Drejtuesi i një gomoneje në Gjirin e Hartës në Ksamil është gjobitur me 500.000 lekë pasi rrezikoi pushuesit duke lundruar në hapësirën e rezervuar për ta.
Veç ndëshkimit me gjobë, Policia Kufitare ka bllokuar edhe gomonen.
Njoftimi i policisë
Shkeli me gomone perimetrin e sigurisë detare, në zonën e Gjirit të Hartës, në Ksamil, duke lundruar brenda hapësirës së rezervuar për pushuesit, me rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe sigurinë e tyre, por u filmua nga qytetarët dhe u denoncua menjëherë në Policinë e Shtetit.
Reagimi i menjëhershëm i Policisë Kufitare dhe i Njësisë Policore Detare çoi në identifikimin e drejtuesit, bllokimin e mjetit lundrues tip gomone dhe ndëshkimin e drejtuesit të tij me gjobë 500.000 lekë të rinj.
Policia Kufitare u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve lundruese të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë së plazheve dhe rregullat e lundrimit. Çdo shkelje që cenon jetën dhe sigurinë e pushuesve do të konstatohet dhe do të ndëshkohet me masat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
Shërbimet e Policisë Kufitare vijojnë kontrollet intensive në të gjitha zonat bregdetare, me synim garantimin e sigurisë së pushuesve gjatë sezonit turistik.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët dhe pushuesit për bashkëpunimin dhe denoncimet e tyre, të cilat mundësojnë reagim të shpejtë ndaj çdo shkeljeje që rrezikon jetën dhe sigurinë në plazhe.
Komente










