LEZHË - Humbja e zgjedhjeve lokale në Lezhë nga ana e së majtës po pasohet me dorëheqjen e disa drejtuesve të institucioneve lokale, shumica prej të cilave tashmë do të jenë nën varësinë e bashkisë së re.
 
I pari që ka paraqitur dorëheqjen është drejtori i Bordit të Kullimit në Lezhë, Pashk Gjoni, institucion që pritet të kalojë nën varësinë e bashkisë së Lezhës.
 
Ndërkohë të njëjtin veprim mësohet se ka bërë edhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë së këtij rrethi.
 
Pas pranimit të dorëheqjes pritet që këta drejtues të zëvendësohen me përfaqësues të së djathtës.
 
Ndërkohë burime të pakonfirmuara pranë selive të partive politike të majta në rrethin verior bëjnë me dije se pas zgjedhjeve edhe drejtues të dikastereve të tjera në këtë qytet kanë paraqitur dorëheqjen pranë ministrive të linjës.
 
Mes tyre janë drejtori i Portit, drejtoresha e Postës, dhe drejtori i Sigurimeve Shoqërore.
 
Ndërkohë lidhur me këto informacione nuk ka dijeni nëse dorëheqjet vijnë për shkak të humbjes së të majtës në këtë njësi vendore, e cila prej 8 vitesh drejtohej nga përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim.


Redaksia Online
( Gre.M/Shqiptarja.com )