TIRANË- Klevis Balliu e transmetoi live në rrjetin social Facebook mbledhjen me dyer të mbyllura të Sekretariatit të Etikës, ku diskutohej kërkesa e 10 deputetëve të Partisë Socialiste për përjashtimin e tij dhe të kreut të grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, me 60 ditë nga punimet e Kuvendit.
Socialistët thonë se në seancën e 8 tetorit, kur po votohej Reforma Territoriale, dy deputetët e opozitës përdorën sende të forta, duke penguar zhvillimin normal të seancës, si dhe fyen kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi, ministrat dhe deputetët socialistë.
“Ka një vendim gjykate që goditja me vezë nuk quhet akt dhune. Një protestues i arrestuar nga policia se goditi me vezë makinën e kryeministrit, arrestimi i tij është shpallur i paligjshëm. S'mund ta quash akt dhune goditjen me vezë, se është qesharake. Nuk di të kem ofenduar kryetarin e Kuvendit, deputetë, ministra, por i kam thënë ‘sugar daddy’ i Agasit, Ramës, dhe ‘Lubi Ballukut’. Të kërkosh përjashtimin me dy muaj se është goditur me dy vezë ‘sugar daddy’ i Agasit është qesharake, dhe ta quash dhunë është qesharake. Veza është kudo në botë, përjashtimi me dy muaj nuk ndodh”, tha Klevis Balliu.
Në mbrojtjen e tij, Klevis Balliu pretendoi se reagimi i tyre ishte kundërpërgjigje ndaj një sulmi nga një deputet i PS-së.
“Keni një video që shishja e parë e ujit vjen nga ana e PS-së, drejt kreut të grupit të PD-së, Gazment Bardhi. Kush është ai person? Pse nuk e keni thirrur? Pse nuk kërkoni përjashtimin e tyre? Si të mos reagojmë ne kur na godisni? Ne u përjashtokemi dhe ju u dekorokeni? Nuk jeni me brirë ju. Pse për ju nuk funksionoka kjo rregullore? Nëse përjashtoni me dy muaj deputetin socialist, na përjashtoni edhe ne, dakord. A thua se i gjuajtëm me plumba atij, për dy kokrra vezë”, vijoi Balliu.
Akuzat se pati dhunë nga ana e tyre ndaj përfaqësuesve të mazhorancës në Kuvend, Balliu i quajti të pavërteta.
“Është mashtrim të pretendosh se kemi dhunuar njeri, se kur dhunohet ka edhe shenja. Duan të na përjashtojnë nga Kuvendi. Në çdo vend të botës goditen politikanë me vezë, por vetëm te ne përjashtohen me dy muaj”, theksoi ai.
Balliu mbrojti edhe veprimet e Gazment Bardhit, i cili gjatë seancës hodhi shishe uji në drejtim të përfaqësuesve të mazhorancës.
“Ujë hodhi, nuk hodhi shishe benzine. Na lejoni të bëjmë punën. Janë diskutime të rëndësishme për çështjen e sigurisë që priten. Më referoni pak ku është që duhet dy muaj për dy vezë. Çfarë është kjo, një muaj për një vezë?”, theksoi Balliu.
Pas diskutimeve, Ulsi Manja, i cili drejtonte mbledhjen, artikuloi vendimmarrjen e Sekretariatit të Etikës për përjashtimin me nga 60 ditë nga punimet e Kuvendit të dy deputetëve demokratë, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu.
“U përdorën vezë, shishet e ujit, me ujë, pa ujë, u përdorën. U përdor një bori. U godit një gardist. Një shishe ka goditur në kokë një ministre. Flet për një vendim gjykate, por ai është për protestues. Ti je deputet, ke Kod Etike”, tha Manja.
“Nuk ka asnjë rregullore që përjashton deputetët për dy muaj. Hera e parë në historinë e botës që veza qenka lëndë piroteknike. Unë e dija që vezën e bën pula. Apo veza pulën? Sipas rregullores përjashtohesh nëse përdor lëndë piroteknike. Sipas Manjës dhe të tjerëve, veza qenka lëndë piroteknike. Kjo ka vetëm një qëllim, të godasë grupin e PD-së, reagimin e drejtë që kemi në Kuvend. Çfarë thotë Edi Rama, do të bëjnë. Do ta ankimojmë. Kemi pasur disa procese gjyqësore për këtë çështje dhe janë fituar të gjitha”, tha Klevis Balliu.
Demokratët e kundërshtuan masën disiplinore duke argumentuar se Rregullorja e Kuvendit parashikon përjashtim deri në 10 ditë për pengimin e seancës, shkaktimin e kaosit, fyerjet apo goditjet ndaj deputetëve. Sipas tyre përjashtimi deri në 60 ditë zbatohet vetëm në rastet e përdorimit të lëndëve piroteknike apo tymuese.
Ata akuzuan se vendimi u mor me urdhër të kryeministrit Edi Rama, ndërsa paralajmëruan se vendimin do ta ankimojnë në Byronë e Kuvendit. Nëse ai hyn në fuqi, dy deputetët demokratë i përjashton edhe nga marrja e pagës për dy muaj.
