Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi sot në Bruksel një takim me ministrin francez për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad, në fokusin e së cilit ishin zgjerimi i Bashkimit Evropian, situata në Ballkanin Perëndimor dhe bashkëpunimi mes dy vendeve. Hoxha vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës, duke thënë se ato nuk kanë qenë kurrë më të forta dhe më premtuese.

“Shpreha mirënjohjen time të thellë për qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Francës në mbështetje të një Evrope më të zgjeruar, më të bashkuar, më të fortë dhe gjithmonë në solidaritet dhe të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të një bote gjithnjë e më të trazuar”, deklaroi ai.

Ministri shqiptar falënderoi gjithashtu Francën për mbështetjen ndaj rrugëtimit europian të Shqipërisë, veçanërisht në momentet kyçe të procesit të anëtarësimit në BE. Sipas Hoxhës, partneriteti mes dy vendeve po zgjerohet në fusha strategjike si inovacioni, energjia e gjelbër, mbrojtja, arsimi, komunikimi strategjik dhe shkëmbimet kulturore.

“Përtej dialogut të përforcuar politik, partneriteti ynë dypalësh po materializohet përmes projekteve të prekshme me përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët tanë. Brenda kuadrit të një partneriteti në zgjerim të vazhdueshëm, ne po forcojmë në mënyrë aktive bashkëpunimin në fusha strategjike si inovacioni i përparuar, energjia e gjelbër, mbrojtja, arsimi, komunikimi strategjik dhe shkëmbimet kulturore”, tha Hoxha

Dy ministrat riafirmuan angazhimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.