Piktori i njohur Skënder Kamberi është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare. Ai është cilësuar si një nga “penelat” më të dalluar të artit pamor shqiptar.
“Ikja e tij shënon një humbje të madhe për kulturën kombëtare, për historinë e pikturës shqiptare dhe për të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan artin e tij’, shprehet ministri i Kulturës Blendi Gonxhja përmes një postimi ku i përcjell ngushëllime familjes së artistit, miqve e kolegëve të tij.
Me një krijimtari të jashtëzakonshme prej mbi 1,400 veprash, ai la pas një trashëgimi të pasur që përfshin kompozime monumentale, portrete, peizazhe dhe vepra me një forcë të rrallë shprehëse.
“Në çdo periudhë të krijimtarisë së tij, nga realizmi socialist deri tek shprehjet më të lira pas viteve ’90, Kamberi arriti të ruajë integritetin artistik dhe të sfidojë kufijtë e kohës, duke i dhënë artit shqiptar dimensione të reja. Në këtë moment të vështirë, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit artistik. Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten të gjalla dhe frymëzuese për brezat që do të vijnë. U prehsh në paqe, Mjeshtër”, shkruan ministri.
Disa vepra të Kamberit, kryesisht kompozime, sot ndodhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, ndërsa shumë të tjera kanë kapërcyer edhe kufijtë me ekspozita në vende të ndryshme të botës.
Komente










