HAGË, 25 nëntor /ATSH-AFP/ - Autoritetet holandeze arrestuan tre persona, një prej të cilëve xhihadist i kthyer nga Siria, për përgatitjen e dyshuar të krimeve terroriste dhe financimin e luftimeve në Siri, njoftoi sot prokuroria holandeze.
Tre personat, dy të moshës 26 vjeç dhe një 30 vjeç, u arrestuan në qytetet Eindhoven dhe Arnhem, theksoi prokuroria holandeze në një komunikatë.
"Ata dyshohen për përgatitjen e krimeve terroriste si dhe për dëshirën për t'iu bashkuar Frontit Al-Nosra, një organizatë terroriste e lidhur me Al-Kaedën", theksoi prokuroria pa dhënë më shumë detaje.
Prokuroria theksoi se kishte hapur një hetim në verë pasi ishte alarmuar nga shërbimet sekrete holandeze (AIVD).
Sipas shifrave të fundit të publikuara nga AIVD, rreth 130 xhihadistë janë larguar nga Holanda për të luftuar në Siri, 30 prej të cilëve janë rikthyer në vend dhe 14 kanë humbur jetën në luftime./
/ec/ a.jor.










