I vetmi i mbijetuar nga shembja e banesës së familjes 9 anëtarëshe, Lala në Durrës është 17-vjeçari Ramë Lala. Gjendja e tij shëndetësore nuk është paraqitur e mirë dhe pasditen e së enjtes ai është nisur drejt Italisë për të marrë një mjekim më të specializuar.
Ndërkohë për ngjarjen tragjike që i ndodhi kësaj familje që humbi 8 anëtarët e saj ka bërë një shkrim edhe media prestigjoze Reuters. Kjo media ka shkruar edhe për mënyrën se si shpëtoi 17-vjeçari i mbijetuar.
Jetën e Ramë Lalës, e ka shpëtuar një lavatriçe. Struktura metalike e kësaj orendie shtëpiake ka krijuar mjaftë hapësirë sa për t'i mbrojtur trupin dhe kokën 17-vjeçarit, pas shembjes së banesës katër katëshe nga tërmeti i fuqishëm që la pas të paktën 50 viktima. Blloqet e inerteve të rëna sipër lavatriçes, i kanë bllokuar çdo mundësi dalje Ramë Lalës, por fatmirësisht nuk e kanë shtypur. Ai më pas u nxor gjallë nga grupet e kërkim shpëtimit, por familja e tij nuk arriti të dilte gjallë nga rrënojat e banesës që u shemb nga tërmeti.
Nga familja e 17-vjeçarit nën rrënoja janë gjetur të pajetë Marjeta Lala së bashku me tre fëmijët, Emilio Lalën, 6 vjeç dhe dy binjakët Enis dhe Dionisa Lala, më pak se 3 vjeç. E ndjera u gjet e përqafuar me të tre fëmijët e saj nën rrënoja të banesës. E pajetë u nxor edhe Amelia Lala 9 vjeçe, e cila është gjetur së bashku me gjyshen, Sahdete Lala, e cila po ashtu është nxjerrë e pajetë.
Po ashtu nga tërmeti ka ndërruar jetë Griselda Lala 22 vjeçe, (motra e Ramë Lalës), ndërkohë mbrëmë gjatë natës u nxor i pajetë Ilir Lala xhaxhai i fëmijëve(i paralizuar).
Ndërkohë babai i binjakëve të ndjerë Albert Lala ka mbërritur nga Italia dhe ka ndjekur operacionin e shpëtim-kërkimit, por për fat të keq asnjë familjarë i tij nuk mbijetoi përveç nipit 17-vjeçar.
Të vdekurit nga familja Lala
Ilir Lala (Ishte i paralizuar prej vitesh)
Marjeta Lala (Nëna e katër fëmijëve)
Emilio Lala 6 vjeç (Djali i Marjeta Lalës)
Enis dhe Dionisa lala (Binjakët e Marjeta Lalës)
Amelia Lala 9 vjeç (Vajza e Marjeta Lalës)
Griselda Lala 22 vjeç (Motra e Ramë Lalës)
Sadete lala 78 vjeç (gjyshja)