Lajmi për humbjen e papritur të mikut tim të dashur dhe kolegut të çmuar Jorgo Bulo jo vetëm më zuri të befasuar, por më tronditi.
Jorgo Bulo ishte ndër më të shquarit njohës të letërsisë shqipe, dhe nuk është e rastit që studimit të saj i kushtoi qëllimin e jetës.
Veçanërisht në dekadat e fundme, disa prej kontributeve të tij teorike, shpjegojnë dhe argumentojnë qartë se, përmes metodës së analizës, duke u ndërfutur në mënyrë kritike brenda tekstit letrar, mund të arrihen rezultate të suksesshme. Përmes kësaj metode ai zbuloi anë dhe çështje vështirësisht të përveçueshme ndryshe.
Magjia dhe magjistarët e fjalës (1998), Tipologjia e lirikës së Naim Frashërit (1999), Shpirti i fjalës (2014) janë monografi e studime model, që që pahësojnë finesën e jashtëzakonshme të filologut, mprehtësinë e admirueshme të dijetarit në zbatimin e metodës së zgjedhur, elegancën stilistike e për t’u pasur zili të historianit të letërsisë, akribinë e kujdesshme të kërkuesit fin, të gjitha këto cilësi që kanë shenjuar ndër kohëra zgjerimin e aktivitetit të analizës dhe të kërkimeve, duke shpërndarë atë dije të njohur të tij ndër kolegët e shumtë dhe njëherësh njerëzit që e çmonin.
Me Jorgo Bulon ishte kënaqësi të diskutoje, sepse tek ai bashkoheshin në një simbiozë të jashtëzakonshme dhuntitë e kërkuesit serioz e të zellshëm dhe mprehtësia intelektuale e njeriut të formuar me kulturë të thellë dhe të përpunuar. Ajo buzëqeshje e ëmbël dhe e sjellshme, që shenjonte shpirtin dhe mendjen e hapur; ai shikim i përqendruar që depërtonte në thelbin e bashkëbiseduesit; ajo dituri tipike prej njeriu të mësuar që të nxirrte prej labirinteve të ndërlikuara të jetës publike; ajo qetësi dhe ajo siguri për të reaguar gjithnjë me një paqe të brendshme ndaj vështirësive; ishin cilësi thelbësore të një modeli sjelljeje që i kapërcente kufijtë vetjakë dhe u bënë një mënyrë e stil i vërtetë jetese për studiuesin.
Takimin e fundmë me Jorgo Bulon e pata një vit më parë, pak ditë para ikjes së tij nga kjo jetë. Ishte pjesëmarrës në konferencën shkencore ndërkombëtare që organizoi Akademia e Shkencave më 9 nëntor 2015, si gjithnjë edhe me kontributin e tij të pazëvendësueshëm.
Pata rastin e mirë ta ftoja për të marrë pjesë në paraqitjen e librit Ura e Arbërit të kolegut Francesco Altimari, që do të mbahej më 12 nëntor, në pavijonin e Institutit Italian të Kulturës, pjesëmarrës në panairin e përvitshëm të librit. Prof. Bulo e pranoi me shumë kënaqësi e gatishmëri ftesën tonë, duke vendosur menjëherë jo vetëm të merrte pjesë, por dhe të pasuronte veprimtarinë, duke rikujtuar disa episode të rëndësishme të panjohura që i takonin formimit të prof.
Altimarit në vitet e rinisë, episode që sillnin në vëmendje edhe të parin kontakt të rëndësishëm njerëzor e shkencor të një delegacioni të zgjeruar të ardhur nga Shqipëria, midis të cilëve edhe vetë i ndjeri Jorgo dhe profesori i shquar Eqrem Çabej, që do të qendronin midis arbëreshëve përgjatë një jave kushtuar kulturës arbëreshe, që zhvillohej në Kalabri në vitet 1970. Duke evokuar këtë ngjarje me rëndësi parësore, prof. Bulo gjeti mënyrën për të konfirmuar se vazhdimi i atyre lidhjeve të ngjizura në atë kohë dhe të ndërtuara me kujdes gjatë dekadave të mëvonshme ndërmjet qendrave gjegjëse të kërkimit lidhej thelbësisht prej urave kulturore e shkencore që studiuesit shqiptarë e arbëreshë ia kishin dalë të ndërtonin, me qëllim që të garantohej shkëmbimi i ndërsjelltë i dijeve në shkencën albanologjike në zhvillimet e mëvonshme dhe në progreset e vijushme.
Në të vërtetë, Jorgo, duke qenë për vite me radhë në qendër të aktivitetit kërkimor dhe duke luajtur një rol publik-qytetar të një shkalle shumë të lartë, gjithnjë ruajti një vlerësim shumë të lartë për lidhjet e dyanshme me katedrat albanologjike në universitetet italiane, duke i përfshirë në projektet e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave, që ai pati nderin të drejtonte për një kohë të gjatë. Nuk ishte, pra, as e tepërt dhe as e panevojshme që, pikërisht në ngjarjen e fundme kulturore-shkencore që po ndodhte në Shqipëri, në Tiranë, të riafirmoheshin këto lidhje të hershme të bashkëpunimit mes nesh, si të kishte qenë një shenjë paralajmëruese për atë ikje të beftë dhe gati-gati të pabesë për ne.
Për familjen e Jorgo Bulos, për Kristinën, që e shoqëroi gjatë gjithë jetës; për Anylën, vajzën e vetme; për Kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dua të ridërgoj e të rindaj me ta dhimbjen time vetjake dhe të katedrës së albanologjisë në Universitetin e Palermos. Është krejt e sigurt se këtë ndjenjë dhimbjeje e ndjen së brendshmi gjithë bashkësia arbëreshe e Sicilisë, ku Jorgo Bulo ishte shumë herë i mirëpritur si mik i vjetër dhe i shkëlqyer.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com