Qeveria e Hungarisë do të ndërmarrë veprime ligjore kundër Komisionit Evropian nëse nuk arrin një marrëveshje për financimin e BE-së për programet e studimeve universitare jashtë vendit, shkruajnë mediat e huaja.
Duke folur në një konferencë shtypi në Budapest, Gergely Gulyas, shefi i kabinetit të kryeministrit, tha se një vendim i fundit i Komisionit Evropian për të shkurtuar fondet për programin e shkëmbimit të studentëve Erasmus në shumë universitete hungareze ishte i papranueshëm dhe i padurueshëm.
Gulyas shtoi se qeveria e Hungarisë do të sigurojë financim për programin nëse fondet e BE-së nuk shpërndahen, por se do ta çojë çështjen në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë nëse nuk arrihet një kompromis.
Shkurtimi i financimit, i cili do të prekte studentët hungarezë që studiojnë jashtë vendit nëpërmjet programit Erasmus të BE-së, si dhe financimit për kërkime në shumicën e universiteteve hungareze, vjen si pjesë e një sërë dënimesh financiare që blloku ka vendosur ndaj qeverisë hungareze në një përpjekje për të sjellë në përputhje standardet e sundimit të ligjit dhe demokracisë.
BE-ja ka treguar se sistemi i arsimit të lartë i Hungarisë – i cili që nga viti 2019 ka pësuar ndryshime nuk mbron në mënyrën e duhur lirinë akademike nga ndërhyrja politike. BE ka ngrirë më shumë se 12 miliardë euro (13 miliardë dollarë) fonde për Hungarinë për shqetësimet se kryeministri Viktor Orban ka përdorur fondet e BE-së për të çmontuar institucionet demokratike dhe për të pasuruar aleatët e tij.
Hungaria ka afat deri në mars për të zbatuar më shumë disa reforma për ta sjellë atë në përputhje me standardet e BE-së në mënyrë që më pas të realizohet edhe shpërndarja e fondeve.