bashkëshortin e saj.

Ne vitin 2015 ajo kishte lënë një shënim në Facebook dedikuar bashkëshortit të saj që kish ndërruar jete.

“Mendoja gjithmonë që zoti më kishte dhënë shumë lumturi, duke pasur një shok e një bashkëshort si Dori im, por jeta qenka një sprovë e vërtetë. Më mungon shume bebi im”, shkruante ajo. Diena ishte piktore, ndërsa shpesh kishte dalë edhe në media si organizatore ekspozitash me piktura.

Ora 14:52
HISTORITE / Erdhi nga Anglia për fejesën e vëllait, shuhet nën rrënoja së bashku me prindërit...Dhëndrri i shpëton tërmetit

Familja Çupi më 26 nëntor do të ndërronte unazat. Djali i tyre, Aleks Çupi do të fejohej. Por tërmeti që shkundi Shqipërinë hapi mortin në këtë familje. Burrë e grua, Hajredin dhe Lutfie Çupi ndërruan jetë së bashku me djalin e tyre që kishte ardhur nga Anglia për fejesën e djalit, Klement Çupi. Ai kishte 10 vite që jetonte në Angli bashkë me bashkëshorten e tij. Ajo e priste në Angli t'i sillte lajme të mira nga fejesa, por mori lajmin e kobshëm të ndarjes nga jeta të njeriut të saj të zemrës. Klement Çupi dha fillimisht shenja jete, madje kërkoi edhe ujë teksa ndodhej nën rrënoja në banesën e prindërve në Thumanë, ndërsa u nxor i pajetë pas rreth 17 orë kërkimesh.

Kësaj tragjedie i shpëtoi Aleks Çupi i cili kishte ardhur nga Greqia për tu fejuar. Ka marrë dëmtime por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Forcat e kërkim-shpëtimit arritën ta gjejnë gjallë Klementin nën rrënojat e pallatit të shembur në Thumanë, por kishte mbetur i bllokuar me betonin mbi trupë. Kërkoi ujë dhe forcat speciale dhe xhenoi thanë se e ndihmuan të riun dhe folën me të, por fati nuk e deshi që ai të mbijetonte. Për vdekjen e tij shkruan edhe mediat britanike si një histori prekëse të një shqiptari që ishte përpjekur ta ndërtonte jetën në vend të huaj me ndershmëri.

Klement Çupi me prindërit e tij
Ora 14:28
Me shpejtësi në spital pas plagëve nga tërmeti, 25-vjeçari u aksidentua për vdekje...Historia e Kristianit të sapo dalë nga burgu

25-vjeçari Kristian Preçi nuk mundi të shijojë lirinë. Ai kishte vetëm dy ditë që kishte dalë nga burgu, por ndërroi jetë nga tërmeti i së martës. I riu mori lëndime nga tërmeti teksa ishte në banesën e tij në Kurbin. Hipi në makinën dhe në tentativë për të shkuar me shpejtësi në spitalin e Laçit ka humbur kontrollin e makinës dhe ka dalë nga rruga. Avokati i tij tha se Preçi kishte vuajtur dënim duke qenë i pafajshëm. "Humbi jetën nga tërmeti Kristian Preçi banor i Thumanës, klienti im që fitoi pafajësinë pas 5 muajsh burgim të padrejtë. Ngushëllim familjarëve, qoftë i parajsës. Kristiani ishte një djalë i mrekullueshëm. Iku shpejt", shkruante avokati.

Ndërkohë që po në Kurbin, një 32 vjeçar, Ersid Hoxholli, i ndjerë në panik pas tërmetit në tentativë për t'i shpëtuar lëkundjeve të fuqishme që u ndjenë, u hodh nga ballkoni i katit të tretë.

Kristjan Preçi dhe avokati i tij
Ora 14:17
Kush është balerina nga Tirana që u nxorr e pajetë nën rrënojat e hotelit, i ishte shembur banesa tek 'Astiri'

Eviola Brosha dhe hoteli i shkatërruar pas tërmetit

Mes viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë është edhe Eviola Broshka, e cila ishte balerinë në hotelin 'Mira Mare' që u shemb totalisht nga lëkundjes sizmike të mëngjesit. Ajo mbeti brenda hotelit dhe u gjet pas disa orëve kërkime e vdekur nën rrënoja.

Evi, ishte nga Tirana dhe banonte në zonën e "Astirit" në kryeqytet, ndërsa siç thanë dëshmitarët, asaj i ishte shembur banesa nga projekti i "Unazës së Re".

"Pronari i restorantit 'Mira Mare' është hedhur nga penxherja, u ka thënë punëtorëve dilni se po këputet pallati dhe thonë se kanë zënë banakierin mbi 40-vjeç, më duket se është nga Korça edhe dy balerina, njëra u nxor e vdekur. Vajza që u nxor e vdekur thonë se ishte kameriere, banonte te Astiri në Tiranë i prishën shtëpinë. Një banakier nga Fieri shpëtoi. Ky djali që shpëtoi ka qenë te dhoma 101. Hoteli rrinte hapur 24 orë" tha anjë dëshmitar për Report Tv.