“Sa i përket anës ligjore, çdo veprim që mund të pretendohet nga ana e kolegëve që kanë bërë kërkesën, që nga formulimi i saj është i gabuar, sepse Rregullorja e Parlamentit përshkruan kur ka dhunë ndaj një kolegu, që mund ta quash goditje me shishe, kur bllokohet foltorja, bëhet zhurmë ose ka fyerje. Të gjitha këto që janë të shkruara nga kërkuesit janë të referuara te neni 65/1, pika e parë. Të dy kolegët nuk janë dënuar në këtë sesion parlamentar, kështu që nuk mund të shkohej te 60-ditëshi, por këtu është bërë normë të shkelet Rregullorja. I ka të gjitha elementet për të cilat janë akuzuar kolegët dhe ka përcaktuar që është 10 ditë e jo më tepër. Nuk ka lëndë piroteknike të futura. Kolegët e tyre nuk i shikojnë, nuk shikojnë nga syri i majtë dhe as dëgjojnë nga veshi i majtë kur ata hedhin bidonë. Çfarë thotë Edi Rama, do të bëjnë”, tha Saimir Korreshi.
Duke dënuar vendimin për përjashtimin e dy deputetëve të tij, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paralajmëroi se grupi parlamentar do të mblidhet për të marrë një qëndrim.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas përjashtimit me 60 ditë të Gazment Bardhit dhe Klevis Balliut nga punimet e Kuvendit, pas përplasjeve gjatë seancës ku u votua Reforma Territoriale.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku shkruan se mazhoranca i përdor rregullat si mburojë për veten dhe si kamxhik për opozitën. Pra sipas deputetes demokrate rregullat nuk vlejnë njësoj për të gjithë.
Tabaku sjell në vëmendje rastin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, mandati i së cilës sipas saj u mbrojt nga mazhoranca, me qëllim që ajo t'i shpëtonte arrestimit.
Ajo thekson gjithashtu se Parlamenti është kthyer në një hapësirë ku 'debati pengohet, qytetarët shpërfillen dhe kërkesës për llogaridhënie i përgjigjen me kërcënime e përjashtime.'
Reagimi i Tabakut:
Shqipëria ka nevojë për një Parlament ku rregullat vlejnë njësoj për të gjithë. Sot, fatkeqësisht, ka një shumicë që i përdor ato sipas interesit: si mburojë për veten dhe si kamzhik ndaj opozitës.
Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu janë ndëshkuar me nga 60 ditë përjashtim. Ndërkohë, shkeljet e deputetëve të mazhorancës janë toleruar. Ky standard i dyfishtë e ka kthyer etikën parlamentare në instrument ndëshkimi politik.
Është i njëjti Parlament që sajoi procedura për të mbrojtur mandatin e ish-zëvendëskryeministres dhe që sot përdor çdo mjet për të goditur opozitën. Kur pushteti kërkon mbrojtje, rregullat përkulen. Kur opozita kërkon llogari, ndëshkimet rëndohen.
Arroganca e një qeverie të korruptuar, të kapur me duart në xhepat e shqiptarëve, ka gjetur strehë edhe në shtëpinë ku duhet të dëgjohet zëri i tyre. Parlamenti është kthyer në një hapësirë ku debati pengohet, qytetarët shpërfillen dhe kërkesës për llogaridhënie i përgjigjen me kërcënime e përjashtime.
Ndëshkimi i kolegëve është një tjetër shembull i turpshëm i këtij degradimi. Përjashtimi i deputetëve pengon përfaqësimin e qytetarëve që i kanë zgjedhur dhe dobëson kontrollin parlamentar mbi qeverinë.
Kjo arrogancë duhet ndëshkuar me votë. Largimi i kësaj shumice socialiste është rruga për t’i kthyer Parlamentit dinjitetin, debatit lirinë dhe qytetarëve një institucion që u shërben atyre, jo pushtetit dhe ligjeve me porosi.
Sali Berisha thotë se dy deputetët demokratë, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu u përjahstuan me nga 60 ditë nga punimet e Kuvendit me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Gjatë konferencës në selinë blu, ai tha se Bardhi e Balliu u përjashtuan pa asnjë bazë ligjore, ndërsa kryeministrin Edi Rama e quajti armik të egër të parlamentarizmit.
“Sot Edi Rama urdhëroi, pa asnjë bazë ligjore, të përjashtojë kryetarin e grupit të Partisë Demokratike dhe nënkryetarin e komisionit të sigurisë, zotërinjtë Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, dy muaj nga parlamenti. Armik i egër i parlamentarizmit, i protestës dhe fjalës së lirë, Edi Rama me akte të tilla dëshmon se është një narko-diktator i urryer për shqiptarët. Dënojmë me forcën më të madhe këtë vendim antiligjor, antikushtetues, kryekëput të pabazë. Natyrisht, grupi parlamentar do mblidhet të shqyrtojë qëndrimet përkatëse ndaj këtij vendimit”, tha Berisha.











Komente
Komento