Schrammi vë në dukje lashtësinë e emrit kishë; përdorur edhe nga ata popuj që e kanë përqafuar krishterimin mjaft herët, si sirianët, baskët, kymrët, armenët, etj

Duke qenë krishterimi feja e parë që përqafuan shqiptarët pas paganizmit, hulumtimi i lashtësisë së tij hedh dritë në formimin e shumë elementeve morale të shoqërisë shqiptare, sidomos në drejtim juridik, familjar, zakonor e etik. Kjo për arsye se feja ka qenë tradicionalisht e lidhur me shfaqjet e ndryshme të njeriut në shoqëri, duke e përcjellë atë që nga çasti i lindjes e deri në vdekje. Për vetë pozicionin gjeografik, ku vetëm ujërat e Adriatikut ndanin brigjet e Ballkanit me kryeqendrën e krishterimit, shqiptarët e përqafuan që herët këtë fe, duke hyrë me të në sferën e kulturës e të qytetërimit perëndimor.

Krishterimi ndër shqiptarë hodhi rrënjë, si në shumë vende të Mesdheut, nga apostujt e dishepujt e tyre që në periudhën apostolike. Për lashtësinë e tij, shumë shkenca, si historia, arkeologjia, etnografia etj., mund të thonë fjalën e tyre, duke u nisur nga të dhëna të veçanta dhe me hulumtime nga këndvështrime të ndryshme. Por krahas këtyre, burimet e të cilave shpeshherë për arsye objektive janë të kufizuara, një rol të dorës së parë luan edhe vetë gjuha me historinë e saj, ku gjejnë pasqyrim të gjitha aspektet e shoqërisë njerëzore.