Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka pranuar pretencën e SPAK dhe ka dënuar me 3 vite burgim ish-deputetin e Partisë Socialiste Jurgis Çyrbja dhe Altin Hajrin, ndërsa për Ahmet Mashën është vendosur 2 vite e 8 muaj burgim.

Të tre të pandehurit janë gjykuar sipas formulës së gjykimit të shkurtuar. Konkretisht Çyrbja dhe Hajri do të vuajnë 2 vite burgim ndërsa Masha 1 vit e 8 muaj burgim.

Jurgis Çyrbja - “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit” dhe “Përkrahje e autorit të krimit” – 2 vite burgim (pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar)
Altin Hajri - “Korrupsion pasiv në zgjedhje” dhe “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit” - 2 vite burgim (pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar)
Ahmet Masha - “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit” dhe “Përkrahje e autorit të krimit” – 1 vit e 2 muaj burg (pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar)

Ilir Murati, avokati i Jurgis Çyrbjes në seancë tha se nuk ka asnjë provë që vërteton akuzat e ngritura për ish-deputetin si dhe kërkon specifikim të sekretit hetimor që pretendohet se është dekonspiruar nga klienti i tij.

“Nuk ka asnjë provë për kryerjen e veprave që akuzohet. Bazohet tek transkriptet, disa biseda e foto, por nuk lidhen me asnjë provë tjetër. Nuk ka përcaktim të saktë se cili informacion konkret përbën nxjerrje sekreti shtetëror. Duhet që SPAK të sqarojë cili fakt përbën nxjerrje të sekretit shtetëror. Duhet të kemi një akt klasifikimi të kualifikimit të sekretit shtetëror, dhe akuza nuk specifikon se i çfarë niveli është sekreti shtetëror i pretenduar që ka nxjerr i pandehuri. Sipas DSIK Jurgis Çyrbja nuk ka patur certifikatë sigurie. Në këto kushte ai nuk ka pasur informacione të konsideruara si sekret shtetëror. Në komisionin e sigurisë kombëtare, Jurgis Çyrbja ka qenë anëtar zëvendësues, dhe shumë më vonë nga koha kur akuzohet se ka konsumuar veprën penale. Prokuroria krijon konfuzion kujt i referohet Kreshnik Budllës apo Roland Frrukut? Sepse në një proces tjetër gjyqësor rezulton se nuk ka qenë Kreshnik Farruku përdoruesi i SKY por i vëllai”, tha avokati Murati.

Të njëjtat pretendime ka pasur dhe avokati mbrojtës i Altin Hajrit. Ai thotë se Hajri nuk ka asnjë dijeni për sekret shtetëror, si dhe nuk ka asnjë provë që vërteton se ka siguruar vota për Jurgis Çyrbjan, aq më tepër në formë të paligjshme.

“Nuk rezulton që kjo mbështetje e pretenduar të jetë aplikuar pra që të ketë siguruar vota. Dhëna e mbështetjes elektorale duhet që organi hetues të bazohej tek paligjshmëritë. Ska fakte nëse janë siguruar këto vota, nëse po a janë siguruar në mënyrë të paligjshme? Nga përmbajtja e bisedave nuk rezulton të ketë një premtim se do gjej kaq vota. Kanë qenë komunikime normale mes dy të njohurve që kanë mbështetur njëri tjetrin. Akuza duhet të kishte identifikuar ku qëndron nxjerrja e sekretit hetimor se Hajri ska akses as dijeni apo njohuri çdo të thotë sekret shtetëror. Kryerja e veprës penale lidhet me dijeninë e kësaj vepre, apo me shprehjen e interesit për ta pasur këtë informacion. S’është gjetur kush e ka nxjerr këtë informacion dhe Hajri nuk e dinte që ishte informacion që s’duhej ekspozuar. Pra nuk ka dijeni, nuk ka edhe dashje. Vetëm nëse do e dinte, mund të merrte përsipër faktin penal. Nuk provohet korrupsioni, apo që mbështetja nëse është dhënë, është bërë në kuadër të një interesi. E ka pas mik e ka mbështetur në zgjedhje”, tha avokati i Hajrit.

SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen e Jurgis Çyrbjas në korrik të këtij viti, i cili po hetohet së bashku me Altin Hajrin, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe Ahmet Mashën. Në dosjen e SPAK thuhet se ish-deputeti Çyrbja ka pasur miqësi me Altin Hajri, duke i premtuar këtij të fundit se do ta ndihmonte në këmbim të votave gjatë zgjedhjeve. Kujtojmë se Altin Hajri ka qenë në kërkim për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.

Ndërkohë, Altin Hajri, akuzohet për korrupsion në zgjedhje pasi i ka siguruar vota ish-deputetit Çyrbja. Sipas hetimit, ka rezultuar e provuar se Jurgis Çyrbja, Altin Hajri dhe Ahmet Masha kanë koordinuar aktivitete të ndryshme kriminale përmes komunikimeve në “Sky ECC” dhe “Matrix”.

Janë faktuar 8 episode gjatë periudhës 1 Maj 2020 deri më 8 Mars 2021. Të akuzuarit janë vënë në dijeni të të dhënave në sistemin “TIMS”, mbi një person të shpallur në kërkim, si edhe të disa informacioneve sekrete të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, thotë SPAK.

Këto informacione lidheshin me planet e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, por edhe në Qarkun e Durrësit, për kapjen e personave të shpallur në kërkim, për kryerjen e elementëve të veprave penale në kuadër të krimit të organizuar.

Një tjetër element i rëndësishëm që del në pah nga hetimet e SPAK, është fakti që Altin Hajri dhe persona të tjerë komunikojnë në platformën “Matrix” pas arrestimit të Jurgis Çyrbes dhe Ahmet Mashës gjatë periudhës Tetor-Dhjetor 2024. Në këto komunikime janë evidentuar edhe takimet me punonjës të policisë të cilët kanë informuar për aksionet e bluve.

Jurgis Çyrbja u arrestua më 20 Tetor 2024 me urdhër të SPAK. Ai ka qenë deputet i Kuvendit për dy legjislatura, dhe ka dhënë dorëheqjen nga mandati në Tetor të vitit të kaluar, në kohën kur hetimet e SPAK kishin hyrë në fazën përfundimtare.