Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar të martën takim lamtumire me komandantin e forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, (KFOR), gjeneralin Salvatore Farina, si dhe me komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralin Francesco Figliuolo.

Ministri Hoxhaj gjatë takimit ka vlerësuar lart angazhimin dhe kontributin e gjeneralit Farina gjatë misionit në Kosovë, duke e falënderuar për punën e tij. Hoxhaj po ashtu i ka uruar mirëseardhje si dhe suksese në punën e tij të mëtejshme komandantit të ri të KFOR-it, gjeneralit Figliuolo.Shefi i diplomacisë kosovare foli për rolin e rëndësisë së veçantë që ka KFOR-i për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe më gjerë. Ministri Enver Hoxhaj po ashtu ka theksuar rëndësinë që ka për Kosovën vendosja sa më e shpejt  e marrëdhënieve kontraktuale me NATO-në, anëtarësimi i Kosovës në mekanizmin e Partneritetit për Paqe si dhe pjesëmarrja në iniciativat rajonale të sigurisë.

Komandanti i deritashëm i KFOR-it, gjenerali Salvatore Farina, e falënderoi ministrin Hoxhaj për bashkëpunimin e ofruar gjatë misionit të tij në Kosovë. Farina ka vlerësuar të arriturat në Kosovë, duke shprehur vendosmërinë e KFOR-it për vazhdimin e misionit të tij në ofrimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.Të mërkurën, në 3 shtator, në kampin Film City në Prishtinë, zhvillohet ceremonia zyrtare  e ndërrimit të Komandës së Forcës së Kosovës, KFOR. /ATSH/