KUKËS- Pandemia COVID-19 i ka shkaktuar vdekjen një tjetër mjeku në Shqipëri. Mësohet se mjeku i cili humbi jetën sot për shkak të koronavirusit është mjeku nga Kukësi, Astrit Haziri. Ai rezultoi pozitiv me koronavirus disa ditë më parë ndërkohë u dërgua në Turqi për kurim.
Fatkeqësisht, mjeku Astrit Haziri 54 vjeç nuk arriti që të fitojë betejën me pandeminë. Ai ka punuar si mjek i përgjithshëm në spitalin rajonal të Kukësit dhe si mjek familje në spitalin bashkiak të Hasit. Mjeku Astrit Haziri ka qenë edhe Kryetari Këshillit Bashkiak Kukës në përiudhën 2003-2007.
Haziri është mjeku i dytë që ndërron jetë për shkak të COVID-19 në qarkun e Kukësit. Më herët në muajin gusht ndërroi jetë pas infektimit, mjeku tropojan, Anibal Byberi. Kreu i Urgjencës kombëtare, Skënder Brataj ka vlerësuar kontributin e tij në mjekësi, duke bërë një mesazh ngushëllimi për shokun e shkollës dhe kolegun më të mirë.
Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka bërë një dedikim prekës për ndarjen nga jeta të mjekut Astrit Haziri i cili ishte i infektuar me Covid.
Brataj shkruan se ka humbur shokun e shkollës dhe një koleg të mirë i cili ishte mjaft i përkushtuar.
"Ngushëllime familjes. Covid-19 e ka shënjestrën e tij të parë personelin mjekësor! Sepse ai ishte në vijën e parë, ballë për ballë me këtë virus të pa dukshëm por agresiv dhe dëmtues pa masë. Ne humbëm një koleg, të përkushtuar, familja humbi babain, bashkëshortin dhe shokun e jetës.
Unë humba shokun e shkollës, kolegun e mire. Vetëm pak ditë më pare u dëgjuam për gjendjen shëndetësore të tij kur ndodhej akoma në banesë. Lamtumirë dhe të qoftë dheu i lehtë shokë i mirë", shkruan ai.