Hoteleria, hapa përpara për duhet
ende shumë punë për standardet

Tregu i hoteleve dhe akomodimit në tërësi në Shqipëri gëlon në informalitet, por shërbimet e hotelerisë nga interneti japin një panoramë për kapacitetet akomoduese në vend. Ministria e Ekonomisë dhe Turizmit analizon se në të gjithë vendin në Booking.com dolën në shitje vitin e kaluar 1356 struktura akomoduese nga të cilat 1.192 hotele dhe 164 njësi akomodimi të tjera.

Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i shtretërve për vitin 2016 arriti në mbi 65 mijë duke siguruar strehim për 1.1 milionë vizitorë në një natë. Të dhënat e INSTAT tregojnë gjithashtu se numri i shtretërve për vitin 2015 ka qenë 41.885 shtretër, dhe i net-qëndrimeve 791.000 net. Duke krahasuar vitet 2015 dhe 2014, ka një rritje të konsiderueshme me 27% për numrin e shtretërve dhe 72% për numrin e net-qëndrimeve.

Teksa gjatë këtij viti numri i shtretërve do të pësojë një rritje edhe më të madhe pasi hotelet më të mëdha në vend po zgjerohen dhe të tjera të reja janë në proces ndërtimi. Ndërtimet e reja në sektorin e hotelerisë po i përgjigjen kërkesës në rritje te të huajve për të pushuar në Shqipëri.

Sektori i turizmit ka pasur një performancë shumë të mirë edhe nga pikëpamja financiare, këto vitet e fundit. Nga viti 2013 në vitin 2016, të ardhurat nga turizmi janë rritur me 38%. Referuar bilancit të pagesave publikuar nga Banka e Shqipërisë, të dhënat ekonomike janë si më poshtë:

Të ardhurat nga turizmi nga viti 2013 në vitin 2014 janë rritur me 16%, ndërsa nga viti 2014 në vitin 2015 janë rritur me 5%. Për sa i përket vitit 2016, të ardhurat kanë qenë 1 miliardë e 528 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 13% krahasuar me vitin 2015, kur këto të ardhura kanë qenë 1 miliardë e 353 milionë euro.  Shpenzimet për udhëtim / turizmin nga viti 2013 në vitin 2014 janë rritur me 7%, ndërsa nga viti 2014 në vitin 2015 kanë rënë me 7%. Për sa i përket vitit 2016, shpenzimet kanë qenë 1 miliard euro.
 
Çmimet
Shqipëria është vendi i dytë në Europë me çmimet më të lira të hoteleve. Ky është rezultati i një renditjeje të përpiluar nga “Airbnb”, platforma më e madhe “online” për shërbimet e akomodimit. Sipas renditjes, në Shqipëri një natë qëndrimi në hotel kushton mesatarisht 27 paund. Çmim më të lirë se ky, në Europë sipas “Airbnb” ka vetëm Maqedonia, ku një natë në hotel kushton 26 paund.

Thuajse të gjitha vendet me hotelet më të lira gjenden në Europën Lindore. Pas Shqipërisë renditen menjëherë Moldavia dhe Kosova, ku çmimi për të fjetur një natë llogaritet në 28 paund, ndërsa në Serbi 30 paund. Por nëse në Lindje mund të flesh një natë me kosto rreth 30 paund, në Europën Perëndimore çmimet janë dy deri në 3 herë më të larta. Sipas renditjes, vendi më i shtrenjtë është Islanda, ku një natë në hotel paguhet 112 paund, ndërkohë që në shumicën e vendeve të tjera çmimi varion nga 50 deri në 85 paund.

Çmimet e hoteleve zënë një pjesë jo të vogël në koston totale të pushimeve. Veç tyre, Shqipëria ruan avantazh edhe në çmimet e ushqimeve, që sipas “Eurostat” kushtojnë të paktën 30 për qind më pak sesa mesatarja e BE-së.

Siç shprehen agjencitë turistike, edhe pse ka avantazhe në kosto, turizmi në Shqipëri vuan infrastrukturën e dobët, por edhe shërbimet.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Francë/ Përplasen rëndë dy tramvaje në Strasburg, 30 të plagosur (VIDEO)

Francë/ Përplasen rëndë dy tramvaje në Strasburg, 30 të plagosur (VIDEO)