Ora 14:02
Historia e trishtë e dy vëllezërve kosovarë nën rrënojat e 'Tropikalit' - Vite më parë u kishin vrarë vëllanë

Isa dhe Shemsedin Abazi janë dy vëllezër nga Kosova të cilët u shuan nën rrënojat e hotel "Tropikal" në Durrës, të shembur nga tërmeti. Të rinjtë kishin arritur të kërkonin ndihmë me anë të celularit, por pas mbi 10 orë nën rrënoja, ata nuk mundën të mbijetonin. Kanë lënë pas fëmijët e tyre, njëri 4 të vegjël dhe tjetri dy fëmijë. Vite më parë, familja Abazi është prekur nga një tjetër tragjedi, ku djali i tyre ishte goditur për vdekje me thikë në një pishinë. Tashmë në familjen Abazi ka mbetur vetëm një djalë  i cili do të përkujdeset për të gjithë anëtarët e tjerë. 

Vëllezërit kishin shkuar për punë në Durrës. Ata ishin mekanikë, dhe vinin në Shqipëri për të marrë pjesë makinash.

Ora 13:57
HISTORITË/ Tragjedia e oficerit të policisë! I shuhet familja e vëllait dhe xhaxhait në Thumanë (7 të vdekur, vetëm 2 të mbijetuar)

Momenti kur Lindita Cara u shpetua ne mbremje dhe u transportua me urgjence drejt Tiranes

Një tragjedi me shuarjen e 7 pjesëtarëve të një familje.

Oficeri i policisë në Tiranë në Thumanë të Fushë-Krujës u gjend për të kërkuar familjet e vëllait të tij, Albert Carës dhe xhaxhait.

Fatkeqësisht bilanci ishte mjaft i trishtë. Lëkundjeve të tmerrshme sizmike 6.4 ballë i shpëtuan vetëm vëllai i tij, Albert dhe vajza e xhaxhait, Lindita Cara. Nusja e vëllait me tre fëmijët e të fejuarën e djalit, nusja e xhaxhait dhe mbesa e saj u ndanë nga jeta në mënyrën më tragjike, nën rrënojat e një prej tre pallateve që u shembën totalisht në Thumanë. 

Kështu, humbën jetën

Tre vëllezërit Cara

Hasan Albert Cara
Almir Albert Cara
Erisa Albert Cara 25-vjeçe
Stela Cara (E fejuara e Almirit)

Nëna e tyre Fatmira Qazim Cara (bashkëshortja e Albert Carës, vëllait të oficerit të policisë)

Anthi Cara - nusja e xhaxhait
Sadajana Hysa Cara - Mbesa e (Anthi Carës, vajza e Lindita Carës)

Lindita Cara, vajza e xhaxhait të oficerit të policisë u shpëtua mrekullisht, teksa u nxorr e gjallë kur mund të kishte mbi 15 orë nën rrënoja. Ajo tashmë po merr trajtim në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Familja e Albert Carës jetonte në katin e 5 të pallatit të shembur në Thumanë. Ndërsa nusja e xhaxhait të tij, me vajzën dhe mbesën jetonin në katin e parë. Gjallë u nxorrën nga rrënojat vetëm Lindita Cara dhe Albert Cara, vëllai i oficerit të policisë. Xhaxhai i Albert Carës ishte ndarë më herët nga jeta për shkaqe natyrale.

Nga Tirana dhe Greqia erdhën në Thumanë për të kërkuar nënën, motrën e tyre dhe mbesën, dhe dy vëllezërit e Lindita Carës. Teksa ajo ishte ende nën rrënoja dhe kishte dhënë shenja jete duke komunikuar me ekipet e shpëtimit, një prej vëllezërve të saj, me një kovë në kokë, u fut mes rrënojave për të kërkuar. Dëgjonte vetëm zërin e motrës së tij ndërsa nëna dhe mbesa nuk i jepnin asnjë shenjë jete.

Momenti kur vellai kerkonte nen rrenoja nenen, motren dhe mbesen

Shpëtimi i Albert Carës
Ora 15:07
Nuk mundi të dalë nga banesa, e moshuara nga Thumana 'mbyll sytë' përgjithmonë pas tërmetit të fuqishëm

Identifikohet një nga viktimat e tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë, me banesë në Thumanë.  Ajo është Bukurie Leka, 70 vjec. Dyshohet se ajo ka qenë në gjumë në momentin e tërmetit dhe nuk ka mundur të dalë nga banesa.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gjyqtari: 29/11/2019 06:13

    U prekem shume, qame e lotuam sikur te gjithe keta fatkeqe te ishin pjestar te familjes tone. Perse Zoti na denoi kaq rende ne shqiptareve???Pushofshi ne paqe te gjithe ju e paguat kaq shtrenjte

    Përgjigju
  • Pyka: 28/11/2019 13:32

    Po shkatërrohem nga dhimbja,ngushellime....prefesioni që kam pasë nuk më lejon te lotoj....por eshtë e pamundur....të gjithë janë yjet mij....

    Përgjigju
  • Lui: 28/11/2019 09:19

    Nuk arrij dot ta lexoj deri ne fund. Me iku shikimi nga lotet.., sinqerisht.... Nuk ka fjale qe te gjenden ne keto momente qe po kalojme..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja