Tensione të reja për Hungarinë e kryeministrit Viktor Orban, këtë herë në marrëdhëniet kulturore me Austrinë.
Në skenën e Teatrit Kombëtar të Hungarisë, disa aktorë të "Burgtheater" të Vjenës morën papritur fjalën për të shprehur shqetësimin e tyre për demokracinë hungareze, e dobësuar nga qeveria e partisë në pushtet "Fidesz".
Kjo ndodhi gjatë një mbrëmjeje të organizuar në kuadër të një festivali teatror ndërkombëtar, ku merrte pjesë teatri vjenez "Burgtheater".
Pas përfaqësimit, Martin Reinke, aktor i "Burgtheater", lexoi një komunikatë duke shprehur solidaritet me popullin hungarez për shkak të mungesës së demokracisë në vend dhe largimit të Budapestit nga Evropa.
Si kundërpërgjigje, drejtori i Teatrit Kombëtar hungarez, Attila Vidnyanszky, eksponent i politikës kulturore qeveritare, projektoi në skenë imazhet e martirëve të vitit 1849, kur 13 gjeneralë hungarezë u vranë nga Habsburgët pas revolucionit hungarez./ atsh/