Në fletoren zyrtare është botuar udhëzimi i Ministrisë së Financave që i hap rrugën zbatimit të ligjit të ‘Paqes Fiskale’ ku specifikohet që të gjitha subjektet që realizojnë të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë, dhe nuk kanë përfituar nga ndonjë normë e reduktuar apo përjashtim tatimor do kenë mundësi të aplikojnë për lidhjen e marrëveshjes së paqes fiskale.

Në rastet kur tatimpaguesi ka detyrime tatimore të papaguara ose të padeklaruara, çështja refuzohet automatikisht, duke dhënë arsyetimin përkatës.
Aplikimet për marrëveshjen do të bëhen elektronikisht në sistemin e-filing, dhe pas lidhjes së marrëveshjes, sistemi gjeneron shtesën e kësteve paraprake tatimit që do të paguaj subjekti. 

“Draftmarrëveshja nënshkruhet dhe vuloset elektronikisht nga titullari i drejtorisë rajonale tatimore të juridiksionit dhe dokumenti i dërgohet tatimpaguesit për nënshkrim elektronik në “Dokumentat e mia”, në sistemin e-Filing, brenda datës 10 prill të vitit për të cilin lidhet marrëveshja”, thuhet në udhëzim.

Në udhëzim janë dhënë edhe shembuj se si do të përfitojnë bizneset që do të firmosin marrëveshjen. Mbi fitimin e deklaruar të një biznesi, do të shtohet një marzh 18% në vitin pasardhes, dhe çdo fitim që kalon pragun prej 18% do të tatohet me 5%. Praktikisht një biznes me fitim 2.8 milionë lekë, i shtohet një marzh prej 18% ose 504 milionë lekë vitin tjetër, duke e çuar fitimin në 3.4 milionë lekë, që tatohet me 15%. Ndërsa çdo lekë mbi këtë vlerë do tatohet me vetëm 5%.

Po ashtu, kush hyn në këtë marrëveshje me tatimet, ka të drejtë të kërkojë edhe të korrigjojë pasqyrat financiare të 3 viteve të mëparshme, duke rritur deklarimet, të cilat i nënshtrohen një tatimi me 5%, nga norma prej 15% që është tatimi aktual.

“Në rast se tatimpaguesi në formularin e aplikimit të marrëveshjes, ka shprehur se do të kryejë edhe rideklarimin e pasqyrave financiare, Marrëveshja do të ketë të përfshirë edhe të drejtën për rideklarimin e elementeve të veçanta të aktiveve, të detyrimeve apo të kapitaleve të veta të pasqyrave financiare vjetore të shoqërisë, sipas normës së tatimit dhe procedurës së përcaktuar në këtë ligj”, vijon udhëzimi.

Nga bizneset e mëdha, nuk do përfitojnë ato që kanë tashmë norma të reduktuara tatimore, që kanë detyrime të papaguara, dhe janë të dënuar me vendim të formës së prerë dhe janë subjekt hetimi nga administrata tatimore.

Marrëveshja me tatimet mund edhe të ndërpritet nëse tatimpaguesi nuk realizon rritjen me mbi 18% të fitimit të tatueshëm, pezullon aktivitetin, është në proces riorganizimi, nuk përmbush detyrimet ose kryen shkelje të përsëritura të detyrimeve tatimore.

Ligji për “Marrëveshjen e Paqes Fiskale’, ishte pjesë e programit qeverisë në zgjedhjet elektorale të 2025-ës dhe u miratua me 75 vota pro, 20 kundër dhe 0 abstenim në 12 dhjetor 2025.

Detyrimet e prapambetura
Deri 31 dhjetor 2014                            fshihen
1 janar 2015-31 dhjetor 2019        50-75% me këste
1 janar 2020-31 dhjetor 2024       falen gjobat/kamatat

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë